rama el 02Turi elektoral i Partisë Socialiste ka vijuar në qytetin e Elbasanit, ku kryetari i selisë rozë Edi Rama ka prezantuar dhe kandidatët socialistë për deputetë që do të garojnë më 28 qershor në këtë qark. Gjatë takimit me banorë, kryesocialisti i ka siguruar mbështetësit e tij se ndarja me politikën e vjetër të paaftësisë dhe korrupsionit pas 28 qershorit, nuk do të jetë më një ëndërr, por një kapitull i ri, që do t’u japë mundësi shqiptarëve të lëvizin të lirë pa viza në Europë. Duke iu referuar deklaratës së Zëvendëspresidentit të Komisionit Evropian, Zhak Barro, në lidhje me liberalizimin e vizave, Rama tha se në këtë proces Serbia është më afër se Shqipëria në përmbushjen e detyrimeve përpara ndërkombëtarëve.
Për kryesocialistin është koha që të gjithë të besojnë tek forca e votës për të ndryshuar të ardhmen. Ai u bëri thirrje qytetarëve të bashkohen me thirrjen ÇOHU, lajtmotiv i fushatës elektorale të partisë që ai drejton, duke replikuar kështu në distancë me kryeministrin Berisha, mbi komentet e kreut të qeverisë për këngën që shoqëron fushatën elektorale të selisë rozë. Në Elbasan, kryetari i Partisë Socialiste premtoi se do ta shndërrojë Elbasanin si Tiranën.