mjaft1Bizneset e mëdha multimilionere të Velisë dhe Manzikut, qindra miliona lekë nga shteti dhe ambasadat e huaja

Ne 15 Mars 2003, kur filloi për herë të parë fushata MJAFT (e projektuar që në 6 Janar 2002 në zyrat e Soros Tiranë), Erion Velisë i duhej të faturonte 350 mijë euro të donatorëve të huaj të cilat duhej të shpenzoheshin brenda 4 muajve sepse Fushata (e dy organizmave të krijuara nga Soros Tiranë) ishte planifikuar të transformohej në Lëvizjen MJAFT, dhe kështu duheshin xhiruar mbi 100 mijë dollarë të tjera me urgjencë para se të mbyllej viti 2003 sepse duhej të fillonte lëvrimi i shumës së re të 2004.
Për këtë arsye u regjistrua në Gjykatën e Tiranës Biznesi CP&R i cili përgjatë vitit 2003 mbuloi të gjithë faturat e qindra mijë eurove për postera, volantina, bluza, banesa, fletëpalosje, etj. Që emrat e personazheve të diversifikoheshin, u desh që personi që do të drejtonte biznesin të ishte një njeri i besuar dhe këtë askush s’mund t’a bënte më mirë se Denis Behluli, vëllai baptist i Arbian Maznikut. Denisi i punësuar deri në atë moment nga Drejtoresha e Soros Tiranë, Valdete Sala me kërkesë të Arbian Maznikut, në zyrën e informacionit studentor pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës (një nga gropat më tipike financiare të Soros në Tiranë sepse ishte një qendër interneti pa internet, dhe gëlltiste çdo vit dhjetëra mijë dollarë duke mos ofruar asgjë), ishte njeriu më i besuar i Arbian Maznikut (vëllai baptist) dhe Endri Fugës, por kishin miqësi të vjetër edhe me Erion Velinë. Siç dihet, lidershipi i MJAFT dhe Grupimit Politik G99, janë të gjithë anëtarë të sektit fetar baptist Tiranë në kishën e të cilit mësuan edhe anglishten dhe të folurën publike me pastorë amerikanë, pavarësisht se një vit më parë Erion Veliaj u konvertua publikisht në protestant (në një emision TV të Top Channel).
Me qindra mijë euro u faturuan me një shpejtësi marramendëse dhe kështu biznesi i vëllait baptist të Maznikut arriti të siguronte fitime të paimagjinueshme të cilat shërbyen edhe si kapital fillestar i rrugës së gjatë të grupimit politik G99. Deri më sot diskutohet që ky biznes që u ngrit me ndihmën e Velisë, Maznikut, Fugës, Pustinës, etj. arriti të kapë klientelë pranë Ambasadave dhe Donatorëve më të rëndësishëm në Shqipëri duke përfshirë Këshillin e Europës, Delegacionin e Komisionit Europian, OSBEnë, Ambasadën Britanike në Tiranë, UNDP, etj. Ky biznes miliardësh i djemve të MJAFT dhe G99, sot përfaqëson një kompani të konsoliduar në treg dhe klientela e saj zgjerohet çdo ditë.

Ndërkohë që nga 2004 u fut në treg pjesë pjesë edhe biznesi i Erion Velisë, i përfaqësuar nga Arbër Veliaj, biznesi i të cilit mbante dy emra: “Grafik Propaganda” dhe “Fshati Urban”. Vëllai i Erion Velisë, Arbër Veliaj, i njohur në media në 2006 nga fotografitë e tij ku pozonte i veshur si femër në festat e MJAFT, me biznesin e tyre mbulojnë prej vitesh një numër të madh klientësh publikë, ndërkombëtarë dhe privatë.
Nga të dhënat e mbledhura për Biznesin e Erion Velisë që herë prezantohet me emrin Grafik Propaganda dhe herë Fshati Urban, rezulton se Veliaj ka marrë para nga edhe nga taksapaguesit shqiptarë siç është rasti i Bashkisë Tiranë dhe Bashkisë Durrës. Nuk dihet shuma e përfituar nga Edi Rama dhe kryetari i Bashkisë Durrës, por është fakt se klientët e biznesit të Erion Velisë janë edhe institucione ndërkombëtare si Banka Botërore apo UNICEF. Siç shihet edhe nga faqja e publikuar nga Arbër Veliaj, rezultojnë mbi 54 klientë të rëndësishëm por ndërkohë nuk gjendet as në Gjykatë dhe as në databasen e QKR asnjë e dhënë për këtë biznes multimilioner. Ajo që të bën përshtypje nga investigimi i Gazetës Sot, është se ky biznes e ka filluar jetën e tij sipas të dhënave të publikuara nga MJAFT nëpërmjet 4000 dollarëve që Milva Ekonomi dhe Klotilda Ferhati, dy themelueset e regjistruara në gjykatë të MJAFT dhe Grupimit politik G99 nëpërmjet fondeve që MJAFT ka shpërndarë si mikrokredi në mënyrë të paligjshme në vitin 2005 – 2006. Por kjo është një çështje që do të prezantohet në ditët në vazhdim. Rasti i vëllait të Erionit që prezantohet nga një djalë i vogël dhe i varfër (sipas kushteve të dhënies së mikrokredisë) që e nisi me 4000 dollarë dhe përfundoi me 54 klientë të rëndësishëm (që normalisht duhet të qarkullojë çdo vit të paktën 100 milionë lekë duke siguruar të ardhura në disa qindra mijë euro) e rreshton vëllain e Velisë si një nga njerëzit më të suksesshëm të Shqipërisë. Problemi qëndron se Lëvizja MJAFT ka derdhur shuma të pallogaritshme parash në biznesin e Velisë dhe kjo tregon edhe një nga mënyrat e akumulimit fillestar të kapitalit të biznesmenëve të rinj të politikës shqiptare që vijnë nga shoqëria civile. Siç rezulton nga të dhënat tona, janë mbi 250 mijë euro të inkasuara vetëm nga projektet e MJAFT në këtë biznes, para që donatorët e huaj i kanë sjellë në Shqipëri për të ndihmuar shoqërinë civile. Por siç del nga të dhënat tona, ky biznes që ka kontrata me UNICEF, Bankën Botërore, Bashkinë Durrës, etj. nuk gjendet i regjistruar në gjykatën e Tiranës dhe as në QKR. Ka dyshime reale se biznesi i Velisë Fshati Urban (e prezantuar online nën emrin Grafik Propaganda) është një biznes i paregjistruar fare në gjykatë dhe as në QKR duke përbërë një nga skandalet më të mëdha financiare të biznesit politik në Shqipëri. Ndërkohë që shifrat e pallogaritshme financiare që ky biznes ka qarkulluar në Shqipëri, e vënë Erjon lejfenin në top listën e evazionit fiskal. Nëse Veliaj do ta kishte regjistruar Fshatin e tij Urban që bën trafiqe propagande si biznes të vogël, atëherë ai e ka kaluar me kohë kufirin e evazionit fiskal por nëse ky biznes nuk është regjistruar fare duke u lejuar nga Drejtoria e Tatim Taksave të Bashkisë Tiranë të punojë në të zezë, atëherë kemi të bëjmë me një rast të paprecedent të abuzimit të hapur në bashkëpunim midis Erion Velisë dhe shefit të tij Edi Rama.
Paratë që ka faturuar CR&R i ngritur me ndihmën e tre drejtuesve të G99, Erion Veliaj, Arbian Mazniku, Endri Fuga, dhe Fshati Urban i Velisë, për llogari të ambasadave të huaja në kuadër të projekteve të MJAFT, kapin shifra mbi një miliard lekë. Këtu në shumë projekte përfshihen edhe Fushata MJAFT, Karvani MJAFT, Votoj, Jeto Gjelbër, Blini produkte shqiptare, Shkunde Votën, Festivali i Aktivizmit, MJAFT Festë (6 vjet rresht), Punësimi Rinor, Monitorimi i Zgjedhjeve, Monitorimi i Pushtetit Lokal, Parlamentit, Ministrive, dhe tashmë së fundi edhe Gjykatave me paratë e USAID, përcakton një nga rastet më të rënda të abuzimeve në Shqipëri. Siç rezulton nga të gjitha të dhënat e deritanishme, me paratë e taksapaguesve të shteteve të ndryshme, të destinuara për shoqërinë civile në Shqipëri, janë ushqyer bizneset e tre politikanëve të rinj Erion Velia, Arbian Mazniku dhe Endri Fuga. Në këtë mënyrë është e mundshme të kuptohet se si arritën që këta djem të rinj, të kenë shtëpitë më të shtrenjta në Tiranë me qindra metra katrorë, me pishina që ndodhen në tarraca pallatesh 11 katëshe.
Këta tre biznesmenë të rinj multimilionerët të politikës shqiptare që vijnë nga shoqëria civile, janë fytyra më e shëmtuar e korrupsionit dhe abuzimit financiar në Shqipëri. Backgroundi i tyre ekonomik vërteton katërcipërisht se politika e re e Edi Ramës bazohet pikërisht në këto principe abuzivizmi dhe korrupsioni. Tremusketierët Veliaj, Mazniku dhe Fuga nën leksionet e Dardajanit Edi Rama, kanë shpikur lojëra manipulative financiare me paratë e destinuara për shoqërinë civile shqiptare, duke i shpërdoruar këto para dhe krijuar benefice për vete dhe familjarët e tyre. Modeli i mësipërm është një nga modelet më të frikshme të politikanëve të rinj që pretendojnë të futen në politikë. Duke qenë kaq të inkriminuar me afera shpërdorimesh në shoqata të cilat kanë njëfarë kontrolli nga donatorët, i frikshëm do të jetë momenti nëse paratë e shqiptarëve do menaxhohen nga qeveritarë të këtij modeli.