balet 02Dy suita baleti mbi dashurinë, Rajmonda dhe Spartaku, me koreografi të balerinit të njohur shqiptar Leonard Ajkun Xhokaxhi, janë ngjitur me sukses në skenën e Teatrit të Operas. Mbi historinë dashurore të Raimondës, për Jean, që u celebrua në fund me martesën e lumtur në kështjellë të dy të dashuruarve, krijoi suitën për baletin Raimonda kompozitori rus, Aleksander Glazunov, që i përket epokës së romantizmit.
Ndërsa Spartakus, përcolli një tjetër kulminacion dashurie, atë midis Spartakut dhe gruas së tij Phrigya, që pas vdekjes së Spartakut mbyllet në një finale të dhimbshme dhe heroike. Në këtë suitë, krijuar nën frymën e folkut armen nga kompozitori ruso armen, Aram Khachaturian, në vitet ’50, gjatë epokës së artë të Balshoj Teatër, u ngjit vetë në skenë Leonard Ajkun, një nga emrat e njohur në botën e baletit. Këto shfaqje baleti që kanë patur një pritshmëri absolute në skenat botërore, patën një impakt të bukur edhe tek publiku shqiptar, falë solistëve dhe trupës së baletit dhe rikthimit në skenën tonë të balerinit Astrit Zejnati, dhe padyshim koreografit shqiptar, që tashmë punon në Nju Jork, Leonard Ajkun Xhokaxhi.