mjeketVendimi i shtrin efektet që nga data 1 maj 2009 dhe kostoja financiare është 307 milionë lekë e cila do të mbulohet nga Instituti i Sigurimeve dhe Kujdesit Shëndetësor. Paga mesatare për një mjek në qendrat shëndetësore, së bashku me dy paga shpërblim në vit, bëhet 60 000 lekë në muaj. Në total përfitojnë shtesë page rreth 9300 mjekë, infermierë, sanitarë, ekonomistë dhe shoferë që punojnë në shërbimin parësor.

TIRANE– Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor përmes Këshillit Administrativ të tij, bazuar ne vendimin e Këshillit te Ministrave vendosi dje rritjen e pagave për mjekët e familjes, mjekët specialistë dhe të gjithë personelin tjetër të qendrave shëndetësore.

Paga mujore e mjekëve që do të pranojnë të punojnë në zonat e thella malore arrin në plot 79 mijë lekë të reja në muaj, ndërkohë që paga mesatare e një mjeku kap shifrën e 60 mijë lekëve të reja në muaj.

Këtë shtesë të re pagash, që i shtrin efektet financiare që nga data 1 maj, do ta përfitojnë rreth 10 mijë personel i qendrave shëndetësore, ndërsa në total ka një kosto për ISKSH-në, rreth 307 milionë lekë deri në fund të 2009-ës.

Drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana, deklaroi se në total, nga kjo rritje përfitojnë 9300 punonjës të shërbimit parësor. Një politikë stimulimi është ndjekur për personelin shëndetësor në zonat e thella, në mënyrë që të mbulohet i plotë shërbimi për të gjithë popullatën si dhe mjekëve në zonat qendrore, për shkak të ngarkesës më të madhe të punës.

Rritja më e lartë është parashikuar për mjekët që mbulojnë zonat qendrore 16.3%, në zonat fushore rritja është 11.2%, në atë kodrinore është 9%, ndërsa për mjekët në zonat malore është 4%. Konkretisht, një mjek në zonën qendrore me ngarkesë normale, pra 2000 banorë, me vjetërsi pune 25 vjet dhe që kryen 12 vizita në ditë, do të paguhet me një page mujore bruto 47 000 lekë, ndërsa një mjek në zonat malore e të thella malore që kryen 6 vizita në ditë do të paguhet me pagë mujore 79 000 lekë. Nga kjo rritje përfitojnë rreth 1700 mjekë familjeje me një efekt financiar 8 mujor mbi 82 milionë lekë. Rritje të konsiderueshme përfitojnë rreth 300 mjekët specialist, paga mesatare mujore e të cilëve nga 40 000 lekë që ishte, bëhet 48 500 lekë. Pra një rritje prej 21% me një efekt financiar rreth 24 milionë lekë.

Edhe pagat e personelit infermieristik do të pësojnë një rritje me rreth 13%. Nga 1 maji, pagat e infermierëve me arsim të mesëm profesional, nga 28 000 lekë që ishin, bëhen 32 000 lekë.

Nga kjo rritje përfitojnë mbi 6700 infermierë, me një efekt financiar deri në fund të viti 2009 rreth 186 milion lekë. Janë parashikuar rritje page dhe për ekonomistët e qendrave shëndetësore. Në total efektet financiare nga rritja e pagave është rreth 307 milionë lekë dhe zbatimi i vendimit për ndryshimin e pagave fillon nga data 1 maj 2009 dhe përballohet nga buxheti i ISKSH-së.