cashku protesteTë mbledhur para Bashkisë së Tiranës, me moton “Të ruajmë hapësirën publike nga betonizimi”, aktivistë të mjedisit dhe shoqata rinore i janë bashkuar protestës së drejtuar nga rektori i Akademisë së Filmit dhe Multimedias “Marubi”, Kujtim Çashku. Kjo protestë vjen pas 121 ditësh, që kur u prekën mjediset e Akademisë Marubi, e u rrethua godina për të tjera interesa shfrytëzimi, duke ndërprerë dhunshëm, hyrje-daljet e lirshme të studentëve në shkollë.
Rektori Çashku para një grupi protestuesish, deklaroi se duhet të ruajmë identitetin kombëtar dhe të shmangim diktaturën e betonit, që po gjallëron me revansh të paparë këto vite ndaj hapësirave, aq të dëshiruara të blerta, publike. Më pas Çashku theksoi se ajo që duhet sot është të sensibilizojmë njerëzit dhe të ruajmë bashkarisht hapësirat e mbetura publike, nga masakra që shkaktoi dje Top Channel duke shembur me skavator ullinjtë 140-vjeçarë. Me simbolikën e prerjes së ullinjve, një nga pemët që tregon edhe jetëgjatësinë e një kombi, u drejtoi një apel publik, Presidentit Bamir Topi, kryeminstrit Berisha, liderëve të opozitës dhe aktivistëve, që të bëjnë të pamundurën për të ndaluar këtë revansh të betonizimit, që sjell vetëm dëm për jetën e qytetarëve shqiptare dhe aq më shumë fëmijët. Në këtë protestë, ku merrte pjesë edhe familja Hysa, si pronare e ligjshme e truallit të “Kinostudios”, aktivisti Sazan Guri lëshoi një tjetër deklaratë.