berisha shengjinKryeministri Sali Berisha ka inaguruar së bashku me homologun e tij malazez Milo Gjukanovic pikën e kalimit kufitar, Muriqan – Sukobin, e cila lidh Shqipërinë me Malin e Zi. Ndërtimi i saj është mundësuar me një financim prej 1 milion e 100 mijë eurosh të Komisionit Europian dhe kjo është pika e parë kufitare e përbashkët në Ballkanin Perëndimor. Në fjalën e tij kreu i ekzekutivit ka deklaruar se dy vendet janë duke bashkëpunuar si asnjëherë më parë dhe është pikërisht detyrë e të dy qeverive të nxisin më tej këtë bashkëpunim.
Berisha “Ky projekt është simbol i bashkëpunimi të shkëlqyer midis dy vendeve mike, Shqipërisë dhe Malit të Zi, dhe një lehtësi e madhe për funksionimin e një prej institucioneve më të rëndësishme të çdo shteti, të doganave. Unë po vij nga Shkodra, ku sapo inauguruam fillimin e punimeve të autostradës Shkodër-Podgoricë, kontribut shumë i rëndësishëm i një vendi mik fqinj, Italisë. Kjo rrugë u ndërtua 80 vjet më parë nga austro-hungarezët. Tani sërish po e rindërtojmë me ndihmën bujare të Koperacionit italian dhe fonde të qeverisë shqiptare. Pak më tutje vendit, ku inauguruam rrugën, një tjetër projekt jashtëzakonisht i rëndësishëm midis dy vendeve tona po shtrihet me shpejtësi, linja e interkonjeksionit të tensionit të lartë 410 kilovolt, që lidh Tiranën me Podgoricën. Kurrë në histori nuk kemi punuar kaq mirë dhe kaq shumë bashkërisht, për lidhjet midis dy vendeve tona. Ne jemi vende të vogla dhe me shpejtësi, duhet të rrafshojmë kufijtë, për të zgjeruar hapësirat tona për turistët dhe tregun, në interesin më të mirë të qytetarëve tanë,”
Edhe kryeministri i Malit të Zi, Milo Gjykanovic u ndal tek dobia e bashkëpunimit mes dy vendeve në fushën ekonomike, në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve dhe emigrimit të jashtëligjshëm.
I pranishëm në këtë ceremoni ka qenë dhe ambasadori i Komisionit Europian në Tiranë Helmut Lohan, i cili ka theskuar rëndësinë politike të kësaj nisme, duke thënë se bashkëpunimi rajonal është një kusht për anëtarësimin në Bashkimin Europian të vendeve të Ballkanit.
Po gjatë ditës se sotme kryeministi Sali Berisha ishte në qytetin e Shkodrës ku ka inaguruar fillimin e punimeve të rrugës Shkodër-Hani Hotit e gjatë 40 kilometra me gjerësi 10.5 metra dhe me financim të qeverisë italiane dhe asaj shqiptare me vlerë 40 milion euro. Kreu i qeverisë tha se ndërtimi i lidhjeve rrugore ndërkombëtare të Shqipërisë është një nga përparësitë më madhore të qeverisë.
“Ndërtimi i lidhjeve rrugore ndërkombëtare të Shqipërisë është një nga përparësitë më madhore. Me ndërtimin e kësaj autostrade Shqipëria ka një trafik të ri me vendin mik, Malin e Zi. Së shpejti, fillon projekti i autostradës tjetër që lidh Velipojën me Ulqinin. Në këtë mënyrë, ne intensifikojmë lidhjet me Malin e Zi. Një koincidencë shumë e bukur sot, pasi me Kryeministrin e Malit të Zi, inaugurojmë doganën e përbashkët në Murriqan.”
Kryeminstri Berisha përpara qytetarëve të Shkodrës ka premtuar edhe një herë se ndërtimi i unazës së qytetit së shpejti do të bëhet realitet.
“Dua të zotohem edhe një herë para qytetarëve të Shkodrës se unaza e qytetit është një nga projektet më të rëndësishme që do shndërrohet në realitet. Siç ka bërë qyteti shëtitoren, ashtu do jetë edhe unaza e liqenit, një liqen shumë i bukur dhe me një klimë të mrekullueshme, që do shndërrohet në një nga qendrat më të fuqishme turistike të vendit. Përveç kësaj, by pass-i është një vepër tjetër e rëndësishme, që do kompletohet gjatë mandatit të ardhshëm. Unaza i mbetet qytetit, ndërsa by pass-i përjashton të gjithë trafikun ndërkombëtar dhe ndikon fuqishëm edhe në mbrojtjen e tij brenda qytetit.”
Kreu i ekzekutivit ka ftuar të gjithë shkodranët pavarësisht ngjyrimeve të tyre politike t’i bashkohen projektit europian të Partisë Demokratike. Në fjalën e tij kryeministri nuk ka lënë pa sulmuar dhe kryetarin Partisë Socialsite Edi Rama.
“Para se të vija këtu po lexoja në media sesi kryetari i Partisë Socialiste, deri më datën 28 qershor se atëherë via, shkruante sot: Berisha shiritat 200 milionë. E keni të gabuar zotërinj, janë 600 milionë. Sigurisht që ne inaugurojmë, sigurisht që do t’i gëzojmë këto, sepse kemi nevojë për vepra të reja, për rrugë të reja. Edhe një herë thirrja ime vëllazërore është t’i merrni me shpejtësi letërnjoftimet. Thirrja për të gjithë socialistët e Shkodrës: bashkohuni me ne në projektin europian, sepse ky është projekti më i mirë për ju, për fëmijët tuaj, për qytetin tuaj, për vendin tuaj. Për dy vjet me radhë, Edi Rama bënte thirrje në media e takime të çoheni përtej së majtës e të djathtës dhe në fakt, nuk ju solli as të majtën, as të djathtën, por 99-shat. Kur gjërat dolën në dritën e diellit, na doli specia e 99-shave, që janë një specie pa ngjyrë. Ngjyra e tyre janë lejet e ndërtimit, janë sekserë të lejeve të ndërtimit. Ndaj ta lëmë atë me 99-shat e tij e të bashkohemi në projektin europian të autostradave, rrugëve, ujësjellësve, kanalizimeve, pagave e pensioneve, shërbimeve shëndetësore.”
Numri një i qeverisë gjatë vizitës në qytetin e Shkodrës ka inaguruar dhe shëtitoren pranë lumit Buna. Më herët kryeministri Berisha ishte në Shëngjin ku dhe ka inaguruar rrugën Lezhë – Shëngjin e gjate 2.8 km, 16 metra e gjerë dhe me një vlerë prej 270 milion lekësh. Në fjalën e tij Berisha ka deklaruar se brenda vitit 2010 do të përfundojë tërësisht infrastruktura rrugore e ultësirës bregdetare.
“Në vitin 2010, përfundojmë tërësisht infrastrukturën e ultësirës bregdetare. Në zonën turistike të ultësirës bregdetare, nga Velipoja në Ksamil dhe në fshatrat e kësaj zone, janë investuar në infrastrukturë rreth 700 milion euro. Në Shëngjin, ka një investim prej 3 milion euro në infrastrukturën energjetike.”