20090608024940_artikullTROPOJE- “Premtoj se do ta kthej Tropojën në një qytet europian ku nuk do të ketë asnjë rrugë të paasflatuar”, u shpreh sot kryeministri Berisha në sheshin qëndror të Tropojës ku ndodhej për një miting në kuadër të fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare.
Pas 12 vjetësh mungesë, Berisha rikthehet në vendlindje me një sërë premtimesh elektorale sic ishin liberalizimi i vizave, forcimi i ekonomisë dhe rritje të mirqënies. Pa përmendur arsyet pse e larguan kaq vjet nga Tropoja, Berisha u fokusua tek kundërshtari I tij politik në këto zgjedhje, Edi Rama. Kryeministri I bëri thirrje Ramës ta vizitojë Tropojën sa herë të dëshirojë, por sic theksoi Berisha “para se të kërkosh votën e tropojanëve duhet të japësh dorëheqje nga Bashkia e Tiranës”.
Kreu i qeverisë u kujtoi qytetarëve të Tropojës ai eshte ndjere perhere tropojan. Berisha thase “librat e universitetit tim të fëmijërisë në Tropojë nuk ishin të shkruajtura në letra, por ishin të rishkruara në legjenda, në ninulla, në shpërngulje masive nga 1870 në 1998. Ato ishin të shkruara në sakrificat mbinjerëzore tuajat për liri dhe dinjitet kombëtar, në përpjekjet tuaja madhore për të mbetur të lirë në trojet tuaja”.
Duke iu referuar periudhës 1870-1911, Kryeministri nënvizoi se “ju ishit djepi më i fuqishëm i kryengritjeve të mëdha të Kosovës, të cilat sollën pavarësinë e Shqipërisë, por në një padrejtësi shkëputën Tropojën nga Kosova, Kosovën nga Shqipëria”.
“Përulem me nderimin më të thellë para jush, para qëndresës suaj, para mbështetjes suaj, para kontributit tuaj në historinë e këtij vendi dhe kombi”, iu drejtua Kryeministri qytetarëve.
Mitingu i Partisë Demokratike mblodhi disa qindra qytetarë në qendër të qytetit të Bajram Currit të cilët ndoqën fjalën e kryeministrit, njëkohësisht edhe kryetar i kësaj partie. Mitingu i PD-së është hapur me një koncert festiv të këngëtarëve të njohur të muzikës së lehtë shqiptare. Në miting kryeministri u shoqërua edhe nga bashkëshortja e tij, Lirie Berisha.