berisha fusha e aviacionitNë Gjirokastër kryeministri Sali Berisha bëri një bilanc të katër viteve qeverisje. Rezultatet kryetari i qeverisë i ndau qytetarët kur tha se falë kontributit të tyre, vendi është anëtar i NATO-s, është në krye të listës europiane për nga rritja ekonomike, ka shënuar rezultate domethënëse në luftën ndaj korrupsionit. Kryeministri u ndal posaçërisht tek Gjirokastra. Në këtë rreth u investuan në katër vite njëzet herë më shumë se sa në tetë vitet pararendëse tha Berisha, ose 6.2 miliardë lekë kundrejt 800 milionë lekëve të investuar nga socialistët. Paratë të shpenzuara për ndërtimin e 23 ujësjellësave dhe 34 rrugëve te reja.
“Në bashkëpunim me UNESCO-n qeveria shqiptare ka investuar rreth 200 milionë lekë dhe ju garantoj se do t’i rikthejmë të gjithë gjallërinë që ka pasur dhe meriton të ketë. 120 milionë lekë u investuan në nënstacionin dhe linjën 20 kilovolt, duke i siguruar Gjirokastrës në këtë mënyrë një furnizim stabël me energji elektrike. Fermerët e Gjirokastrës janë subvencionuar nga qeveria ime 33 herë më shumë se nga qeveritë e mëparshme. Autostrada Gjirokastër – Tepelenë, një investim prej 20 milionë euro është një nga rrugët më të bukura të Shqipërisë. Autostrada Kardhiq – Delvinë, një investim prej 1.5 miliardë lekë po ikën me shpejtësi. Unë kam ardhur sot tek ju për marrëveshjen e re, për kontratën e re të Gjirokastrës evropiane, të Shqipërisë evropiane.”
Por krahas projekteve të përfundura apo në zbatim kryeministri bëri publike projekte e reja për Gjirokastrën. Këtu shquan ndërtimi i boshtit rrugor jugor.
“Gjirokastra evropiane dhe Shqipëria evropiane, për mua dhe për ju do të thotë që ne të kemi rrugë të standardeve evropiane. Ndaj, ju jap fjalën që Boshti i Jugut është projekti i të gjitha projekteve të mandatit që vjen. Brenda këtij mandati distanca Gjirokastër – Tiranë do të shkurtohet me së paku 80 deri 100 kilometër. Ju do të arrini në Tiranë në një kohë dy herë më të shkurtër sesa sot. Gjirokastra evropiane dhe Shqipëria evropiane, për mua dhe për ju do të thotë të keni ujë 24 orë, jo vetëm në qytet, por në çdo fshat të Gjirokastrës dhe të Shqipërisë.”
Projekti i demokratëve për Gjirokastrën parashikon ndërtimin e rrjetit rrugor në të gjitha komunat e këtij rrethi apo dhe subvecionim të fermerëve. Për të gjitha këto kryemsinitri ftoi banorët të votojnë projektin e demokratëve. Një thirrje të posaçme kryeministri u adresoi qyetarëve minoritare si dhe emigrantëve shqiptarë në Greqi.
“U bëj thirrje të gjithë qytetarëve të minoritetit të votojnë Partinë Demokratike. U garantojë se investimet në katër vitet që vijnë do të jenë së paku 15 herë më të mëdha se ato të katër viteve që shkuan. Unë ju jap fjalën se nuk do të jetë e largët dita kur bijtë tuaj, bijtë e Gjirokastrës dhe të mbarë Shqipërisë që punojnë sot në tokat e vendeve të tjera, të vijnë në Shqipëri, të punojnë në shtëpitë e tyre, të mbrothësojnë në shtëpinë e tyre. Në emrin tuaj le t’i drejtojmë një thirrje të gjithë emigrantëve shqiptarë kudo që janë.
Ju bëj thirrje që të vini më 28 qershor për të votuar për Shqipërinë evropiane, për Gjirokastrën evropiane. Ju bëj thirrje juve, qytetarëve të Gjirokastrës dhe mbarë Shqipërisë u dërgoni letra, u telefononi, i ftoni të vijnë edhe të çmalleni me ta edhe të kontribuojnë me votën e tyre të lirë për një Shqipëri Evropiane. I ftoj emigrantët të vijnë në këtë vend dhe të votojnë, sepse katër vitet që vijnë do ta bëjmë Shqipërinë krejtësisht tjetër.
Në këtë vend nuk do të ketë rrugë të paasfaltuara, në këtë vend do të ketë ujë 24 orë dhe Shqipëria do të jetë vend lider për investimet e huaja në rajon. Vetëm Vjosa me 8 hidrocentralet e saj dhe hidrocentralet e tjera do të punësojnë dhjetëra mijëra punonjës të Gjirokastrës dhe të mbarë Shqipërisë. 28 qershori është një takim i madh. Së pari takohemi me 10-ën,10-a është secili prej nesh, asnjë nga ne nuk është më pak se 10-ë. 10-a janë familjet tona, janë fëmijët tanë, është Gjirokastra, është projekti ynë evropianë, është Shqipëria evropiane, është Partia Demokratike, është Evropa blu që po pret me padurim Shqipërinë blu në 28 qershor. Rrofshi ju!”

Ndalesa në Leskovik u parapri nga inagurimi i Rrugës Leskovik – Tre Urat. Investim i standarteve më të mira europiane me vlerë 800 milion lekë nga buxheti i shtetit. Në total investimet e qeverisë demokratike për këtë zonë llogariten në 749 milion lekë, kundrejt 240 milion lekëve të investuara në tetë vite të qeverisjes socialiste. Programi i ri qeverisës parashikon projekte të reja të cilat kryeministri i bëri publike përpara banorëve në takim.
“Unë jam sot këtu për tu zotuar se këto investime në 4 vite që vijnë do të jenë së paku 10 here më te mëdha. Së pari, në infrastrukturën rrugore, kam ardhur sot tu garantoj se aksi rrugor, Kolonjë-Leskovik do të rindërtohet i tëri, me parametra evropiane, se aksi rrugor Leskovik- Përmet, do të rindërtohet i pari, në parametra evropianë. Sapo inauguruam këtu rrugën e Leskovik- Tre urat, të standardeve më të mira evropiane me vlere 800 milion lekë. Në 4 vitet që vijnë, ju do të keni një nga infrastrukturat rrugore më të mira në Shqipëri dhe në rajon.”