cameriaNga Alma Mile:

“Isha 12 vjeç kur erdhën këta katilë të pashpirt. Ndo-nëse isha një vajzë e vogël, ndërrova edhe emrin tim, duke u quajtur Leni. Kështu me këtë emër kisha mundësi të dilja jashtë e të shikoja të vrarët andej dhe këtej. Ditën e premte pashë Abaz Llaçon që e shpinte Shuaip Metja për të marrë hua, por jashtë shtëpisë e therën me thikë dhe e vranë me dyfekë. Më tmerroi britma e tij dhe një llahtari më zuri, kur dëgjova fjalën e tij të fundit: “Oh nënë!”. Kështu kujton Zajo Tafil Haxhiu për masakrat ushtarëve të Napoleon Zervës mbi popullsinë çame, në vitin 1944.
“Masakra në Çamëri”, titullohet libri, botim i shtëpisë botuese “55″, i cili sapo ka dalë në treg, i cili sjell dëshmi të së mbijetuarve dhe dokumente arkivore mbi masakrën çame në vitet 1944-1945. Duke shfrytëzuar arkivat e Ministrisë së Brendshme, të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe të Arkivit Qendror të Shtetit, autori Kastriot Dervishi na jep një përmbledhje prej 235 faqesh, të atyre materialeve, që na e japin qartazi se çfarë ka ndodhur në Çamëri. Ndonëse autori ofron informacion të përgjithshëm mbi krahinën e Çamërisë, pretendimet greke dhe fillimet e përndjekjeve në këtë krahinë, në faqet e këtij libri flitet kryesisht për ngjarjet e viteve ‘44-’45. Ishin vitet kur kulmoi përndjekja ndaj popullsisë çame, me qindra vrasje dhe shpërnguljen me dhunë të popullsisë. Autori anashkalon çdo lloj komenti në lidhje me këto materiale, duke e lënë lexuesin të dalë vetë në përfundime. Për të futur lexuesin në një rrjedhë normale të leximit, libri hapet me disa informacione enciklopedike rreth Çamërisë, të marra nga Fondi nr.200 (Instituti i Studimeve Shqiptare) i Arkivit Qendror të Shtetit. Në të ofrohet një informacion mbi vendndodhjen gjeografike, etimologjinë e emrit Çamëri dhe ngjarjet më kryesore që lidhen me këtë krahinë, që nga islamizimi, sundimi nga Ali Pashë Tepelena, përfshirja në pretendimet e “Megalo Idesë”, mbetja jashtë kufirit shqiptar, etj. më tej vijojnë pjesë studimesh nga autorë të ndryshëm për Çamërinë, duke përfshirë këtu pjesë nga Enciklopedia e Sami Frashërit, apo mendime të Lord Bajronit. E më tej vijojnë dokumente nga arkivat shqiptare që dëshmojnë për masakrat në Çamëri, duke nisur me vrasjet e para në qytetin e Paramithisë në 27 qershor 1944, për të vijuar me Filatin në muajin gusht e për të vijuar me kalvarin e emigrimit drejt Shqipërisë, ku shumë të mbijetuar vdiqën gjatë rrugës nga uria, të ftohtët e sëmundjet. “Sot populli çam paraqet një numër prej afro 18 mijë vetë. Pra një e pesta humbi nga masakrimet dhe vdekjet që u ndoqën në emigrim”, – shkruhet në dokumentet e Ministrisë së Brendshme. Me t’u vendosur në Shqipëri, e cila e sapodalë nga Lufta Antifashiste po kalonte një periudhë të vështirë ekonomike, përfaqësues të popullsisë çame nisën njëra pas tjetrës memorandume e letra drejtuar organizmave të huaja, si Konferencës së Ministrave të Jashtëm Aleatë në Londër, Asamblesë së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, Sekretarit të Shtetit në Uashington DC, etj, ku kërkojnë riatdhesimin sa më të shpejtë, shpërblimin për humbjet, gëzimin e të gjitha të drejtave demokratike, si dhe gjykimin dhe dënimin e të gjithë përgjegjësve të kësaj ngjarjeje të dhimbshme. Por nuk mungojnë edhe raportet e pushtetit popullor shqiptar mbi gjendjen e popullsisë çame, që me gjithë fatkeqësinë e kësaj të fundit, nuk e shihnin dot jashtë ngjyrimeve politike. “Përsa i takon gjendjes politike mund të themi se ndër ta është bërë fare pak punë politike. Ata kanë kuptuar deri diku vijën e drejtë të Frontit tonë Popullor, por nuk janë në gjendje të rezistojnë para korrupsionit që mund të bien nga njëri çast në tjetrin. Koshienca revolucionare i mungon krejt. Janë shumë të shtypur.

Tani në kohët e fundit klika e vjetër tradhtare ka lëshuar një shumicë parullash si p.sh: “Kur s’na mban dot Shqipëria le të na dërgojë në Turqi…” porsa i takon ngjarjeve të brendshme politike ata thonë, që çdo gjë është në interes të popullit, por neve nuk po shikojmë gjë. Simpatizojnë shumë Turqinë dhe e quajnë si një fuqi të madhe, ndërsa për bashkimin Sovjetik nuk kanë ndonjë simpati. Flasin mirë sidomos për amerikanët”. Kjo është një pjesë nga raportimet e kohës. Ndërsa në një procesverbal të mbledhjes së Byrosë Politike të PPSH-së në 25 mars të 1949 flitet për pastrimin e popullsisë çame nga elementi reaksionar. Në fjalën e vet Mehmet Shehu thotë se nuk e kanë nën kontroll masën çame dhe se është e nevojshme dërgimi mes tyre i njerëzve të partisë. “Këtu kuptohet se sa larg është partia jonë nga këto masa. E rëndësishme është të veprohet me këta armiq të reaksionit, pastaj të shihet cilët janë ata elementë anëtarë partie, që i kanë trajtuar kështu të dërguarit tanë. Këta të përjashtohen nga partia dhe të dërgohen në kamp”, – thotë Shehu. Më tej, gati gjysma e librit ofron dëshmi rrëqethëse të së mbijetuarve, që kanë parë me sytë e tyre t’u vriten të afërmit. Dëshmi për vrasje masive nëpër xhami, brenda shtëpive dhe përdhunime të grave dhe vajzave. Libri ofron statistika të së vrarëve, grabitjeve, dëmeve, si dhe lista e të gjithë fshatrave në krahinën çame, sipas përbërjes etnike.

Libri

“Masakra mbi Çamërinë”- dëshmitë e të mbijetuarve dhe përmbledhje dokumentesh arkivore. Një libër i përgatitur nga Kastriot Dervishi dhe botim i shtëpisë botuese “55″. Në 235 faqet e tij ofron një material të ngjeshur dokumentar, nxjerrë nga arkivat e Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Arkivit Qendror të Shtetit. Libri nis me një informacion të përgjithshëm mbi Çamërinë dhe ngjarjet më të mëdha historike që lidhen me këtë krahinë. Më tej vijojnë raporte, dëshmi dhe statistika.

Dëshmia e një të mbijetuari

I nënshkruari Dervish Sulo nga Spatari i Çamërisë deklaroj sa vijon mbi masakrat, që bandat zerviste kryen kundër popullsisë çame në katundin tim Spatar. Në shtatorin e 1944 çetat zerviste të komanduara nga kolonel Kranja, etj., rrethuan nga të gjitha anët Spatarin. Të premten pas dreke në orën 11:00 allaturka zervistët hynë në katund. Në mëngjesin e ditës tjetër grumbulluan të gjithë popullin tej xhamia e fshatit, nga ana tjetër ushtarët filluan të grabisin e të çnderojnë gratë, vajzat e plakat. P.C 50 vjeçe mbasi e çnderuan dhe i morën paratë, i prenë flokët, veshët, e vranë në bahçen e saj, tek guri i Muçes. Në shtëpinë time qe familja e Sako Banushit nga Skopiana. Mbasi çnderuan gratë, i shpuan me thikë dhe në fund i vranë. Burrat që i kishin mbledhur në xhami, i shpunë në shtëpinë e Kocanit në Filat, ku i vranë në një gropë në fushën e Filatit…

Burimi : Arkiva e Shtetit