Nga Olsi Jazexhiu

Akti që rektori i Durrësit, Agim Kukeli ndërmorri këto ditë në Shqipëri, duke persekutuar dhe dëbuar nga shkolla dy besimtarë muslimanë, shumë shqiptarësh i solli ndërmend kohën e Partisë së Punës, kur njerëzit dëboheshin nga puna apo shkolla për shkak të mënyrës së bindjes apo veshjes së tyre. Edhe pse pas vitit 1990, ne shqiptarët që rrëzuam bustin e Enver Hoxhës në Tiranë, u betuam që mes nesh nuk do të ketë më totalitarizëm, duket se viti 2007 do të prodhojë një totalitarizëm të ri në Shqipëri. Personat që po risjellin totalitarizmin në shoqërinë tonë sot, janë po ata që 40 vite më parë, këtij populli i hoqën lirinë për tu veshur, jetuar e besuar sipas normave të Perëndisë. Personat që 40 vite më parë luftuan shfaqjet dhe kulturën e huaj, idetë reaksionare, anadollakët, prapanikët, reaksionarët, kulakët, fetarët dhe e kthyen Shqipërinë në vendin e vetëm ateist të botës, sot nën pretekstin e luftës kundër terrorizmit kanë vënë në shënjestër besimtarët muslimanë, të cilëve duan t’ju mohojnë atë që ju ndaluan edhe 40 vite më parë; lirinë e besimit.

Mesazhe totalitarizmi në këtë fundvit 2006, shoqërisë shqiptare nuk i kanë ardhur vetëm nga rektori i Universitetit të Durrësit, i cili inspirimet e tija për të diskriminuar muslimanët mesa duket i ka marrë nga sekti Bahai që ai frekuenton dhe studimet që amerikanët i mundësuan atij në ’tokën e lirisë’. Përkrah rektorit, në vallen e rivendosjes së totalitarizmit në Shqipëri, prej disa kohësh është rivënë edhe vetë shkrimtari i cili pasi projektoi në letërsinë e realizmit socialist, regjimin më kriminal të Evropës Juglindore, tashmë është vënë në krye të rikonkuistës së totalitarizmit antimusliman dhe kërkon me çdo mjet që të ndajë shqiptarët nga feja dhe kultura e tyre islame.

Totalitarizmi që po rishfaqet sot në Shqipëri nuk po vjen nga Lindja Sovjetike siç erdhi 40 vite më parë. Rrënjët totalitarizmi modern shqiptar, duket se kësaj here i ka në perëndim. Me një popullatë plakë dhe një kristjanizëm në vdekje, perëndimi sot po mundohet me mish e me shpirt të mbijetojë në dominimin e globit siç ka bërë këto 200 vitet e fundit. Por mungesa e burimeve natyrore dhe sfida ekonomike kineze, dhe për më tepër popullata e re dhe aktive që Islami posedon në brigjet mesdhetare të Evropës i shkaktojnë perëndimit kriza dhe nervozizëm. Fundi i luftës së ftohtë që e la perëndimin pa armikun e tij gjysëm shekullor, komunizmin, po stërmundon që prej 15 vitesh qarqet e tij imperialiste për të gjetur një armik të ri. Shumë nga baronët dhe magjistarët e fuqishëm të perëndimit sot kërkojnë që armikun e ri ta projektojnë te sfiduesi mbi 1000 vjeçar i tij, Islami, i cili që nga shfaqja e tij e deri më sot vazhdon të sfidojë ideologjinë dhe teologjinë e qytetërimit pauljano – kristjan me mesazhin triumfalist të Muhamedit.

Ashtu siç Marksi portretizonte në kohën e tij, se Evropës i vërtitej një fantazëm dhe ky ishte komunizmi, sot qarqet raciste në perëndim po kërkojnë që fantazmën komuniste të Marksit ta zëvendësojnë me xhindin e paqenë Islam. Si rrjedhojë, sot në perëndim një seri klikash dhe organizatash fetare dhe jofetare po mobilizohen dhe ndërtojnë një mori strukturash për të survejuar, ndjekur, konvertuar, persekutuar dhe shtypur muslimanët që rrethojnë kontinentin. Këto organizata që kanë shtrirë tentakulat e tyre edhe në Shqipëri, i kanë mbjellë vendit tonë që prej disa vitesh një mori fondacionesh evangjelistësh, mormonësh, bahaish, dëshmimtarësh Jehovai, hari krishnash, adventistësh, peace corps-ash etj që predikojnë dhe blejnë me para natë e ditë shpirtra shqiptarësh për në misionin e tyre global. Këto organizata kanë nga pas mbështetjen e një morie bursash, financimesh dhe projektesh të cilat synojnë të edukojnë, studiojnë dhe konvertojnë shqiptarët në renegadë dhe shërbëtorë në luftën e madhe për dominim që perëndimi kërkon të ndezë me Islamin në këtë shekull të 21. Agim Kukeli që dëboi studentët muslimanë nga universiteti i Durrësit, vetëm pse ata ishin besimtarë muslimanë është një nga produktet e kësaj kryqëzate, e cila racizmin, ksenofobinë dhe inatin e saj e ka drejtuar drejt fesë dhe përkatësisë kulturore të pjesës më të madhe të kombit shqiptar.

Përpjekjet globale që perëndimi po bën sot për të zhdukur Islamin lexohen fare qartë dhe kudo. Duke nisur që me Francën e cila me ligjet diskriminuese të saj, muslimanët i ka mbyllur nëpër geto dhe nuk ju jep asnjë të drejtë integrimi apo përfaqësimi politik, e duke dalë deri në Itali ku shkruesi i këtij shkrimi ndodhet, Evropa sot është kthyer në një kamp të dominuar gjithnjë e më tepër nga histeria që ideologu hebre, Samuel Hantingtoni mbolli dhjetë vite më parë mbi të ardhmen e kontinentit plak. Sot nëpër metrotë e Romës dhe të Parisit, përreth Duomos së Firences dhe rrugëve të Londrës, shihen muslimanë. Fukarenjë dhe të shtypur, shërbëtorë dhe pa të drejta, të bardhë dhe të zinj, ata i japin Evropës shërbimet dhe rininë që ajo nuk ja ofron dot vetes. Por pasuria e diversitetit dhe multikulturalizmi që këta refugjatë i sjellin kontinentit ka nxitur në zhvillimin e një racizmi dhe islamofobie të frikshëm në Evropë.

Ashtu siç nazistët nxitën në vitet 30-të anti-semitizmin, i cili u pasua me ndodhinë kriminale të Holokaustit, edhe në ditët tona, anti-islamizmi është sëmundja që po pushton mendjet e sëmura evropjane dhe që mund të degjenerojë herët apo vonë në krijimin e një holokausti të ri. Urrejtja e perëndimit kundër Islamit sot lexohet sa në fjalimin e Papës Benedikt i cili portretizoi Islamin si fe të dhunës pak javë më parë, te botimi i karikaturave kundër profetit Muhamed në një numër gazetash evropjane, e deri te protesta e ish-ministrit të jashtëm anglez Xhek Strou i cili përpara disa ditësh protestoi kundër ferexhesë që gratë muslimane mbajnë në qytetin e tij.

Racizmi dhe islamofobia në Evropë po merr përmasa të frikshme dhe ’kristallnachtet’ antimuslimane tashmë janë një gjë e përditshme në rrugët e Parisit, Nju Jorkut dhe Milanos. Në Itali, fashistët e Lega Nordit protestuan 2 ditë më parë në Piacenzë të Emilia-Romanjës kundër pjesës operistike “Shark” (Orient), që u drejtua nga kompozitori libanez Markel Kalifé, ndërsa në Francë qeveria Shirak që ndalon me ligj vajzat e veshura sipas modës islame të edukohen, së fundi ka ndaluar edhe burrat me origjinë muslimane që të punojnë në aeroportet e vendit.

Revanshi për të shtypur Islamin dhe muslimanët sot shihet më qartë se kurrë në hipokrizinë e kancelarive perëndimore, të cilat ndërsa disa vite më parë qanin me qepë ’krimet’ që talibanët bënin me gratë në Afganistan, sot sponsorizojnë disa nga regjimet më totalitare të botës islame, siç është rasti i Tunizisë, ku diktatori Zine Abidine Ben Ali terrorizon muslimanët vendas, ndërsa muhabaratët (policia sekrete) e tij rrahin dhe turpërojnë në mes të rrugës gratë që vendosin shami në kokë dhe nuk vishen sipas modës evropjane.

Ashtu si në vitet 30-të kur valët e fashizmit krijuan kuislingët e tyre në Shqipëri, edhe sot mes shqiptarësh tendenca po shfaqen në një seri njerëzish që kërkojnë sa ndalimin me ligj të fesë islame në vend, e deri në diskriminimin e muslimanëve dhe izolimin e tyre total. Ashtu si në vitin 1940 kur Mustafa Kruja mbante fjalime përpara Duçes mbi luftën kristjane të Skënderbeut kundër Islamit dhe hafijet e tij kërkonin për të gjetur hebrej nëpër Shqipëri dhe i bënin presion Komunitetit Musliman, edhe sot presidentët dhe sundimtarët e Shqipërisë ndërsa shkojnë në Londër dhe Uashington tundohen të tregojnë që në Shqipëri nuk ka më muslimanë dhe se edhe ata pak që janë, mbahen nën presion dhe survejim. Revanshi i kuislingëve shqiptarë arriti kulmin e tij këtë javë, kur nga Amerika, Skënder Shkupi, kërkoi që në Shqipëri shteti të ndjeki shembullin e Ataturkut i cili shfarrosi disa

“mijëra hoxhallarë, madje duke i detyruar ata që mbetën të dalin me kapele republike e me kravatë në rrugë, kurse veshjen ceremoniale ta veshin e ta zhveshin në xhami; i detyroi femrat të zbulohen, nxori ligjin që në zyra nuk pranoheshin gra të veshura tradicionalisht por vetëm alla-franga e masa të tjera të shumta drakoniane që… përbëjnë shkelje flagrante të të drejtave të njeriut.“

Klithjet për dhunë kundër muslimanëve nga Skëndër Shkupi, të bashkuara me ofendimet e presidentit Moisiu në Londër, diskriminimi i Agim Kukelit ndaj studentëve muslimanë, fyerjet e Mustafa Nanos dhe Aurel Plasarit nëpër media, ulërimat e Ismail Kadaresë dhe deklaratat për pakësim të muslimanëve nga Rexhep Mejdani pak javë më parë, muslimanëve shqiptarë ju tregojnë se sot, 40 vite pas gjenocidit të 1967-ës, këlyshët e krerëve të ateizmit komunist dhe të fashizmit të Mustafa Krujës janë ende gjallë dhe po përpiqen të ndërtojnë një totalitarizëm të ri në Shqipëri. Edhe pse sot totalitaristët shqiptarë nuk mbështeten më nga zyrat e Traktatit të Varshavës por nga zyrat e NATO-s, ata po bëjnë pikërisht atë që i bën këtij populli 40 vite më parë. Po duan ta sovjetizojnë – ose kristjanizojnë – me pahir çdo pjesë të realitetit shqiptar.

Duke parë islamofobinë që vlon sot në perëndim kundër Islamit, dhe reminishencat e saj në Shqipëri, brezi i ri besimtarëve muslimanë ndjehet i frikësuar dhe pyet nëse edhe ai do të ketë fatin e të parëve tanë, të cilët për 50 vite me radhë u shtypën dhe dhunuan deri në limit nga diktati totalitarist që ju mohoi të drejtën për të qenë muslimanë?