berisha berat polloNga qyteti 2400-vjeçar i Beratit shefi i qeverisë Berisha, ka shpallur kryeprojektin e mandatit të tij të dytë, atë të Boshtit të Jugut, më i madhi në infrastrukturë i parashikuar për katër vitet e ardhshme. Me këtë premtim, kryeminsitri Berisha i është drejtuar qytetarëve beratas, gjatë hapjes së fushatës elektorale në këtë qytet.
Berisha “Ne takohemi sot, në këtë shesh, më krenar se asnjëherë më parë, krenarë sepse këto katër vite Beratin ia dolëm ta bëjmë të njohur në mbarë botën si trashëgimi, pasuri e madhe kulturore e njerëzimit. Merita është e juaja. Ju e sollët Beratin në shekuj e mijëvjeçar dhe ai u shpall një nga 200 qytetet më të pasura kulture të rruzullit tokësor. Unë jam sot para jush për të shpallur projektin tim për Beratin, për Shqipërinë evropiane, në katër vitet që vijnë. Ndaj jam sot, këtu, për t’u zotuar para jush se projekti i të gjitha projekteve infrastrukturore në katër viteve që vijnë është boshti i jugut. Në shekuj e mijëvjeçarë ju keni qenë kryeqendër e kësaj zone dhe në vitet që vijnë ju do të jeni një metropol i fuqishëm që lidhet me rrugë ultramoderne, me Tiranën, Sarandën dhe mbarë botën. Boshti i jugut është kryeprojekti i katër viteve që vijnë. Unë jam këtu për t’u zotuar se në këtë rreth vend do të asfaltojmë çdo rrugë për ju, kudo që ndodheni, nga Tomori në Shpirag dhe në të gjitha zonat e tjera.”
Kryeministri Berisha bëri dhe një bilanc të projekteve të realizuara në këto katër vjet, ku u ndal veçanërisht tek rritja e pagave e pensioneve, si dhe hapja e 80 mijë vendeve të reja pune. Për shefin e qeverisë këto mbeten sërish angazhime edhe në axhendën e pas 28 qeshorit.

Berisha “Në katër vitet që vijnë, Shqipëria ka krijuar të gjitha potencialet edhe për 160 mijë vende të reja pune. Më datën 8 qershor, ne inaugurojmë fillimin e punimeve të veprës energjetike më të madhe ujore në Europë, kaskadën e Devollit dhe përgatitemi për kaskadën e Osumit, të Vjosës dhe qindra hidrocentraleve në vend. Por ky është vetëm njëri front i punësimit. Parqet industriale dhe nxitja e biznesit është dhe do të mbetet drejtimi ynë themelor. standard europian do të thotë që ju të paguheni si paguhen qytetarët në vendet europiane. Unë kërkoj mirëkuptimin tuaj dhe nuk mund të them se në katër vite, ne do të arrijmë të paguhemi si në Gjermani, Francë apo Britani, por unë ju jap fjalën se në katër vite, në këtë garë që kemi nisur, ne do të parakalojmë jo vetëm dy, por 6 vende anëtare të BE-së për pagat dhe pensionet.”

Kryemisniri u ndal tek ai që prej disa ditësh e ka cilësuar shqetësimi i biznesit të vogël ndaj taksave të vendosura nga drejtuesit e pushtetit vendor.
“Unë ju bëj thirrje qeveritarëve vendorë në mbarë Shqipërinë të mbajnë larg duart nga biznesi i vogël, të mos e taksojnë atë. Për çdo nevojë të vijnë në qeveri. Qeveria, pa asnjë dallim partiak, do të financojë çdo projekt që ata do të hartojnë për të ndryshuar gjendjen e banorëve në qytetet e tyre. Për biznesin, forcën motore të vendit, asnjë qindarkë mbi 10 përqindëshin. 10 përqindëshi është taksa e të gjitha kohërave, të dhjetat është e librave të shenjtë, të dhjetat do të jetë taksa e të gjithë shqiptarëve.”
Po kështu, kreu i qeverisë foli edhe për procesin e pajisjes së shtetasve me karta identitteti. Duke i ftuar qytetarët Beratas që t’i tërheqin ato, Berisha tha i bindur se në 28 qershor do të përsëritet fitorja historike sië dhe e cilësoi ai atë të Partisë Demokratike në vitin 1992.
Berisha “ Unë sot, kam një thirrje vëllazërore për çdo qytetar dhe qytetare të këtij qyteti, pavarësisht nga bindjet politike, të shkoni e të merrni letërnjoftimet e reja, pasi ato janë dëshmitë më modernë të identitetit tuaj. Ju me ato barazoheni me çdo qytetar të kontinentit, që ka sot dëshminë e identiteti më të avancuar. I merrni ato të shkoni në votime, sepse ne do t’i bëjmë këto votime festën më të madhe të demokracisë shqiptare, do të kthejmë lavdinë elektorale të vitit ’92. “
Nga Berati kreu i qeverisë ka shigjetuar sërish shefin e opozitës, duke e ftuar këtë të fundit të lerë postin e kryebashkiakut dhe të vihet në krye të listës së deputetëve socialistë, duke i lënë një afat prej 5 ditësh për të ndryshuar ligjin që t’i japë atij mundësinë të kandidojë.
Berisha “Zemërthyer për çdo sukses të këtij vendit, këtij kombi dhe këtyre qytetarëve është Edi Rama, pasi nuk i bëri asnjë thirrje qytetarëve që të merrnin letërnjoftimet. Por bëri aktin tjetër më të turpshëm në historinë e pluralizmit europian dhe botëror, nuk vuri veten në krye të listës për t’i prirë partisë së tij në garën elektorale, vetëm e vetëm se e ka të sigurt disfatën. Por dinjiteti i burrit, i qytetarit kërkon betejë dhe jo kapitullim. Ata që kapitullojnë nuk kanë të ardhme në politikë, ndaj dhe i them zotit Rama se po të jap shansin e fundit, ke edhe 5 ditë afat, mblidh forcën dhe kurajën dhe u dil në krye socialistëve, sepse aty të duan ata, në qoftë se ndihesh kryetar i tyre. Do të mbledh parlamentin, do të ndryshoj ligjin, do të jap të drejtë të regjistrohesh qoftë edhe si kryetar bashkie. Dil mos turpëro vendin. Dil mos turpëro partinë tënde.”
Për kryemistrin Berisha një mandat i dytë për të djathtën synon të çojë më tej reformat e ndërmarra në vend. Sipas shefit të qeverisë në katër vitet e ardhshme, investimet në infrastrukturë, ujësjellës, arsim, punësim dhe në realizimin e ëndrrës së shqiptarëve për të lëvizur të lirë në Europë, do të shënojnë dhe përmbushjen e plotë të tyre.
Berisha “Mandatin e dytë mund ta quajmë edhe mandatin e ujit. Në mënyrë absolute, ne do të çojmë ujë, 24 orë, në të katër anët e vendit. Qytetare dhe qytetarë të Beratit, Shqipëria europiane dhe Berati europian do të thotë që ju, burrat dhe gratë e Beratit dhe gjithë Shqipërisë, djemtë dhe vajzat e Beratit dhe gjithë Shqipërisë, të cilët për shekuj e mijëvjeçarë mbajtët në shpirt dëshminë e identitetit europian, të lëvizni të lirë në mbarë Europën, brenda 12 muajve të mandatit të parë.”