obamaPresidenti Obama po viziton Lindjen e Mesme. Dje, ai beri fjalimin e shumepritur nga e gjithe bota. Ja fjalimi i plote dhe mesazhet pozitive qe ai i dergoi gjithe botes islame …

Jam i nderuar që gjendem në qytetin e përjetshëm të Kajros dhe që jam i ftuar nga dy institucione të shquara. Për më tepër se 1000 vjet, Universiteti i Ez’herit ka qëndruar si pikë referimi e dijes islame dhe për më shumë se 100 vjet, Universiteti i Kajros ka qenë burim i përparimit të Egjiptit.

Së bashku ju përfaqësoni një harmoni mes traditës dhe progresit. Ju jam mirënjohës për mikpritjen tuaj dhe mikpritjen e popullit egjiptian. Jam gjithashtu krenar që marr me vete dëshirën e mirë të popullit amerikan dhe një përshëndetje nga komuniteti mysliman në vendin tim: Selamun Alejkum!

Ne takohemi në një kohë tensioni mes SHBA-së dhe myslimanëve në të gjithë botën – tension që i ka rrënjët në forcat historike që shkojnë përtej çdo debati politik aktual. Marrëdhëniet mes Islamit dhe Perëndimit përfshijnë shekuj të bashkekzistencës dhe bashkëpunimit, por edhe konflikte dhe luftëra fetare. Më parë tensioni ka qenë i ushqyer nga kolonializmi që mohonte të drejtat dhe mundësitë e shumë myslimanëve dhe nga një Luftë e Ftohtë ku vendet me shumicë myslimane ishin trajtuar shpesh si përfaqësues pa respektuar aspiratat e tyre. Për më tepër, ndryshimet e vrullshme të sjella nga moderniteti dhe globalizimi i bënë shumë myslimanë ta shihnin Perëndimin si armik të traditave të Islamit.

Ekstremistët e dhunshëm i kanë shfrytëzuar këto tensione në një numër të vogël, por të fuqishëm myslimanësh. Sulmet e 11 shtatorit 2001 përpjekjet e vazhdueshme të këtyre ekstremistëve për të përdorur dhunën kundër civilëve kanë detyruar disa njerëz në vendin tim të shohin Islamin si paevitueshmërisht armiqësor jo vetëm në Amerikë dhe në vendet Perëndimore, por edhe te mbrojtësit e të drejtave të njeriut. Një gjë e tillë ka ushqyer më shumë frikë dhe mosbesim.

Deri tani, ndërkohë që marrëdhëniet tona janë përcaktuar nga diferencat që kemi, ne do t’u japim mundësi atyre që shohin më shumë urrejtje sesa paqe dhe që nxisin më shumë konflikt sesa bashkëpunim duke ndihmuar popujt tanë të arrijnë drejtësi dhe prosperitet. Ky cikël mosbesimi dhe mosmarrëveshjesh duhet të marrë fund.

Unë kam ardhur këtu të kërkoj një fillim të ri mes SHBA-së dhe myslimanëve kudo në botë, bazuar mbi interesin dhe respektin e përbashkët dhe bazuar mbi të vërtetën se Amerika dhe Islami nuk janë përjashtues dhe nuk kanë nevojë të jenë konkurrues.

Në vend të kësaj ata kanë dhe ndajnë parime të përbashkëta, parimet e drejtësisë dhe progresit, tolerancës dhe dinjitetit për të gjitha qeniet njerëzore.

Unë e kuptoj mirë se ndryshimet nuk mund të ndodhin brenda natës. Asnjë fjalim i vetëm nuk mund të çrrënjosë vite të tëra mosbesimi, por as nuk mund të përgjigjem në këtë moment për të gjitha çështjet komplekse që na sollën ne deri në këtë pikë. Por, unë jam i bindur se për të shkuar përpara ne duhet t’i themi hapur gjërat që kemi, ato gjëra që shpesh janë thënë me dyer të mbyllura. Duhet të bëjmë përpjekje të vazhdueshme për të dëgjuar njëri-tjetrin, për të mësuar nga njëri-tjetri, për të respektuar njëri-tjetrin dhe për të gjetur një bazë të përbashkët.

Ashtu si edhe Kurani i Shenjtë na mëson: ”Dëgjoje Zotin dhe thuaj gjithmonë të vërtetën!”

Kjo është ajo që unë dua të bëj, të them të vërtetën sa më mirë të mundem, të përulem përpara detyrës së vështirë që kemi, i vendosur në besimin tim se interesat e përbashkëta janë shumë herë më të fuqishme sesa forcat që duan të na ndajnë.

Pjesë të këtij besimi janë të ngulitura thellë në përvojën time. Unë jam i krishterë, por babai im erdhi nga një familje keniane që përfshin gjenerata të tëra myslimanësh. Kur isha fëmijë kalova shumë vite në Indonezi dhe dëgjoja thirrjen e ezanit në lindje të diellit dhe në rënien e muzgut. Kur isha djalë i ri unë punoja në komunitetet në Çikago ku shumë persona gjenin dinjitet dhe paqe në besimin mysliman.

Si student i Historisë unë njoha borxhet e civilizimit ndaj Islamit. Ishte Islami – në vende si Universiteti Al-Azhar – që mbajti ndezur dritën e dijes për kaq shekuj duke i hapur rrugën Rilindjes Evropiane dhe Iluminizmit. Ishin inovacionet në komunitetet myslimane që çuan në lindjen dhe zhvillimin e algjebrës, të kompasit manjetik, rregullave të lundrimit, të mjeshtërisë së të shkruarit, të kuptimit mbi përhapjen e sëmundjeve dhe të shërimit të tyre.

Kultura Islamike na ka dhënë harqet magjike dhe shigjetat fluturuese, poezinë e përjetshme dhe muzikën e mrekullueshme, kaligrafinë elegante dhe vendet e soditjeve në paqe.

Dhe përmes historisë Islami ka demonstruar nëpërmjet fjalëve dhe veprave mundësitë e tolerancës fetare dhe të barazisë racore.

Unë di gjithashtu se Islami ka qenë gjithashtu pjesë e historisë amerikane. Kombi i parë që ka njohur vendin tim ka qenë Maroku. Në nënshkrimin e Marrëveshjes së Tripolit, në vitin 1796, presidenti ynë i dytë, John Adams shkroi “SHBA nuk ka në vetvete karakter armiqësor kundër ligjeve, fesë apo qetësisë së myslimanëve”.

Që atëherë, myslimanët amerikanë kanë pasuruar SHBA-në.

Ata kanë luftuar në luftërat tona, kanë shërbyer në qeveritë tona, kanë luftuar për të drejtat e njeriut, kanë filluar biznese, kanë mësuar në universitetet tona, kanë shkëlqyer në sallat e sporteve, kanë fituar çmime Nobel, kanë ndërtuar godinat tona më të larta si edhe kanë mbajtur Flakën Olimpike.

Dhe kur myslimani i parë amerikan u zgjodh në Kongres, ai mori postin për mbrojtjen e Kushtetutës sonë duke përdorur të njëjtin Kuran të Shenjtë që një nga Etërit tanë Themelues – Thomas Jefferson – e mbante në bibliotekën e tij personale.

Kështu, unë kam njohur Islamin në tre kontinente përpara se të vija në rajonin ku ai u zbulua për herë të parë. Kjo përvojë drejton bindjen time se partnershipi mes SHBA-së dhe Islamit duhet të bazohet në atë se çfarë është Islami dhe jo në atë që nuk është. Dhe unë e konsideroj atë pjesë të përgjegjësisë time si president i SHBA-së për të luftuar kundër stereotipave negative të Islamit kudo që ato shfaqen.

Por, të njëjtat parime duhet të aplikohen edhe te perceptimet e myslimanëve ndaj Amerikës.

Një mysliman i vetëm nuk mund të bëhet një stereotip kudo, pasi edhe Amerika nuk është stereotipe kudo. SHBA ka qenë burim i madh i progresit që bota ka njohur ndonjëherë. Ne lindëm nga revolucioni kundër një perandorie. Ne u krijuam mbi idealin që të gjithë janë të barabartë dhe kemi derdhur gjak për shekuj të tërë për t’u dhënë kuptim këtyre fjalëve, brenda kufijve tanë dhe në botë.

Ne i jemi dedikuar një koncepti të thjeshtë: ”të gjithë për një dhe një për të gjithë”.

Shumë veta kanë folur për faktin se një afrikano-amerikan me emrin Barak Husein Obama mund të zgjidhej president. Por, historia ime personale nuk është kaq unike. Ëndrra e mundësisë për të gjithë njerëzit nuk është bërë e vërtetë për këdo në SHBA, por ajo ekziston për të gjithë ata që vijnë në brigjet tona, që përfshin rreth shtatë milion myslimanë amerikanë në vendin tonë që kanë të ardhura dhe arsimim më të lartë se mesatarja.

Për më tepër, liria në Amerikë është e pandashme nga liria e të praktikuarit të besimit.

Kjo është arsyeja e ekzistencës së një xhamie në çdo shtet të bashkimit tonë dhe mbi 1200 xhami brenda kufijve tanë. Kjo është arsyeja që qeveria amerikane ka shkuar në gjyq për të mbrojtur të drejtën e grave dhe vajzave për të veshur ‘mbulesën dhe për të ndëshkuar ata që do ta mohojnë atë.

Pra le të mos lemë dyshime: Islami është pjesë e Amerikës. Dhe unë besoj se Amerika mban brenda saj të vërtetën se pavarësisht racës, fesë apo vendqëndrimit në jetë, ne të gjithë ndajmë aspirata të përbashkëta: Të jetojmë në paqe dhe siguri, të arsimohemi dhe jetojmë me dinjitet, të duam familjet tona, komunitetet tona dhe Zotin tonë. Këto janë gjërat që ne ndajmë. Kjo është shpresa e gjithë njerëzimit.

Sigurisht, njohja e njerëzimit tonë të përbashkët është vetëm fillimi i detyrës sonë. Vetëm fjalët nuk mund t’i përmbushin nevojat e popujve tanë. Këto nevoja mund të përmbushen vetëm nëse veprojmë me guxim në vitet që na presin përpara, dhe nëse e kuptojmë se sfidat me të cilat përballemi janë të përbashkëta dhe se dështimi për t’i përmbushur ato do të na dëmtojë të gjithëve.

Sepse kemi mësuar nga eksperienca jonë e kohëve të fundit se kur një sistem financiar dobësohet në një vend, begatia cenohet kudo. Kur një virus i ri infekton një qenie njerëzore, rrezikohemi të gjithë. Kur një komb i qepet armës bërthamore, rreziku për sulme bërthamore rritet për të gjitha vendet. Kur ekstremistë të fuqishëm veprojnë në një rrip malesh, janë të rrezikuar njerëz matanë një oqeani. Dhe kur masakrohen të pafajshëm në Bosnje apo Darfur kjo është një njollë në ndërgjegjen tonë kolektive. Kjo do të thotë të ndash botën në këtë shekull të 21-t. Kjo është përgjegjësia që kemi ndaj njeri-tjetrit si qenie njerëzore.

Kjo është një përgjegjësi e vështirë për t’u marrë. Sepse historia njerëzore ka qenë shpesh një histori kombesh dhe fisesh të nënshtruara ndaj njëra-tjetrës, për t’u shërbyer interesave të tyre. Mirëpo në këtë epokë të re, qëndrime të tilla janë vetëshkatërruese. Po të marrim parasysh pavarësinë tonë, çdo rend botëror që e ngre një komb ose grup njerëzish mbi një tjetër do të dështojë në mënyrë të pashmangshme. Kështu, çfarëdo që të mendojmë për të shkuarën, ne nuk duhet të jemi rob të saj. Problemet tona duhet të zgjidhen në partneritet, përparimi duhet të jetë i përbashkët.

Kjo nuk do të thotë t’i injorojmë burimet e tensioneve. Në të vërtetë, kjo sugjeron krejt të kundërtën: Ne duhet të përballemi drejtpërsëdrejti me këto tensione. Dhe kështu në këtë frymë, më lejoni të flas sa qartë edhe hapur lidhur me disa çështje specifike që besoj se mund t’i përballojmë së bashku.

Çështja e parë që duhet të trajtojmë është ekstremizmi i dhunshëm në të gjitha format e tij.

Në Ankara, unë e bëra të qartë se Amerika nuk është dhe nuk do të jetë kurrë në luftë me Islamin. Gjithsesi, ne do të përballemi pareshtur me ekstremistë të dhunshëm që përbëjnë një kërcënim të rëndë ndaj sigurisë sonë. Sepse ne refuzojmë të pranojmë të njëjtat gjëra që refuzojnë njerëzit e të gjitha e besimeve: vrasjen e njerëzve të pafajshëm, burra, gra dhe fëmijë. Dhe është detyra ime e parë si president të mbroj popullin amerikan.

Situata në Afganistan tregon qëllimet e Amerikës dhe nevojën për të punuar së bashku. Gjatë shtatë vjetëve, SHBA e ka ndjekur al-Kaedan dhe talebanët me një mbështetje të gjerë ndërkombëtare. Ne nuk zgjodhëm të shkonim atje, por shkuam të detyruar. Jam i ndërgjegjshëm se disa i venë në dyshim ose i justifikojnë ngjarjet e 11 shtatorit. Por le të jemi të qartë. Al-Kaeda vrau afro 3000 vetë brenda një dite. Viktimat ishin njerëz të pafajshëm, burra, gra dhe fëmijë nga Amerika dhe shumë vende të tjera që nuk kishin bërë asgjë për të dëmtuar ndokënd. Por sërish Al-Kaeda zgjodhi t’i vriste pa mëshirë këta njerëz, pretendoi se fitoi kredi me këtë sulm, e madje shpall vendosmërinë e saj për të vrarë në mënyrë edhe më masive. Ata kanë degë në shumë vende dhe po përpiqen të zgjerohen edhe më tej. Këto nuk janë opinione për t’u debatuar: këto janë fakte me të cilat duhet të merremi dhe të përballemi.

Të mos lemë vend për gabime: ne nuk duam t’i mbajmë trupat tona në Afganistan. Ne nuk kërkojmë të kemi baza atje. Është pikëlluese për Amerikën të humbasë vajzat dhe djemtë e saj të rinj. Është me kosto dhe e vështirë politikisht ta vazhdojmë këtë konflikt. Ne do ta sillnim me kënaqësi në shtëpi çdo trup tonën, nëse do të ishim të bindur se nuk ekzistojnë ekstremistë të dhunshëm në Afganistan dhe Pakistan, të vendosur të vrasin sa më shumë amerikanë të mundin. Por nuk jemi ende këtu.

Kjo është arsyeja se pse kemi ndërtuar një koalicion me 46 vende. Dhe me gjithë koston e saj, angazhimi i Amerikës nuk do të lëkundet. Në fakt, askush prej nesh nuk do t’i tolerojë këta ekstremistë. Ata kanë vrarë në shumë vende. Ata kanë vrarë njerëz të besimeve të ndryshme, e më shumë se të tjerët kanë vrarë myslimanë. Veprimet e tyre janë të papajtueshme me të drejtat e qenieve njerëzore, progresin e vendeve dhe me islamin. Kurani i Shenjtë mëson se cilido që vret një të pafajshëm është sikur të ketë vrarë gjithë racën njerëzore, dhe kushdo që shpëton një person, është sikur të ketë shpëtuar gjithë racën njerëzore. Besimi i fortë i mbi një miliard njerëzve është shumë më i madh se urrejtja e ngushtë e pak prej tyre. Islami nuk është pjesë e problemit në luftën me ekstremizmin e dhunshëm, është një pjesë e rëndësishme e nxitjes së paqes.

Ne dimë gjithashtu se vetëm fuqia ushtarake nuk e zgjidh problemin në Afganistan dhe Pakistan. Dhe kjo është arsyeja pse ne planifikojmë të investojmë 1.5 miliardë dollarë çdo vit gjatë pesë viteve të ardhshme në partneritet me Pakistanin për të ndërtuar shkolla dhe spitale, rrugë dhe biznese, dhe qindra milionë për të ndihmuar ata që janë shpërngulur. Dhe kjo është arsyeja se pse po sigurojmë më shumë se 2.8 miliardë për ta ndihmuar Afganistanin të zhvillojë ekonominë e tij dhe të sigurojë shërbimet për të cilat kanë nevojë njerëzit.

Më lejoni të flas për çështjen e Irakut. Ndryshe nga Afganistani, lufta në Irak u zgjodh, dhe kjo shkaktoi mosmarrëveshje të mëdha në vendin tim dhe në të gjithë botën. Megjithëse unë besoj se populli irakian është përfundimisht shumë më mirë pa tiraninë e Sadam Husejn, unë besoj gjithashtu se ngjarjet në Irak i kanë sjellë në vëmendje Amerikës nevojën për të përdorur diplomacinë dhe ndërtimin e konsensusit ndërkombëtar për të zgjidhur problemet tona sa herë të jetë e mundur. Në fakt, ne mund të kujtojmë fjalët e Tomas Xheferson, që tha: “Shpresoj që urtësia jonë të rritet me fuqinë tonë, dhe të na mësojë se sa më pak ta përdorim fuqinë tonë, aq më mirë do të jetë”.

Sot, Amerika ka një përgjegjësi të dyfishtë: të ndihmojë Irakun të ndërtojë një të ardhme më të mirë dhe t’ua lerë Irakun irakianëve. Unë ua kam bërë të qartë vetë irakianëve se ne nuk do të kërkojmë baza, dhe as territoret apo burimet e tyre natyrore. Sovraniteti i Iranit i përket vetë atij. Kjo është arsyeja pse urdhërova largimin e brigadave tona të luftimit deri gushtin e ardhshëm. Kjo është arsyeja pse do ta respektojmë marrëveshjen tonë me qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike të Irakut për t’i hequr trupat e luftimit nga qytetet irakiane deri në korrik dhe për t’i hequr të gjitha trupat tona nga Iraku deri në vitin 2012. Ne do ta ndihmojmë Irakun të trajnojë forcat e tij të sigurisë dhe të zhvillojë ekonominë e tij. Por ne do të mbështesim një Irak të sigurt dhe të bashkuar, si partner dhe kurrë si padron.

Dhe së fundi, ashtu si Amerika nuk mund ta tolerojë kurrë dhunën nga ekstremistët, ne nuk duhet t’i ndryshojmë kurrë as parimet tona. 11shtatori ishte një traumë e madhe për vendin tonë. Frika dhe zemërimi që ai shkaktoi janë të kuptueshme, por në disa raste, ajo na bëri të vepronim në kundërshtim me idealet tona. Ne po ndërmarrim veprime konkrete për ta ndryshuar kursin tonë . Unë e kam ndaluar në mënyrë të qartë dhe pa ekuivoke përdorimin e torturës në SHBA dhe kam urdhëruar mbylljen e burgut të Guantanamos deri në fillim të vitit tjetër.

Kështu, Amerika do ta mbrojë veten e saj në respekt të plotë me sovranitetin e kombeve dhe sundimin e ligjit. Dhe këtë do ta bëjmë në partneritet me komunitetet myslimane, që gjithashtu janë të kërcënuara. Sa më shpejt të izolohen ekstremistët dhe sa më jo të mirëpritur të jenë në komunitetet myslimane, aq më shpejt do të jemi të sigurt.

Burimi i dytë i madh i tensionit që ne duhet të diskutojmë është situata mes izraelitëve, palestinezëve dhe botës arabe.

Lidhjet e forta të Amerikës me Izraelin janë të mirënjohura. Këto lidhje janë të pathyeshme. Ato janë bazuar mbi lidhje kulturore dhe historike dhe pranimi i faktit se aspirata për një atdhe hebre është rrënjosur në një histori tragjike që nuk mund të mohohet.

Populli hebre ka qenë i persekutuar për shekuj me radhë në të gjithë botën dhe antisemitizmi në Evropë arriti kulmin me një Holokaust të paprecedentë. Nesër, do të vizitoj Buchenwald, që ishte pjesë e një rrjeti kampesh ku hebrenjtë u skllavëruan, torturuan, u qëlluan për vdekje dhe u mbytën në dhomat e gazit nga Rajhu III. Gjashtë milionë hebrenj u shfarosën, më shumë se popullata aktuale e Izraelit. Mohimi i këtij fakti është i pabazë, injorues dhe i urryer. Kërcënimi për shkatërrimin e Izraelit, apo ripërsëritja e paturpshme e stereotipeve për hebrenjtë, është thellësisht e gabuar dhe shërben vetëm për të evokuar në mendjet e hebrenjve këto kujtime të dhimbshme në të njëjtën kohë duke frenuar paqen që populli i këtij rajoni meriton.

Nga ana tjetër, është gjithashtu e pamohueshme që populli palestinez, myslimanët dhe të krishterët, kanë vuajtur në kërkim të një atdheu të tyre. Për më shumë se 60 vjet ata kanë duruar dhimbjen dëbimit të tyre. Shumë prej tyre presin në kampe refugjatësh në Bregun Perëndimor, Gaza dhe në vende të tjera fqinje për një jetë në paqe dhe siguri, që ata nuk e kanë përjetuar kurrë. Ata durojnë poshtërime të përditshme, të çdo niveli , që janë pasojë e pushtimit. Pra të mos ketë asnjë dyshim: situata për popullin palestinez është e patolerueshme. Amerika nuk do t’i kthejë shpinën aspiratës së ligjshme palestineze për dinjitet, mundësi dhe për një shtet të tyrin.

Për dekada të tëra, situata ka qenë pa rrugëdalje. Dy popuj me aspirata legjitime, secili prej tyre një histori e dhimbshme që e bën kompromisin të paarritshëm. Është e thjeshtë të drejtosh gishtin, për palestinezët të theksosh shpërnguljen që pasoi themelimin e Izraelit, dhe për izraelitët të nxjerrësh në pah urrejtjen dhe sulmet e vazhdueshme gjatë gjithë historisë nga brenda dhe jashtë kufijve të shtetit hebre. Por nëse e shohim këtë konflikt vetëm nga njëra anë, atëherë e vërteta do të mbulohej. Zgjidhja e vetme për përmbushjen e aspiratave të të dy palëve është krijimi i dy shteteve, ku izraelitët dhe palestinezët të jetojnë në paqe dhe siguri.

Kjo është në interes të Izraelit, të palestinezëve, Amerikës dhe të të gjithë botës. Kjo është arsyeja përse unë personalisht me shumë durim këmbëngul dhe pres këtë rezultat. Detyrimet e pranuara nga palët në bazë të planit të paqes janë të qarta. Që të arrihet paqja, tani është koha që ata dhe të gjithë ne të marrim përgjegjësitë tona.

Palestinezët duhet të heqin dorë nga dhuna. Rezistenca përmes përdorimit të dhunës dhe vrasjeve është e gabuar dhe nuk mund të ketë të ardhme. Për shekuj me radhë, njerëzit me ngjyrë në Amerikë vuajtën nga goditja e kamxhikut si skllave, nga poshtërimi dhe veçimi. Por nuk ishte dhuna ajo që u solli atyre të drejta të plota dhe të barabarta. Ishte këmbëngulja paqësore dhe e vendosur për idealet që qëndrojnë në zemër të themelimit të Amerikës. E njëjta histori mund të tregohet nga popuj nga Afrika e Jugut në Azinë Jugore; nga Evropa Lindore në Indonezi. Është një histori me një të vërtetë të thjeshtë, dhuna është rrugë pa krye. Nuk është as shenjë kurajoje, as fuqie hedhja e raketave kundër fëmijëve në gjumë, apo hedhja në erë e grave të moshuara në autobus. Kjo nuk është ajo se si duhet të shprehet autoriteti, kjo tregon se si ky moral ka marrë fund.

Tani është koha që palestinezët të përqendrohen në atë që ata mund të ndërtojnë. Autoriteti Palestinez duhet të zhvillojë kapacitetet e tij për të qeverisur me institucione që i shërbejnë popullit të tyre. Hamasi gëzon mbështetje nga disa palestinezë, por edhe ata kanë përgjegjësitë e tyre. Për të luajtur një rol në përmbushjen e aspiratave palestineze dhe për të bashkuar popullin palestinez, Hamasi duhet t’i japë fund dhunës, të njohë marrëveshjet e mëparshme dhe të njohë të drejtën e Izraelit për ekzistencë.

Në të njëjtën kohë, izraelitët duhet të pranojnë se sikurse e drejta e Izraelit, edhe e drejta e palestinezëve për ekzistencë nuk mund të mohohet. Shtetet e Bashkuara nuk pranojnë legjitimitetin e vazhdimit të kolonive hebreje. Këto ndërtime bien ndesh me marrëveshjet e mëparshme dhe minojnë përpjekjet për arritjen e paqes. Është koha që shtrirja e kolonive të marrë fund.

Izraeli duhet t’u përmbahet gjithashtu detyrimeve për të garantuar që palestinezët mund të jetojnë, punojnë dhe zhvillojnë shoqërinë e tyre. Dhe ndërsa shkatërron jetët e familjeve palestineze, kriza e vazhdueshme humanitare në Gaza nuk i shërben sigurisë së Izraelit. Po kështu nuk shërben as mungesa e mundësive në Bregun Perëndimor. Progresi në jetën e përditshme të popullit palestinez duhet të jetë pjesë e procesit drejt paqes dhe Izraeli duhet të ndërmarrë hapa konkretë për të bërë të mundur një progres të tillë. (start/albeu)