lajme Ish-Emisari i OKB’së, Martti Ahtisaari, në njëvjetorin e hyrjes në fuqi të kushtetutës, duke iu drejtuar deputeteve të Parlamentit, ka thënë që pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme.

Sipas tij, njohjet që po vijnë nga shtet e botës është dëshmia më e mirë për këtë. Ahtisaari tha se Kosova është në rrugë të mirë dhe kushtetuta përmban aspiratat e qytetarëve.

Ai ju ka bërë thirrje minoritit serb që t’ju kthehen institucioneve të Kosovës, ndërsa atyre në Beograd që të heqin dorë nga retorika dhe bllokimi i proceseve.

Pasi u dekoruar me medaljen e artë të pavarësisë së Kosovës, nga presidenti Fatmir Sejdiu, Ahtisaari tha se kjo medalje do të ketë një vend të posaçëm në zyrën e tij.

“Së pari dëshiroj të shpreh falënderimin për këtë medalje. Ju siguroj që kjo medalje e pavarësisë do ta vendosi në një vend të dukshëm në zyrën time të re në Helsinki, e cila përurohet sot”, tha ai.

Ndërkaq, presidentin e Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu në shënimin e njëvjetorin kushtetues së Kosovës, tha se Ahtisaari ka luajtur një rol udhëheqës në pavarësinë e Kosovës.

“Njëvjetorin po e shënojmë me një varg të arriturash. Kosova është pranuar nga 60 vende të globit. Është anëtarësuar në mekanizëm të rëndësishme. Viti i dytë i pavarësisë na gjen me Forcën e Sigurisë së Kosovës”, shtoi Sejdiu.

Edhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi tha se kushtetuta është themeli i çdo shteti. “Kushtetuta e jonë është një bazë e mirë mbi të cilën është ndërtuar shteti. Kushtetuta shkruhet njëherë që të jetë një dokument që nuk e shkel koha. E dëgjuam dhe respektuam vullnetin e popullit të Kosovës”, tha Thaçi.

Ndërsa, kryeparlamentari i Kosovës, Jakup Krasniqi pasi ka uruar atij mirëseardhje dhe për çmimin Nobel, Krasniqi tha se Kushtetuta e Kosovës është dokument që hapi konsolidimin e demokracisë dhe ndërtimin e institucioneve.

“Deklarata dhe Kushtetuta e miratuar janë vlerat bazike të shtetit të Kosovës”, shtoi ai.