nga Emirjon Senja :

Një ditë më parë, Presidenti i një shteti fqinj si Maqedonia, George Ivanov, kreu një vizitë simbolike në vendin tonë duke u pritur nga homologu i tij, Bamir Topi. I gjendur nën stuhinë kritikave dhe nën ndjenjën e “fajit” nga …

… mosftesa e Presidentit të Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu në ditën e inaugurimit të tij, dhe pas injorimit të drejtë që ky i fundit i bëri kërkesës për një takim të organizuar jo ashtu siç i ka hije një burri shteti, presidenti i radhës së një republike fqinje erdhi për të larë “mëkatet” ndaj Shqiptarëve të Maqedonisë, pikërisht në “Jerusalemin” e tyre dhe presidenti ynë u bë meshtari i radhës në këtë rit.

Ashtu si dhe, Kryeministri grek, Kostas Karamnlis kreu një vizitë të konsideruar të suksesshme në Shqipëri, me shume marrëveshje të firmosura në favor të shtetit të tij, zhvilluar në kulmin e protestave anti-qeveritare në të gjithë Greqinë, edhe Gjorgje Ivanov përdori politikanët e Shqipërisë, për t’iu mbyllur gojën shqiptarëve të Kosovës dhe të Maqedonisë.

“Të dy personalitetet e larta vlerësuan nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve dypalëshe mes dy vendeve tona duke shprehur vullnetin politik për intensifikimin e tyre të mëtejshëm në të gjitha fushat si dhe angazhimi i përbashkët në interes të proceseve rajonale të integrimit euroatlantik”, citohet në faqen zyrtare të presidencës.

Madje shtohet se, Presidenti ynë e konsideroi të domosdoshme përfshirjen edhe të Kosovës në tavolina. Angazhimi i Shqipërisë për të afirmuar Republikën e Kosovës në rajon edhe më gjerë, nuk shkon më tej se këto thirrje, të cilat pa veprime konkrete duken tejet bajate dhe formale. Një “shtrëngim rripi” ndaj politikanëve të një vendi adoleshent, do të bënte që këta të fundit të mateshin mirë kur të injoronin Presidentin e shtetit të dytë shqiptar në rajon.

Vizita e Ivanovit në Shqipëri, jep një mesazh të qartë për të gjithë spektrin shqiptar, që edhe pse një shtet “buzëqumësht”, Maqedonia di të lëvizë shumë mirë ne arenën e politikës së rajonit. Politikanët e vendeve fqinjë mbajnë peng plotësimin e të drejtave dhe kërkesave të shqiptarëve në vendet respektive, duke u bërë të ditur nëpërmjet vizitave të tilla, se politikanët e “nënës Shqipëri”, nën ombrellën e bashkëpunimit rajonal, i cili është një term i dalë bojë në kushtet e një nacionalizmi të pashembullt të treguar ndaj tyre, nuk është se e çajnë kokën për ju, vetëm e vetëm që të shiten si faktor stabiliteti në sytë e perëndimorëve.

Presidenti Topi i dha edhe njëherë dorën një politikani të një partie e cila njihet për qëndrimin e saj ndaj shqiptarëve duke e rehabilituar atë, pavarësisht se ky i fundit e nisi presidentllëkun me gafa të pafalshme. Ashtu siç bën Greqia me ne, ku në një farë mënyre marrëdhëniet dypalëshe i kushtëzon me plotësimin e kërkesave të minoritetit grek në Shqipëri, edhe politika jonë, duke lënë mënjanë servilizmin duhet të tregojë karakter duke u bërë të ditur, politikanëve të një shteti te stisur ne kancelaritë evropiane se, mbajtja e marrëdhënieve të mira me shqiptarët, është mese e domosdoshme në kushtet kur në arenën ndërkombëtare kontestohet nga një vend i Bashkimit Evropian.

Presidenti i vendit tonë, me pritjen që i bëri Ivanovit, shumëzoi me zero injorimin që Fatmir Sejdiu i beri ftesës së palës maqedonase për të zhvilluar një vizitë në Maqedoni, e cila nga vendasit u konsiderua si për të kaluar radhën. A thua, të luajturit të faktorit stabilizues përpara perëndimorëve, është më e rëndësishme se çështja kombëtare?

Ivanovi erdhi për të larë “gjynahet në Shqipëri” dhe iku i lare, duke i mbyllur gojën atyre që ngritën zërin për sjelljen jo të hijshme ndaj një presidenti të një shteti si Republika e Kosovës. Edhe këtë herë ne, u bëmë lavatriçja e mëkateve të politikanëve të një shteti ende adoleshent. (start)