Elbasani me Berishën, mbush sheshin si asnjëherë më parë

pdelbasanDhjetëra mijëra qytetarë të Elbasanit pritën në një miting madhështor kryeministrin Berisha, i cili i garantoi ata se në katër vitet e ardhshme qeveria e Partisë Demokratike do të katërfishojë investimet në këtë qytet në krahasim me mandatin e parë. Ky tubim që të sillte në memorie lëvizjet demokratike të dhjetorit të vitit `90, ka dëshmuar mbështetjen gjithnjë e në rritje që po fiton Partia Demokratike në të gjithë vendin falë realizimit të reformave, investimeve, rritjes së rrogave dhe pensioneve dhe hapjen e vendeve të reja të punës gjatë mandatit të saj të parë. Por ajo që po rrit më tepër besimin e shqiptarëve tek Partia Demokratike dhe kryetari i saj Sali Berisha është me siguri shtylla kurrizore e programit të kësaj force politike për katër vitet e ardhshme; integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Në fjalën e hapjes, kryetari i Partisë Demokratike për Elbasanin, Luçiano Boçi e vuri theksin në projektet e shumta të investimeve dhe punësimit që ofron qeveria e PD-së për Elbasanin. Më pas të pranishmit i përshëndeti, Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, kandidat për deputet në këtë qark, i cili tha se Partia Demokratike ashtu siç realizoi anëtarësimin në NATO, aplikimin në BE dhe nënshkrimin e MSA-së do të mundësojë lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe anëtarësimin sa më të shpejtë të vendit në BE. Ndërsa kryeministri Berisha në fjalën e tij garantoi qytetarët e Elbasanit se investimet në katër vitet e ardhshme do të shkojnë në mbi 60 miliardë krahasuar me 15 miliardë që ishin në katër vitet e mandatit të parë. “Kam ardhur sot tek ju për t’u garantuar ju, qytetarëve të Elbasanit, se në rast se në katër vite ne ia dolëm të katërfishojmë investimet në këtë qark, në rrugët e tij, ujësjellësat e tij, në bujqësinë e tij, zotohem sot se ne katër vitet që vijnë jo 15 miliard, por katër herë më shumë do të investojë qeveria ime në këtë qytet”, u shpreh kreu i qeverisë, duke falenderuar qytetarët e Elbasanit për mbështetjen që i kanë dhënë qeverisë së reformave. Unë, tha kreu i ekzekutivit, vij tek ju pas katër vitesh, kur në ndërgjegjen e çdo shqiptari është e qartë si nata me ditën ndryshimi i madh i këtyre katër viteve, që e shndërruan Elbasanin, djepin e dijes e të qytetërimit tonë, pasi në përputhje me premtimet e bëra në këtë qytet, dyfishuam rrogat e mësuesve të Shqipërisë, dyfishuam numrin e studentëve në Shqipëri, shndërruam universitetin tuaj në një nga universitetet më të fuqishme të Shqipërisë. “Unë vij sot tek ju, pasi premtimet që unë kam bërë në teatrin tuaj ‘Skampa’, se në 4 vite do të dyfishojmë të gjitha pensionet e fshatit, se në Elbasan dhe në mbarë Shqipërinë nuk do të ketë pension nën 100 dollarë, i kemi mbajtur plotësisht. Unë vij sot tek ju, pasi në zotimin tim, qytetarë të dashur të Elbasanit, premtova se gërshërët e ligjit do të veprojnë ndaj atyre që fusin duart në xhepat tuaja. Po sot, ku jemi? Sot, pas katër vitesh, mbi 4, 2 miliard dollarë u shpëtuan nga kthetrat e zeza të korrupsionit, mbi 160 duar u prenë nga gërshërët e ligjit në emrin tuajin”, theksoi kreu i mazhorancës gjatë takimit. Duke e vlerësuar Elbasanin si djepin e formësimit të dijes shqiptare të perëndimit, kreu i qeverisë theksoi se sot mblidhemi në këtë shesh si qytetarë të një vendi anëtar të NATO-s, si Elbasani anëtar i NATO-s. “Ne mblidhemi në shesh, pasi ne ia dolëm të aplikojmë me konsensus për të kërkuar anëtarësimin e plotë në BE. Ne mblidhemi në shesh, pasi ne me përpjekje të mëdha ia dolëm që Shqipërinë, që rënkonte nën kthetrat e e informalitetit, ta nxjerrim në krye të rritjes në Evropë, ia dolëm që ditët e fundit në qarkun tuaj të firmosim me dhjetëra e dhjetëra vepra energjetike”, u shpreh më tej kryeministri, duke nënvizuar se nuk ishte në Elbasan për të kërkuar votën për këto që qeveria e tij ka bërë në mandatin e parë, por për ato që do të realizojë në mandatin tjetër. Vij sot para jush, u tha Berisha qytetarëve të Elbasanit, për t’u zotuar se në këtë qytet, pavarësisht se qeverisin socialistët, se në këtë qark kushdo që të jetë në pushtet nuk do të ketë rrugë të paasfaltuara në fund të mandatit tonë të dytë. “Vij sot këtu për t’u zotuar njësoj si katër vite më parë se, Elbasani evropian dhe Shqipëria evropiane për mua do të thotë që pensionistët e Elbasanit dhe të mbarë Shqipërisë të shpërblehen jo si tani, që kemi parakaluar dy vende anëtare të BE-së, por të parakalojmë me paga dhe pensione edhe 4 vende të tjera”, vijoi numri një i ekzekutivit në takimin e zhvilluar me qytetarët e Elbasanit.

Standardi europian i Ramës, korrupsioni me lejet e ndërtimit

Kryeministri Berisha deklaroi dje nga Elbasani se interesi i vetëm i kryetarit të Partisë Socialiste janë lejet e ndërtimit dhe karrigia. Duke iu referuar justifikimeve të Ramës se, nuk mund të kandidonte për deputet se në këtë mënyrë do të tradhtonte qytetarët e Tiranës, kreu i qeverisë e komentoi jo pa nota ironike faktin se nuk ka asnjë lider në historinë e Europës demokratike, që ka futur partinë në zgjedhje pa qenë në krye të saj. Nga sheshi i Elbasanit, në emër të popullit të Elbasanit, u shpreh kreu i qeverisë, do t`i kërkoj zotit Rama, i cili u deklaronte mbrëmë durrsakëve se nuk mund të hynte në Parlament, se nuk mund të tradhtonte qytetarët, po e pyes se a do të ishte tradhti ndaj jush nëse votoni drejtuesin tuaj për në Parlament? Çfarë tradhtie përbën kjo? Duke nënvizuar faktin se, destinacioni i qytetarëve shqiptarë është vetëm Europa, Berisha i kërkoi Ramës që të gjejë qoftë edhe një lider partie në historinë e Europës demokratike që ka braktisur garën e partisë së tij. “Na thuaj zoti Rama, cili lider partie në historinë e Evropës demokratike, e ka nisur forcën e vet politike drejt zgjedhjeve dhe nuk është vendosur në krye të listës? Cili, zoti Rama, e ka bërë këtë veprim, kujton ti se shqiptarët nuk i dinë këto? Ti nuk e bën dot këtë, ndonëse unë prapë të japë kohë, në emër të respektit që kam për socialistët, të jap kohë, por ti se bën dot këtë sepse për ty standardi evropian janë lejet e Bashkisë, lejet e ndërtimit. Ti nuk e bën dot këtë, sepse ti, zoti Rama, nuk do zgjedhje, do karrige dhe leje ndërtimi. Kjo është e vërteta, thuaja shqiptarëve, sepse me ty dhe pa ty, zgjedhjet do të jenë madhështia e demokracisë shqiptare”u shpreh kryeministri.

Programi i PD, mijëra vende pune në Qarkun e Elbasanit

Punësimi i qytetarëve do të jetë prioriteti më madhor i qeverisë së Partisë Demokratike në mandatin e dytë qeverisës. Kryeministri Berisha u premtoi dje qytetarëve të Elbasanit angazhimin e plotë, duke nënvizuar se ndërtimi i hidrocentraleve, ndër të cilët edhe gjiganti i Europës me 65 km tunel në kaskadën e Devollit, do të punësojnë dhjetëra e mijëra qytetarë të këtij qarku. “Unë vij sot këtu, për t’u garantuar ju se për ndërtimin e infrastruturës së këtij rrethi do të punësohen me mijëra të tjerë. Unë vij këtu për t’u garantuar ju se parku industrial, që do të ngremë pasi u vendosën standardet më të mira të mbrojtjes së mjedisit, në metalurgjik, çimento e krom, do të punësojë me mijëra e mijëra qytetarë të Elbasanit”, u shpreh Berisha para dhjetëra mijëra qytetarëve, që mbushën Sheshin “Gensher” në qendër të Elbasanit. Sot, vijoi Berisha, u takova me biznesmenë të Tiranës. “Po lëngonin nën taksat e rritura të Bashkisë, dua t`i them kryebashkiakut të Tiranës, të Elbasanit dhe të mbarë Shqipërisë, mos guxoni t’i merrni dhe t’i ndani për vete taksat, sepse ligji do të veprojë me forcën më të madhe”, theksoi kreu i ekzekutivit, duke evidentuar faktin se qeveria ka katërfishuar dhe është e gatshme të pesëfishojë grantin për qeverisjen vendore, por theksoi se biznesi i vogël nuk mund të cënohet, pasi ai është gjeneratori më i madh i punësimit në vend. Ai paralajmëroi zbatimin e rreptë të ligjit për ata kryetarë të njësive të qeverisjes vendore, që abuzojnë me taksat e sipërmarrësve të vegjël. “Nuk e kemi patur të lehtë rrugën tonë, por kemi mbetur të fortë në moralin tonë, ndaj ia dolëm dhe do ia dalim, ne mundemi sepse ne besojmë tek vlerat, ne besojmë tek Elbasani, ne besojmë tek Shqipëria, ndaj dhe ju ftojmë ju që vlerave të mëdha që keni, shpirtin tuaj, të trashëgimisë suaj të ndritur, t’ia bëjmë dritë të gjithë Shqipërisë, të bashkohemi, të vazhdojmë ndryshimin”, vijoi më tej numri një i ekzekutivit gjatë takimit madhështor në Elbasan.

About these ads