berisha kukesQytetarët e Kukësit, kryetari i qeverisë i falenderoi për mbështjen, falë së cilës vendi u bë anëtar me të drejta të plota i NATO-s si dhe u hap drita jeshile për liberalizim të plotë të vizave, brenda vitit të parë të mandatit të dytë. Përpara banorëve, kryeministri nuk do të harronte projektin më të madh në infrastrukturën rrugore, Durrës-Kukës-Prishtinë, që shefi i qeverisë e cilësoi për nga përmasat dhe rëndësia, si projektin gjigand të kombit shqiptar. Kryeministri numëroi një seri projektesh të rëndësishme në rrugë, në ndërtim apo që do të fillojnë shumë shpejt. Ky si objektiv kryesor i qeverisë demokratike që sikundër në të gjithë Shqipërinë edhe në Kukës, mandati i dytë do të shënojë asfaltimin e të gjitha rrugëve edhe në komunat më të thella të këtij qarku. Bashkë me projektet për rrugët, kryeministri kujtoi dhe projektet e rëndësishme në fushën e energjisë.
“Kukësi sot është buzë një horizonti të ri të madh. Në këtë rreth janë në ndërtim e sipër apo për t’u ndërtuar 20 hidrocentrale të reja, ndër të cilat Skavica, një prej më të mëdhenjve në Shqipëri. Kukësi ka rezervat ndër më të mëdhatë minerare të vendit. Kukësi ka potenciale ndër më të mëdhatë turistike. Dua t’i them zotit Rama, që erdhi këtu e derdhte lot krokodili se me paratë e rrugës do të asfaltoheshin rrugët e Kukësit: zoti Rama duhet ta mësosh se rrugët e këtij qarku po asfaltohen të gjithë, duhet të mësosh se rruga Sopot-Krumë e Kukës e tëra është në ndërtim, se më 1 korrik hapet tenderi për lotin e parë Krumë-Kukës, se më 1 korrik hapet tenderi për lotin e parë Kukës-Shishtavec.”
Thirrjen për të votuar programin e ri qeverisës të demokratëve, kryeministri Berisha e adresoi edhe ndaj qytetarëve me bindje të majta politike. Berisha tha se Rama nuk përfaqeson interesat e socialistëve të thjeshtë. Për këtë Berisha ftoi shqiptarët edhe në Kukës t’i bashkohen projektit europian për vendin.
“Katër vitet që vijnë, ne takohemi me Europën si qytetarë që do të kemi të gjitha rrugët e asfaltuara, si qytetarë të një vendi që do eksportojmë energji në rajon dhe Europë, si qytetarë që do të kemi ujë 24 orë në shtëpitë tonë, si qytetarë që do të paguhemi në paga e pensione më mirë se 6 vende anëtare të Bashkimit Europian, si qytetarë të një vendi, ku fëmijët tanë do mësojnë në shkollat më moderne dhe të sëmurët tanë do të kurohen në spitalet më moderne. Ky është Kukësi evropian. Kjo është Shqipëria europiane. Qytetare dhe qytetarë të Kukësit Nga ky shesh i historisë sonë kombëtare, le t’i adresojmë të gjithë së bashku një thirrje të ndershme e miqësore të gjithë socialistëve të Kukësit e të mbarë Shqipërisë: bashkohuni me ne në ëndrrën tonë europiane, bashkohuni me ne për Kukësin europian, bashkohuni me ne për Shqipërinë europiane, bashkohuni me ne, sepse me ne ju jeni dhjetëra herë më afër, sesa me Edi Ramën dhe 99-shat e tij. Mos harroni se armiqësia e tij ndaj rrugës nuk është vetëm armiqësi ndaj demokratëve, por është armiqësi ndaj socialistëve, ndaj kombit në tërësi. Mos harroni se kur në këtë shesh, vërshonin lumenjtë e lotëve dhe dhimbjes të vëllezërve tanë, një njeri u thurte këngë e himne barbarive serbe mbi shqiptarët dhe ky është Goran Bregoviç, të cilit, Edi Rama, tre vjet më parë, i vendosi në gjoks çelësin e bashkisë së kryeqytetit.”
Ndërsa ngushtohen ditët drejt mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare, kryeministri edhe në Kukës si në çdo takim tjetër me qytetarë, në të gjithë vendin përforcoi apelin drejtuar qytetarëve për t’u pajisur me letërnjoftime. Me të njejtën rëndësi, kryetari i qeverisë vlerësoi pjesmarrjen në zgjedhje, për të cilat garantoi se do të jenë më demokratiket që vendi ka zhvilluar ndonjëherë.