Shkruan : Abdi Baleta
PRODI : “ ERDHA T’JU LAG SOT QË T’JU RRUAJ MOT”
Shqiptarët gjithmonë i kanë pritur politikanët e huaj si fëmijët jetimë kur u vinte daja. Shumë shqiptarë kështu e pritën edhe Romano Prodin në ditët e fundit të muajit janar 2003, ndonëse ky Romano shumë shqiptarëve u kishte lënë kujtimin e hidhur kur në vitin 1997 erdhi në Vlorë t’i vendoste fatet e Shqipërisë në takimin me Luiza Hoxhën, për të cilën u tha se kishte pirë gjak demokratësh, dhe nën garancitë e Zani Çaushit që komandonte kallashët e rebelimit të armatosur..

Atëherë Prodi ishte kryeministër i Italisë, njërës nga fajtoret për tragjedinë shqiptare të vitit 1997, njërës nga përfitueset nga tragjedia shqiptare e atij viti. Tani Romano Prodi është “kryeministër” i Bashkimit Europian dhe erdhi të bëjë “hapin e madhe” për t’u treguar shqiptarëve se dyert e Europës së Bashkuar mbeten edhe për ta të hapura, por pragu i këtyre dyerve është shumë i lartë për t’u kapërcyer. Sipas parashikimeve më entuziaste dhe falleve më dashamirëse të Prodit shqiptarët do të përgatiten e stërviten për një kohë mjaft të gjatë që të kapërcejnë këtë prag dhe do të mund ta kapërcejnë atë me të vërtetë kur të ketë ndodhur ajo që ende nuk e beson ish homologu shqiptar i Prodit në vitin 1997, Aleksandër Meksi, i cili kryerjen e punëve të vështira e lidh me qethjen e viçave. Ende nuk e ka shpjeguar homologu i dikurshëm i Prodit pse qethja e viçave i duket si vështirësi më serioze se mbirja e flokëve në një kokë tullace dhe se dalja e qimeve në faqet e qoses për ta vënë si kusht për arritjen e caqeve të zorshme.

Sidoqoftë Prodi erdhi me avion civil, jo me anije e helikopterë luftarakë si në vitin 1997. Nuk do të harrojmë kurrë ato skenat kur nga helikopterët italianë zbritën në Vlorë kokoshët e ushtrisë italiane dhe sa vinin këmbët në tokë zinin pozicione luftimi që të impresionin shqiptarët e rebeluar se Prodi do të mbrohej me shkencë e jo me kaçakllëk, ndonqëse në fund mbrojtjen e vërtetë e pati nga bandat e Vlorës. Prodi tani pa me symbyllur gjithë arritjet madhështore që ka mundësuar rregjimi që ai bekoi e ndihmoi atëherë në Shqipëri. Tani Prodi mund të jetë i kënaqur se u realizuar edhe një dëshirë e politikës italaine që Shqipëria pas rebelimit të bëhej vend shkarkimi për tepricat e Mafias siçiliane, kalabreze e pulieze. Prodi fitoi pa asnjë mundim tjetër një titull “Qytetar nderi” që do t’i vlejë për ta futur në jetëshkrimin e vet se kur ishte kryeministër i Italisë ka bërë gjëra të mëdha për Shqipërinë duke e ndihmuar të fitojë statusin e Siçilisë e të Kalabrisë në historinë e Mafias.

Prodi erdhi të nënshkruante atë marëveshjen e famshme për të hapur ca bisedime që do të bëhen me siguri shumë të famshme për përfshirjen e Shqipërisë në një Traktat të Shoqërizim-Stabilizimit të vendeve tëe Ballkanit perëndimor që do ta afrojë atë tek portat e Europës së Bashkuar. Se kur do të ndodhin të gjitha këto mrekulli Prodi nuk e di dhe as ka përse ta dijë se ai nuk do të jetë kryeministër i Europës së bashkuar kur të afrohet Shqipëria tek portat e saj të hapura. Mirëpo Prodi e tha se portat e hapura të Europës së Bashkuar për shqiptarët janë po aq të hapura sa porta e Parajsës për mëkatarët. Zoti portat e Parajsës i ka të hapura për të gjithë, me një kusht të vogël që të mos jenë të ngarkuar me mëkate në shpinë kur të paraqiten para këtyre portave. Përndyshe ai engjëlëi që bën roje i drejton nga porta e Ferrit. Tani për tani shqiptarët janë më mëkatarët në Europë sipas vlerësimeve të inspektorëve engjëllorë të Bashkimit Europian. Por Prodi si komshi i mirë erdhi dhe të paktën e vuri firmën që të fillojnë bisedimet për inspektimet periodike që tdo të bëjë Europa për të parë se si shqiptarët po i ikin gjynahut që të fitojnë dashamirësinë e Padishahut në Bruksel.

Prodi na tha se kishte ardhur që të këshillonte shqiptarët se si duhet të zhvillohen, të strugohen, të paqtohen, rë çkriminalizohen, të begatohen, të kulturohen para se të kërkojnë të europianizohen. Me një fjalë Prodi na tha se puna jonë do të shikohet e të rregullohet atëherë kur ne shqiptarët të kemi rregulluar çdo gjë mirë e bukur vetë dhe ai Bashkimi Europian asnjë telash më të mos ketë. Kështu foli Prodi fjalë të sakta prej miku dhe kërciti e iku. Por, pushtetarët e politikanët shqiptarë që mbetën këtu me në filluan të bëjnë be e rrufe se kishin arritur një sukses të madh, se tashmë Shqipërinë e kishin shpëtuar, edhe pse ajo Europa e bashkuar sikur na doli edhe më e larguar. Aq i madh ishte gëzimi i pushtetarëve e politikanëve shqiptarë sa që e humbën fare torruan dhe filluan të festonin aspka europiançe . Edhe Prodin që ekishine nde tek dera e harruan dhe filluan të rriheshin me grushte në sallën e parlamentit për të marrë myzhdenë e miletit. Për një çast na u krijua përshtypja e frikëshme se Prodi ishte edhe kësaj radhe shumë ters dhe po na risillte në skenën e politikës përleshjet me kallash të vitit të mbrapsht 1997. Po shyqyr kishte qenë vetëm punë grushtash sa për qyfyr. E kanë shpjeguar barinjt e deleve se kur deshtë majmen shumë nga kullota ( siç majmen politikanët e deputetët nga kontrabanda) fillojnë dhe u hanë brirët dhe zënë e përplasin kokat.

Prodi erdhi, pa, fitoi, bisedoi, nënshkroi dhe shkoi. Pra bëri shumë më tepër se Jul Çezari që tha vetëm : “erdha , pashë, fitova”. Helbete jetojmë në kohëra tjera. Pastaj Europa e Bashkuar do të jetë perandori më e fuqishme se ajo romake. Vetëm në një gjë sikur ka filluar t’i ngjajë shumë shpejt asaj Perandorisë Romake, në punët e degjenerimt e perversitetit. Kur në Tiranë ishte Prodi në Bruksel po celebroheshin martesa burrë me burrë e grua me grua meqenëse edhe Belgjika e miratoi ligjin që i lejon të tilla martesa. Thonë se Perandorisë Romake kështu i erdhën shenjat e para të shkatërrimit. Megjithatë ne shqiptarët jemi ende mbrapa Europës së Bashkuiar dhe mbase Brukseli nuk na e vë si kusht që për pranimin në Europë të miratojmë ligjin e martësës burrë me burrë.

Prodi iku. Ne përsëri na la këtu ku ishim. Na ka thënë se na pret në Bruksel kur nga një thellë të bëhemi gjel. Na tha “ ju laga sot dhe do t’ju rruaj mot” nëse nuk vazhdoni të bëni më kot. Se kur është ajo “ e rruajtmja mot” e di vetëm një Zot, se këto punët e integrimve europiane nuk maten me mot e kalendarike. Ka rrezik që të thahet e lagura që na bëri Prodi dhe kur të vijë ai “moti” të na takojë për pjesë të na rruajnë thatë. Turqia ka dekada që pret atë “ të rruajtmen mot”. Mund ta pësojmë edhe ne ashtu.

Megjithëse disa duan të krijojnë idenë se myslimanizmi po merr fund në Shqipëri në sytë e Europës ne përsëri mbetemi vend më shumë mysliman. Edhe sikur të themi se u krishterizuam të gjithë si me urdhër të peshkut ( ose të Xhorxh Sorosit e të Pirro Mishës) përsëri nuk do të na besojnë. Europpa e ka humbur besimin tek shqiptarët për shumë arsye dhe për më shumë mosarsye. Ajo më shumë na merr për gënjeshtarë, kurvarë, kontrabandarë, klandestinarë, gomonarë, kriminarë, mërgimtarë. Europa na do kavie për eksperimentet e kthimit të kombit në shoqëri multietnike, për hyzmeqarë të kontrabandës e të prostitucionit që bën vet, për fillestarë të veprimtarive mafizoe që i komandon vetë.

Prodi ishte i sinqertë kur la të kuptohet qasrtë se dita e intergrimit të Shqipërisë në Europë është e largët, se përshumë vite do tëbëhet fjalë për “shoqërizim”, për ”motërzim”, për n jë afrim më të madh se tani me Europën. Por edhe sikur Prodi të na pranonte në Bashkimin Europian qysh në pritjen që u dha për të në Pallatin e Brigadave, përsëri Europë e zhvilluar ne nuk bëhemi dot shpjet. Për gjërat tjera jemi Europë e shkuar Europës. Na mungon vetëm ajo dreq lëvizje e lirë pa viza që të ikim nga Shqipëria dhe të lëmë sa më shumë vend për kinezët që duan të vinë këtu. Prandaj kot të merremi me pallavrat e integrimit. Le të merren Nano e Berisha me këto punë, meqenëse nuk kanë punë dhe nuk dinë të bëjnë tjetër punë.

02.02.2003  z.Abdi Baleta

Përgatiti Stafi Gazeta Rimëkëmbja