Nga: Mustafa Nano

1200919220-mustafa-nanoNë kohë fushatash elektorale, ngjarjet ndjekin njëra-tjetrën me një shpejtësi shushatëse. E për këtë arsye, mbeten pa u futur në sitën e gazetarëve dhjetëra sosh, të cilat me siguri do ta kishin thëthitur vëmendjen e gazetarëve në kohëra të tjera normale. Ku e kam fjalën? Njëra ka të bëjë me një përgjigje që Ministria e Arsimit i ka dhënë shqetësimit të mass-media-s e të Avokatit të Popullit lidhur me nxjerrjen e dhunshme të fëmijëve nëpër tubime elektorale. Sipas asaj që kemi lexuar, ministrit i është vënë në gojë një shprehje e tillë: pjesëmarrja e nxënësve në përurimin e shkollave të meremetuara është një gjë që ka vlera edukuese për ta e që i bën mirë shëndetit mendor të tyre.

Kjo shprehje lë të kuptohet se fëmijët janë thirrur veç për të marrë pjesë në përurime shkollash të reja apo shkollash të rindërtuara. Po ja, ta zëmë se është kështu; ta zëmë pra se fëmijët janë detyruar ta lënë shkollën thjesht për të marrë pjesë në një festë të tillë. Unë fillimisht u vura në mendime një copë herë për të gjetur arsye te pohimi i ministrit; nisa pra të jetoja pakëz seriozisht me situatën e një përurimi festiv të një shkolle, dhe me përjetimet që mund të kishin fëmijët e shkollës teksa merrnin pjesë në një festë të tillë. Por nuk më kapte truri as një vlerë edukuese; aq më pak më kapte truri se si një miting politiko-elektoral mund t‘i bëjë mirë shëndetit mendor të nxënësve. Po të ish kështu, Fatos Beja nuk do të ishte sot një i prishur mendsh; përkundrazi, përderisa ka marrë pjesë në veprimtari të kësaj natyre të organizuara në kohë të komunizmit (dhe atëmot kanë qenë të shumta e plot bujë), do të ish një njeri me shëndet mendor të plotë.

Dhe sa më sipër, vlen për situatën, në të cilën kemi një prerje shiriti e një fjalim përshëndetës me fjalë e fraza të zgjedhura me kujdes prej mysafirit nga Tirana. Mirëpo puna në të tilla tubime shkon shumë më tej. Mysafirët nga qendra (të cilët zakonisht e kanë emrin Topalli apo Berisha), nuk janë aty në rolin e dinjitarëve shtetërorë, të cilët kanë respekt për ligjet, rregullat, institucionet etj., etj. Ata janë aty në rolin e pjesëmarrësve në një garë elektorale. Ata janë aty me kostumin e partizanit. Ata janë aty për të përcjellë mesazhe të pastra politike. Ata janë aty për të sharë mbarë e mbrapsht kundërshtarët e tyre politikë. E në këto rrethana, sikur të isha një prind i një fëmije të vogël, do t‘i jepja të drejtë vetes të ngrija zërin në kupë të qiellit: more kopukë, por si guxoni ju që djalin/vajzën time, të cilin/cilën unë e çoj në shkollë për të nxënë dije, ta bombardoni me breshëri broçkullash politike?

Por ka edhe më, gjë që ministrin Beja e nxjerr në dritë edhe si mashtrues njëzetqindarkësh. Fëmijët janë hequr nga shkolla, jo për të marrë pjesë në përurimin e shkollës së tyre apo të një shkolle të qytetit të tyre, por për të pritur nëpër rrugë e sheshe njerëzit e pushtetit, e për të krijuar kështu idenë e një dashurie të madhe popullore për këta njerëz. Ky është një veprim i poshtër. Shumë i poshtër.

***

Ju ftoj të rilexoni një lajm tjetër të këtyre ditëve, me të cilin nuk është marrë askush (po e riprodhoj në mënyrë tekstuale nga “Gazeta Shqiptare” e datës 29 maj 2009): “Gazetari i njohur Bruno Vespa u takua dje me Kryeministrin Berisha, i cili shtroi dhe një drekë për nder të tij. Po kështu, Vespa u takua me Kryeparlamentaren, Kryetarin e Bashkisë së Tiranës dhe Presidentin e Republikës. Kryeministri Berisha theksoi në takimin me Vespa-n, se e cilësonte një ogur mjaft të mirë që ai e fillonte fushatën elektorale me këtë takim, me një personalitet kaq të njohur të gazetarisë italiane dhe evropiane”.

O Zot, sa turp që provoj teksa shoh dinjitarët më të lartë të shtetit tim të presin me pompa e me berihaj një gazetar dosido të përtej Adriatikut. Dhe përcaktorin “dosido” nuk jam duke e përdorur në mënyrë fyese. Po e përdor thjesht për të theksuar një të vërtetë: Bruno Vespa është një gazetar dosido i Italisë fqinje. Fytyrën e ka shumë të njohur dhe emrin e ka shumë të përhapur, por kjo nuk vjen prej zotësive e prej talenteve të tij të veçanta gazetareske; vjen prej faktit që ai moderon një talk-show pothuaj të përditshëm në kanalin kryesor të rrjetit televiziv publik (RAI UNO). Ai bën dhe libra (bën gati dy libra në vit). Janë libra të thjeshtë, që lidhen me kronikën politike italiane, të shkruara pa stil e të dalluara prej një narracioni monoton (për ta bërë të qartë idenë time, më duhet të them, se narracioni në librat e grafomanit tonë Enver Hoxha është ku e ku më i stilizuar se sa narracioni i Bruno Vespa-s). E shumta që mund të thuhet për të është se ai moderon talk-show-n më të rëndësishëm të televizioneve italiane. Dhe e moderon mirë. Por kaq.

E në këtë kuptim, duhet të jesh hajvan që të ngatërrosh personalitetet e gazetarisë me një div televiziv. Vespa vetë, duke qenë se është inteligjent, me siguri ka qeshur me vete, kur ka dëgjuar Kryeministrin tonë ta shpallë një personalitet të gazetarisë italiane e me siguri duhet t‘i ketë ardhur shumë zor kur ka dëgjuar të njëjtin njeri ta shpallë si personalitet të gazetarisë evropiane. E dini se cilët janë personalitetet e gazetarisë italiane? Janë ata, të cilëve Bruno Vespa vetë u përkulet gjithë ditën e ditës; janë ata, të cilët, po të ndodhte të priteshin kështu siç u prit Vespa (me pompë të madhe shtetërore) në një vend që aspiron të anëtarësohet në Evropë, do t‘u vinte keq për veten e do t‘u vinte për të vjellë prej mikpritësve.

Për motive të ndryshme, edhe mua më erdhi keq për veten përballë kësaj ngjarjeje. Por për të vjellë, nuk volla. Dhe këtë fakt të fundit nuk di pse e marr si një ogur të mirë. Ndoshta Sali Berisha do të na e marrë të keqen këtë herë. Tok me broçkullat që lëshon e me të pabërat që bën.