pavarotti-e-pirguI cilësuar nga shtypi botëror « Pavaroti i Ri », tenori i famshëm shqiptar Saimir Pirgu triumfon në krah të Placido Domingos në Paris.

Mbrëmë, në Teatrin “Châtelet” të Parisit, u prit me sukses të jashtëzakonshë m premiera e operës « Cyrano de Bergerac », komedi heroike me 4 akte e kompozitorit italian Franco Alfano, me libret të Henri Cain, mbështetur në kryeveprën e letërsisë franceze me të njëjtin titull të shkrimtarit Edmond Rostand.

Në këtë prodhim të ri artistik, i ftuar special ishte Placido Domingo, i cili këndoi krah për krah me tenorin shqiptar, më të riun e njëkohësisht, më të suksesshmin midis emrave të mëdhenj të lirikës: Saimir Pirgun.

Në Shqipëri, emri i kompozitorit italian të shekullit XX si dhe vepra e tij “Cyrano de Bergerac” janë shumë pak të dëgjuar. Franco Alfano, fillimisht është bërë i njohur duke përfunduar operën “Turandot” të Puçinit, pas vdekjes së këtij të fundit. Por me vënien në skenë për here të parë të “Cyrano de Bergerac” në 1936 në teatrin e Komedisë Franceze, ky kompozitor u dallua për pasurinë e mjeteve shprehëse të partiturës orkestrale, e cila e tejkaloi edhe atë të Puçinit, duke iu afruar më pranë stilit të kompozitorëve gjermanë. Fatkeqësisht, për një kohë të gjatë “Cyrano de Bergerac” mbeti në harresë, deri sa në vitin 2003 u interpretua nga tenori Roberto Alanja. Regjistrimi i kësaj vepre në vitin 2005 e ngriti emrin e kompozitorit në rangun e parë të krijuesve operistikë, duke e shkëputur më në fund nga vëndi i dytë që e lidhte gjithnjë me emrin e Puçinit.

Por premiera e natës së kaluar i dha operës së Alfanos vlera të reja, duke e kthyer këtë çfaqe në një eveniment artistik të jetës pariziane. Me regji të Petrika Ionesco-s, (i njohur edhe si specialiste i “grands shows”) e nën drejtimin muzikor të Patrick Fournillier, interpretimi i mrekullueshëm i dy tenorëve, 68-vjeçarit Placido Domingo (në rolin e Cyranos) dhe 28 vjeçarit Saimir Pirgu (në rolin e Christian-it) , e pushtoi skenën me sharmin e tyre artistik, duke nxjerrë në pah temperamentin dhe zërin e ngrohtë të Domingos ndërthurur me ëmbëlsinë dhe zërin brilant të Pirgut.

Në krah të tyre debutuoi me mjeshtëri edhe sopranoja Nathalie Manfrino (në rolin e Roxane-s), laureate e shumë konkurese ndërkombëtare si ai i Mjeshtrërve të Kantos Franceze në 1999, i konkursit ndërkombëtar të Toulouse-s më 2000, i konkursit “Ernest Chausson” dhe “Placido Domongo Operalia” në Washington më 2002, i konkursit të Zërave të Rinj dhe së fundi, më 2006, e zgjedhur si “Zbulimi i Vitit midis artistëve lirikë”.

Po ashtu, duhen përmëndur edhe dy zërat mjaft të njohur për publikun parizian, Doris Lamprecht dhe Laurent Alvaro.

Saimir Pirgu mund të quhet tashmë “ambassadori më i suksesshëm në botë” i Shqipërisë. Në 7 shkurt 2009, ai u duartrokit me ovacione rreth 20 minuta në skenën e Tonhalle-s së St.Gallenit në Zvicër, ku morri pjesë në koncertin humanitar “Das Beste aus Oper und ballet”, kushtuar fëmijëve shqiptarë në nevojë. Pas triumfit të dy muajve më parë me “Traviatën” në operën e Lozanës dhe “Rigoleton” në operën e Zyrihut, pjesëmarrja e Saimir Pirgut në këtë koncert bamirësie, i dha një rëndësi të veçantë këtij evenimenti përpara publikut zviceran. E tenori i ri shqiptar erdhi të marrë pjesë në këtë koncert me modestinë më të madhe, vetëm një ditë përpara recitalit më të rëndësishëm të jetës së tij në Ankona, më 8 shkurt 2009, ku ai do të ishte laureat i çmimit ndërkombëtar “Franco Corelli”. Ky xhest qytetarie i dha edhe një tjetër çmim më të lartë këtij artisti të përmasave të mëdha, i cili e vuri humanizmin e tij në plan të parë. Që prej asaj dite, ai është një nga emrat më të dashur për publikut zviceran, që e ndjek me shumë interes suksesin e Saimir Pirgut në skenat ndërkombëtare.

Ke kënduar nën drejtimin e bagetës së Abbado-s që në moshën 22 vjeçare e deri përpara disa javësh, pas suksesin të madh që pate me “Requiem”-in e Mozartit. Sigurisht, kjo është një rekord në jetën e një tenori. Çfarë kujton nga bashkëpunimi i pare me të?


“Abbado ka shum miq të besuar që e këshillojnë për këngëtarët që do te dëgjojë nëpër audicione. Dikush i foli për mua e ai kërkoi të më dëgjojë. Mbrrita një orë me vonesë për faj të aeroplanit dhe kur nisa të këndoj, ma ndërpreu arien përgjysëm. Më tha se kisha një zë të bukur dhe se isha i përshtatshëm për të interpretuar personazhin e kavalierit shqiptar. Atëherë, as që e imagjinoja se si mund të ishte Abbado, por as që e kisha ëndërruar ndonjëherë se mund ta nisja karrierën pikërisht me të. Më përpara kisha punuar me dirigjentë të tjerë, por nuk ishte e njëjta gjë. Claudio Abbado e dinte që banoja në Bolzano e që kisha fituar konkursin “Caruso” në Milano dhe “Tito Schipa” në Lecce. Po ashtu, zëri im e kishte bërë të besonte tek unë. Kështu, ai pati durimin të më mësonte. Ishte parashikues e besoi tek unë, ashtu si edhe Alberto Zedda në Pesaro. Megjithatë, edhe pas këtyre sukseseve, jam i bindur se më duhet ende kohë dhe shumë punë për të arritur pjekurinë time artistike.”

Kjo do të thotë që duhet të studiosh ende shumë?


“Unë nuk punoj me orë të zgjatura me zërin, mbasi më duhet edhe të shplodhem. Pas një çfaqeje, që shpesh vazhdon me një festë, ditën e nesërme më duhet të fle shumë. Për ata që këndojnë opera do të thotë të njohin shkencën e të qënit muzikant, të njohin akustikën, teknikën e përdorimit të zërit, cilësinë e tingullit. Por duhet të njohin edhe higjenën e punes, pra duhet të dijnë që zëri duhet të shplodhet, mbasi kordat vokale janë si muskujt. Mbas një çfaqeje është e nevojshme të heshtësh por edhe ta zbresësh nivelin e adrenalines së trupit. E njëjta gjë që ndodh edhe me një futbollist”.

Çfarë diference është midis të kënduarit të një opera lirike dhe një koncerti me arie operash? Në recitalin e 8 shkurtit 2009 në Ankona, pas marrjes së çmimit “Corelli”, ju jeni kthyer edhe katër herë të tjera në skenë me kërkesë të publikut. Në mos gaboj, në repertorin e asaj mbrëmje ishte programi më i njohur operistik, duke filluar nga “Per la gloria di adorarvi”, “Un’aura amorosa”, “Fuor dal mar” ,“Una furtiva lagrima”, “Ella mi fu rapita”, “Parmi veder le lagrime”, “Pourquoi me réveiller”, “La mia letizia infondere”, “È la solita storia del pastore”, etj.

“Është e vërtetë. Nuk ka dyshim që është shumë më e vështirë të këndosh në një concert se sa të luash një rol në opera. Mbasi janë ariet ato që përbëjnë momentet më të rëndësishme e më kulminante të një opere, që kërkojnë impenjimin më të madh të solistit. Në një opera, emocionet shpërndahen gjatë tërë veprës, në një kohë që në një recital, pjesa e vështirë është gjatë gjithë kohës e koncentruar. Tek çdo arie ka një raport të ngushtë midis rrezikut dhe sadisfaksionit. Në një koncert të tillë si ky që përmëndët më lart, duhet të zgjedhësh arie që nga Mozarti e Donizetti, për të kaluar më pas tek Verdi e te Puccini. E të gjithë këta kompozitorë kanë një stil të veçantë e po ashtu edhe një teknikë të përdorimit të vokalit me diferencë nga njëri-tjetri. Edhe pse teknika vokale nuk ka ndryshuar që nga fillimet e shekullit të 19 e deri më sot, mund të them se sot është krijuar një mënyrë tjetër për ta dëgjuar e pëlqyer atë.
Pra, ashtu si stilet, evolojnë edhe shiket e dëgjuesve.”

Duke mbrritur këtë sukses të jashtëzakonshë m në një moshë kaq të re, çfarë ju ka mbetur në kujtesë nga hapat e parë ? A ju duan të gjithë, apo ka edhe nga ata që ju kanë zili për këtë karrierë marramendëse?


“Mbas vajtjes time në Itali në vitin 2001, jo më shumë se pas një viti nisa të fitoj konkurset e para. Vitin e pare kam nisur të punoj si pjatalarës në një restorant, në mënyrë që të vazhdoja studimet e të siguroja mjetet e jetesës. Ambjenti muzikor i qytetit të Bolzanos më ndihmoi shumë, por atij që i detyrohem më së shumti për karrierën e deritanishme, është profesori im, Vito Maria Brunetti. Është pikërisht ai që më dha bazën e drejtë të teknikës vokale dhe më mësoi artin e vërtetë të të kënduarit. Ka shumë nga ata që ende s’e besojnë suksesin tim në një moshë kaq të re. Por ka edhe shumë nga ata që më shkruajnë vazhdimisht, më urojnë, më shfaqin admirimin apo komentojnë sukseset e mia. Ka mjaft që më ndjekin nëpër shfaqe të ndryshme e kërkojnë të dinë më shumë për programin tim në të ardhmen. E më vjen mirë që një pjesë e madhe e këyre “fansave”, nëse mund t’i quaj kështu, janë shqiptarë. Por qëllon edhe ndonjë prej tyre, tek-tuk, që në mënyrë anonime hedh baltë mbi këto suksese. Gjëra të tilla nuk më shqetësojnë, mbasi karriera e artistit i njeh edhe këto dallgë. E rëndësishme është që prapa këtyre komenteve denigruese të mos fshihet emri i ndonjë artisti tjetër, pasi ndjenja të tilla do ta pengonin të ecte përpara. “

Në një nga shkrimet për ju jashtë Shqipërisë ju kanë cilësur si pasardhësin e Pavarotit të madh. Çfarë mendoni për këtë afirmim tuajin?


“Shpesh herë mediat e teprojnë me të tilla gjëra. Por duhet kuptuar se nuk është gjithnjë publiku ai që i jep vlerësimet, por janë shtëpitë diskografike ato që e « shtyjnë » disi karrierën e një të riu si unë për tu quajtur më pas nga të tjerët « një Pavarot i ri ». Unë e quaj të gabueshme të kërkosh gjithmonë t’i veshësh dikujt petkun e trashëgimisë së një këngëtari të famshëm. Kjo gjë lidhet vetëm me talentin. Por njerëzit, në fakt, ndiejnë nevojën gjithnjë të të identifikojnë me një leader. Publiku i rrit kërkesat dita-ditës e kështu, shpesh kushtëzohemi nga faktorë estetikë dhe jo kulturorë edhe në botën e lirikës”.

Edhe një pyetje të fundit për lexuesin shqiptar. A është i dashuruar Saimir Pirgu ?

“Kuptimi i kësaj pyetje mund të interpretohet shumë gjërë dhe unë mendoj se një artist nuk mund të konceptohet i tillë pa qënë i dashuruar, përjetësisht i dashuruar. Ndjenja e së bukurës tek ai është shumëdimensionale, ashtu si edhe faktorët e shumtë që e lidhin me të.”

Pyetja është, a ka nje vajzë në jetën e Saimir Pirgut?

“Ju doni që unë të dal në emra të përveçëm? Lexuesi tërhiqet gjithnjë nga misteri dhe unë kam ndërmënd t’i respektoj shijet e tij. Mbase një temë e tillë mund të zgjerohej në të ardhmen në një intervistë tjetër, ku të flitej më pak për muzikën e më shumë për jetën private të Saimir Pirgut, e cila nuk do të ndryshonte aspak nga ajo e bashkëmoshatarë ve të tij.”