12 ditë përpara zgjedhjeve, krerët e partive më të mëdha në vend e kanë përqëndruar turin elektoral në veri të vendit. Kreu socialist premton nga Burreli se do ti japë fund analfabetizmit ndërsa kreu demokrat u ndal në Has ku ka premtuar investime në infrastrukturën rrugore.
berisha_rama
BURREL/HAS-

Rama: Arsimi, PS politikë të re

BURREL- Burreli ka qenë qyteti i radhës ku është ndalur kreu i Partisë Socialiste Edi Rama. Rama vizitoi familjen Gjoka ku mjerimi është ulur këmbëkryq dhe ky sipas Ramës është dëshmia më therëse e varfërisë, papunësisë dhe analfabetizmit që ka prekur veriun e vendit. Përpos ngjyrave rozë që afron maxhoranca në këtë pjesë të vendit Rama ndesh një tjetër realitet një familje të zhytur në mjerim, ku fëmijët nuk shkojnë dot në shkollë pasi prindërit nuk kanë para për të blerë libra.
“4 fëmijë të kësaj familjej janë analfabet, pasi nuk është mundësia për të blerë librat për ti dërguar në shkollë”- u shprehen familjarët e familjes Gjoka.
Por analfabetizmi nuk është vetëm plagë e kësaj familjeje, por një problem therës i mijëra e mijëra të tjera.
Para qytetarëve të Burrelit të mbledhur në shesh Rama garantoi se vetëm Partia Socialiste do ti japë përgjigjen e duhur kësaj plage.
“Ndërkohë që ne flasim për papunësinë e skajshme të Veriut të vendit, ndërkohë që ne flasim për mungesën e librave dhe të shkollave, për fëmijët e Veriut të Shqipërisë, ku analfabetizmi po bën kërdinë çdo vit, ai zotëri bashkë me të zotin e tij, me Sali Berishën, e morën vesh vetëm dy javë më parë, se librat e shkollës shiteshin dhe nuk faleshin për fëmijët e varfër. Dhe pse e morën vesh? E morën vesh sepse erdhi fushata elektorale! Ndërkohë që një vit rresht u kemi kërkuar që t’ia u japin falas librat fëmijëve dhe një vit rresht thoshin se gënjen opozita. Këta do votoni ju?!” “- u shpreh Rama.
Vetëm Partia Socialiste garantoi lideri i saj ka një politikë të re dhe të qartë për arsimin. “Për një politikë të re që do të rimëkëmbë arsimin, ku librat e shkollës do t’i japim falas për çdo fëmijë të varfër”- u shpreh kryesocialisti.
Takimi i Ramës në Burrel u mbyll me apelin për të votuar socialistët pasi në këtë mënyrë votohet e ardhmja e fëmijëve të tyre.
“Duke iu thënë të gjithëve që mes së shkuarës dhe të ardhmes, të zgjedhim të ardhmen, se ndryshimi që na duhet, është një ndryshim i madh, se transformimi që duam t’i japim Shqipërisë, është një transformim kolosal. Dhe për të gjitha këto, vota më 28 qershor ka një vlerë të jashtëzakonshme për të realizuar programin që shkruam së bashku në dialogun me Shqipërinë dhe për të ndërtuar së bashku me punë, punë, punë, Shqipërinë si gjithë Europa.”- theksoi Rama.

Berisha: Vota djathtas, është votë para

HAS- Qyteti i Hasit ka qenë ndalesa e radhës e turit të takimeve elektorale të kryeministrit Berisha. Pasi ka falënderuar banorët e Hasit për përpjekjet që të parët dhe ata vetë kanë dhënë për një Kosovë të lirë, e cila u konkretizua me pavarësinë e saj Berisha kërkoi votën në emër të një ndryshimi Europian.
“Nga lidhja e Prizrenit e deri më sot, krenaria ime, është sot e jashtëzakonshme në këtë takim me ju, sepse ne patëm fatin të bëjmë atë që duhej për të lehtësuar kështu brengën e madhe të baballarëve dhe gjyshërve tanë që u dogjën për Kosovën dhe nuk e panë dot të lirë. Kam ardhur sot tek ju për të kërkuar votën dhe besimin tuaj, për Hasin evropian dhe për Shqipërinë evropiane”- u shpreh kryeministri Berisha.
Në fjalën e tij kreu i Partisë Demokratike u ka premtuar banorëve të komunave lidhje me boshtet kombëtare të rrugëve.
“Kruma do të lidhet me rrugën e re me Kukësin, sikundër do të ketë dhe rrugën drejt Fanit. Rruga Krumë – Qafë Prushi është një arterie e madhe e kombit. Sot dua të zotohem se rezervuari i Qarrit të Vogël do të jetë nga veprat e reja ujitëse për tokat tuaja”- tha Berisha.
Berisha ka kërkuar kthimin e emigrantëve në atdhe për të dhënë votën e tyre më 28 qershor. Një votë që sipas Kryedemokratit duhet të shkojë për partinë numër 10-të, duke u shprehur se vota për të majtën është një hap pas për vendin.
“Unë ju respektoj ju, respektoj pluralizmin dhe mendimin ndryshe, por ju kujtoj se kur serbi ju bombardonte, kur djemtë tuaj flijoheshin për lirinë e Kosovës, një këngëtar famëkeq serb, Goran Bregovic, u këndonte himne hordhive dhe barbarëve serb, barbarive të tyre ndaj shqiptarëve. Ky këngëtar ka marrë dy vjet më parë Çelësin e Artë të bashkisë së Tiranës, nga Edi Rama”- tha Berisha.
Gjatë vizuitës në Tropojë kryeministri Berisha inauguroi përfundimin e një segmenti rrugorë prej 13 km në komunën Margegaj, pjesë e rrugës që lidh qytetin e Tropojës me grykën e Valbonës dhe fshatrave përreth. Duke e cilësuar rrugën si një ndër më të bukurat e Shqipërisë kryeministri tha se kjo rrugë për cilësitë e veçanta të saj do të mbaj emrin e heroit të demokracisë Azem Hajdari. “Kam vendosur ti japë këtë emër kësaj rruge për të nderuar mikun tim. Në një aspekt kjo rrugë i afrohet shumë atij dhe lëvizjes që ai udhëhoqi”- theksoi kryeministri Berisha.