berisha fusha e aviacionitKryetari i qeverisë Sali Berisha ka patur një tur të ngjeshur takimesh me banorë të Tiranës dhe komunave fqinje me këtë bashki. Në Njësinë Bashkiake numër 7 kryeministri nuk harroi të shprehë mirënjohjen dhe vlerësimin, për atë që e konsideron kontribut i përbashkët për anëtarësimin e vendit në NATO, apo hapat e rinj drejt BE. Në një bilanc të shpejtë të katër viteve, kryeministri thesksoi ndërtimin e të paktën 6 mijë km rrugë të reja, hapjen e 80 mijë vendeve të reja të punës ndërtimin apo rindërtimin e 1012 shkollave, si dhe nxjerrjen nga varfëria 400 mijë shqiptarëve. Për shkak të problematikës së ndjeshme që përfaqëson procesi i legalizimit, kryeministri Berisha e përmendi si dëshmi të angazhimit të qeverisë së tij në këtë drejtim. Këtu shefi i qeverisë akuzoi sërish kryetarin e PS Edi Rama se po përdor për qëllime personale pushtetin politik.
“Ne ia dolëm të vëmë në lëvizje mekanizmin e fuqishëm të legalizimeve në Tiranë dhe në mbarë Shqipërinë. Ata që u përpoqën të na fusin shkopinj nën rrota në këtë proces, dështuan me turp njëherë e përgjithmonë. Ju ftoj ju, ftoj të gjithë qytetarët e Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë të bashkohemi në projektin tonë më madhështor të jetës sonë, projektin e Shqipërisë evropiane, projektin më të bukur për fëmijët tanë, për veten tonë, për vendin tonë. Ne që bëmë realitet ëndrrën atlantiste të shqiptarëve, ne do të bëjmë realitet me shpejtësinë më të madhe ëndrrën tonë evropiane. Ndaj në këtë betejë elektorale, le të jetë kjo fushata e bashkimit të të gjithë shqiptarëve rreth këtij projekti. Socialistëve të Tiranës u takon detyra historike të nxjerrin nga skena politike kryetarin e tyre burracak.

Socialistë të Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë Edi Rama, me një akt të pashembullt në historinë e demokracisë evropiane dhe botërore ju nisi ju në fushatë elektorale dhe për vete ia mbathi prapa karriges së kryetarit të Bashkisë. Edi Rama ka dy vjet që ju thotë ju se do ju çoj përtej të majtës dhe të djathtës, dhe tani kur gjërat dolën në dritë të diellit doli se fjala ishte as për të majtën, as për të djathtën, por për 99-shat e tij, për lejet e ndërtimit. Fjala ishte për ata, të cilëve Edi Rama u jep 70 për qind të lejeve të ndërtimit të kryeqytetit, fjala ishte për ata, me të cilët Edi Rama ndan me dhjetëra e dhjetëra kate ndërtimesh në Tiranë, fjala ishte për 99-shat që mbajnë peng planin urbanistik të Tiranës, fjala ishte për modelin më të korruptuar ndër 3-4 modelet më korruptuara të planetit në lejet e ndërtimit. Ju të nderuar socialistë nuk e meritoni këtë, ndaj le të bashkohemi të gjithë dhe atij ti rezervojmë së shpejti daljen nga politika dhe bashkia. Zoti Edi Rama u thotë qytetarëve shqiptarë se mua më ka votuar Tirana dhe nuk mund të iki. Tre javë rresht i kërkova që të ndryshojmë ligjin dhe e bëra këtë për të respektuar socialistët. Hajde ndryshojmë ligjin dhe në qoftë se të votojnë shqiptarët rri dhe kryeministër dhe kryetar bashkie.”

I sigurt në fitoren e demokratëve në këto zgjedhje, kryemsinitri Berisha ftoi qytetarët pa dallim bindjesh politike t’i bashkohen projektit europian për vendin. Në 26 qershor vetëm dy ditë nga mbajtja e zgjedhjeve të përgjithshme, Partia Demokratike do të zhvillojë në Sheshin “Skënderbej” atë që kryemsinistri e ka cilësuar si mitingu i fitores.

“Ndaj dhe ne le të bashkohemi të gjithë, le të rikthejmë 22 marsin e idealit tonë evropian, e projektit tonë evropian, projekt i cili do të na bëjë të mundur të krijojmë në Shqipëri 160 mijë vende të reja pune; projekt i cili do të na bëjë të mundur të rrisim rrogat dhe pensionet tona më shumë se qytetarët e gjashtë vendeve anëtare të Bashkimit Europian.”

Kashar
Në Kashar kryeministri kujtoi fitoren një vit më parë të forcës politike që ai drejton, në garën për kryetarin e Komunës. Për kryeministrin fitorja ishte dëshmi e besimit dhe garancive që ofron qeverisja e djathtë. Berisha e cilësoi madje një leksion të mirë që sikurse tha, duhet lexuar mirë pasi ishte një votë për reformat dhe një votë kundër politikës së mashtrimit të Partisë Socialiste. Kryeministri vlerësoi po aq frymën demokratike mbi të cilën u zhvilluan zgjedhjet e Kasharit, dëshmi e përgjegjshmërisë qytetare. Berisha ftoi banorët e Kasharit, të votojnë sërish projektin e Partisë Demokratike për qeverisjen qendrore për katër vitet që vijnë.
Laprakë
Në Laprakë kryeministri Berisha tha se qeveria që drejton, investoi 7.5 miliardë, për këtë zonë shifër kjo ndjeshëm më e lartë sesa investimi i socialistëve në 8 vite, që llogaritet në vetëm 2.5 miliard lekë. Por kryeministri u dha garanci banorëve për zbatimin e projekteve të reja në katër vitet që vijnë, duke përfshirë asfaltimin total të rrugëve, ujë 24 orë dhe shkolla të reja. Çdo i ri i kësaj zone tha kryeministri do të ketë mundësi shkollimi të mesëm dhe universitar. Por kryetari i qeverisë garantoi gjithashtu 450 familje të Laprakës, të cilat vuajnë në një situatë të vështirë strehimi, se do të ndërtohen për ta banesa sociale, për një zgjidhje përfundimtare të problemit të tyre.

Sukth
Në Sukth qeveria demokratike ka investuar rreth 1.7 miliard lekë, kundrejt zero investime të socialistëve katër vite më parë. Para këto të hedhura për rrugë të reja, shkolla dhe qendra shëndetësore. Takimin me banorët, kryeministri e shfrytëzoi për të zbardhur projektet e reja për zonën, projekte falë të cilave Sukthi do të urbanizohet plotësisht. Berisha tha se në këtë bashki, në qytet dhe fshatrat përreth, nuk do të ketë asnjë metër rrugë të paasfaltuar, përfshi ndërtimin e Unazës së Re, do të ketë shkolla të reja do të ketë ujë 24 orë për banorët e saj. Kryemsinitri garantoi fermerët e Sukthit për rindërtim të plotë të sistemit vaditës dhe se në katër vitet, që vijnë do të subvencionohen të gjitha projektet e tyre për nxitjen e prodhimit, inputet dhe akcizën e naftës për sipërfaqen e mbjellë.