kombetarja-shqiptareTiranë -Policia e Tiranës njoftoi sot se janë marrë të gjitha masat për zhvillimin normal të ndeshjes midis Shqipërisë dhe Portugalisë gjatë ditës së nesërme në stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa ”. Kështu, në sajë të masave të ndërmarra, do të ndalohet parkimi i të gjitha automjeteve përreth stadiumit Kombëtar “Qemal Stafa”, Sheshi “Italia”, Sheshi “Nënë Tereza” duke filluar nga ora 08.00’ e ditës së nesërme deri në përfundim të këtij aktiviteti.

Po ashtu, nga ora 14.00’ deri në përfundim të ndeshjes, të datës 06.06.2009, do të ndalohet qarkullimi i automjeteve në rrugët që të dërgojnë në stadium ashtu dhe përreth tij, si : rrugën “Lek Dukagjini” dhe “Dervish Hima” në kryqëzimin me rrugën “Asim Zeneli”.

Gjithashtu, policia do të zhvillojë kontrolle të imtësishme për tifozët që do të hyjnë në stadium, duke ushtruar kontrolle të imtësishme në drejtim të parandalimin e futjes në stadium nga tifozët, të sendeve të ndaluara. (Mjete e sende të forta, fishëkzjarre, shishe të ndryshme, kapsolla, flamuj me shkopinj, parrulla me mbishkrime jo të përshtatshme).

Policia e Tiranës, duke kërkuar dhe njëherë mirëkuptimin e publikut, ju kujton sportdashësve, dhe pjesëmarrësve në këtë aktivitet, respektimin me rigorozitet të rregullave të vendosura dhe kodit të sjelljes si para, gjatë dhe pas përfundimit të aktivitetit sportiv.