ronaldo-shqiperiaFesta e 14 mijë tifozëve të pranishëm në stadiumin “Qemal Stafa” në Tiranë shuhet në minutat shtesë. Një gol i Bruno Alvesh dhe një gabim i Isli Hidit, bën që Portugalia të fitojë. Përpos kësaj, mbrëmja e djeshme, që shënoi edhe debutimin e Kuzhesë, mund të quhet tepër pozitive.

TIRANE– Minutat e fundit vazhdojnë të mbeten makthi i kombëtares shqiptare që edhe dje përballë Portugalisë e ka pësuar pikërisht atëherë kur askush nuk e mendonte. Një gol i Bruno Alvesh, ka bërë që festa e 14 mijë tifozëve të pranishëm në stadium, të shuhet në çast. Ka qenë sërish një gabim, për fat të keq sërish i Isli Hidit, që ka sjellë fitoren e yjeve portugezë.

Përpos kësaj, mbrëmja e djeshme, që shënoi edhe debutimin e Kuzhesë, mund të quhet tepër pozitive. Pas disa ndeshjesh kur përfaqësuesja kuqezi kishte humbur fizionominë, mbrëmë ishin disa shenja të qarta përmirësimi edhe pse naiviteti mbetet karakteristikë e kësaj skuadre.

Pjesa e parë ka qenë e mbushur me raste dhe me një Kristiano Ronaldo në superformë. Ylli i Mançester Junajtid ka ndërmarrë disa inkursione të rrezikshme, duke treguar se jo më kot është fituesi i “Topit të Artë” në fuqi. Në të 18-tën Ronaldo kërkon penallti pas një rrëzimi në zonë të Canës, por arbitri Mejer vazhdon lojën. Në minutën e 27-të, portugezët kalojnë në avantazh, kur pas një krosi të Bosingvës, Curri nuk largon dhe lejon që Hugo Almeida të shënojë. Megjithatë, gëzimi portugez nuk zgjat as 60 sekonda, pasi Skela shpik një kros për Bogdanin, që barazon shifrat me kokë. Në minutën e 38-të Raul Meireles del vetëm me Hidin pas një krosi të Dekos, por nuk shënon dot.

Në pjesën e dytë Portugalia hidhet e gjitha në sulm, por rastet e pastra kanë munguar. Në minutën e 59-të Bogdani kërkon penallti, por gjyqtari gjerman lejon avantazhin. Sulmuesi i Kievos më pas i lë vendin Salihit, ndërsa loja hyn në një rrjedhë të ngadaltë. 11 minuta para përfundimit, Ronaldo ka një mundësi të shënojë, pas hezitimit të mbrojtjes tonë, por lojtari i Mançesterit gjuan jashtë. Kur dukej se gjithçka do të mbyllej në barazim, ishte mbrojtësi Bruno Alvesh ai që shënon golin e fitores për Portugalinë, duke përfituar edhe nga një dalje e gabuar e portierit Isli Hidi.

Portugezët me këtë fitore ngjiten në kuotën e 9 pikëve në grup dhe futen në valle për kualifikimin botëror