GJIROKASTËR- Një shtetas është arrestuar, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim, pasi ishin duke transportuar ilegalisht drejt Greqisë tetë persona kundrejt një shume të konsiderueshme eurosh. Burime zyrtare të policisë kanë bërë të ditur se specialistët e Sektorit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar, kanë organizuar punën për bllokimin e një trafiku të mundshëm. Në këtë kohë Aleksandër Veli dhe Sotir Rroshi kanë qenë duke udhëtuar në aksin kombëtar Gjirokastër- Kakavijë, me dy automjete me targa greke dhe janë ndaluar nga postblloku i ngritur nga policia. “Kur kanë mbërritur në postbllokun e policisë të ngritur nga shërbimet e Sektorit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar u është bërë shenjë të ndalojnë, por shtetasi Aleksandër Veli nuk ka ndaluar, por është larguar me shpejtësi”- thonë burimet policore. Në ndjekje të tij janë vënë agjentët dhe specialistët e këtij sektori, por në vendin e quajtur Terihat, shtetasi Aleksandër Veli ka braktisur automjetin dhe është larguar. Në automjetin e braktisur që drejtohej nga ky shtetas u konstatuan katër shtetas, dy femra dhe dy meshkuj, nga Berati dhe Fieri.(një çift nga Berati dhe një çift nga Fieri). Ndërsa shtetasi Sotir Rroshi nuk ka mundur dot t’i largohet postbllokut të policisë dhe është arrestuar në flagrancë .
“Edhe ky shtetas në automjetin e tij kishte 4 shtetas nga Lushnja dhe Fieri (2 femra dhe 2 meshkuj nga Lushnja dhe Fieri)”, kanë bërë të ditur burimt zyrtare të policisë së Gjirokastrës.
Kanë qenë klandestinët dhe i ndaluari që kanë pohuar para uniformave blu se do të paguanin 1600 deri në 2000 euro secili, në mënyrë që të shkonin ilegalisht në Greqi. Ndërkaq, hetimet kanë nxjerrë në dritë se dy shtetasit kanë qenë edhe disa herë të tjera transportues të klandestinëve, kundrejt shumave të konsiderueshme. Mbi të arrestuarin Sotir Rroshi, 26- vjeç nga Gjirokastra rëndon akuza e “Dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit kundrejt fitimit në bashkëpunim”, ndërsa Aleksandër Veli është shpallur në kërkim.