A dëshmon Shqipëria histori në këtë përvjetor të 20-të të rënies së Murit të Berlinit
fatos lubonja“Ridënimi”, një copë e autobiografisë tronditëse nga burgjet e regjimit të shkrimtarit dhe publicistit Fatos Lubonja, tashmë është botuar në Angli, nga “I.B.Tauris”, me titullin “Second Sentence: Inside the Albanian Gulag”.
Përkthyesi John Hodgson e kishte thënë se kjo punë po shkonte drejt fundit kur në pranverë mori në Shqipëri çmimin “Jusuf Vrioni” për kontributin në përhapjen e kulturës shqiptare në gjuhë të huaj.
John Hodgson ka shkruar një pasthënie sintetike, në të cilën informon një lexues të huaj se Shqipëria nën drejtimin e Enver Hoxhës ishte një diktaturë ku mungonte liria e shprehjes dhe kryheshin ekzekutime pa gjyqe, gjyqe absurde, dënime dhe ridënime, goditeshin grupe armiqësore dhe armiqtë e klasës. Hodgson e njeh mirë historinë e Shqipërisë të kësaj periudhe.
Ai ka në proces përkthimi edhe tregimet e burgut të Lubonjës, për të cilët thotë se mësojnë “çfarë do të thotë të jesh njeri”. Për “Ridënimin” akoma nuk është botuar ndonjë recencë në shtypin britanik, çka do të thotë përhapje e lajmit dhe njohje e një vepre që tregon ç’ishte Shqipëria.
Ka të ngjarë që promocioni këtij libri t’i mungojë gjatë, sadoqë shenjë e mirë ishte që një nobeliste e fundit angleze, Doris Lessing, jepte një vlerësim në kopertinën e pasme të “Ridënimit”. Po edhe studiuesi i letërsisë shqipe dhe përkthyesi i saj në anglishte, Robert Elsie. Blerja e librit shërbehet tashti edhe në Amazon.
Hodgson e cilëson këtë roman dokumentar të një dëshmitari të drejtpërdrejtë të regjimit, sot një personalitet i mendimit kritik modern shqiptar, si “një vepër jo vetëm historike që tregon për periudhën më të errët të shqiptarëve, po edhe si vepër me një mendjekthjelltësi morale të jashtëzakonshme.
Është një vepër humane që tregon për vuajtjet e autorit në burg, po pa hidhërim, pa mllefe, pa vajtim, një gjakftohtësi dhe një qasje njerëzore jo e zakontë… Është një lloj letërsie që lexuesi anglez e sheh si diçka të largët që ka përjetuar një popull i huaj. Ky lexues do të bëjë krahasime me letërsinë ruse dhe me letërsi të burgjeve të tjera totalitare.
Ka për të gjetur ca ngjashmëri, po edhe dallime, por janë disa gjëra shumë të vështira për t’u kapur nga lexuesi ynë… Ai regjim ka disa karakteristika që janë shumë të vështira për t’u kuptuar nga lexuesi i huaj.”
A dëshmon histori përtej vetes Shqipëria, në këtë përvjetor të 20 të rënies së Murit të Berlinit? Nëse vetë ekzistenca e këtij muri për Evropën është historia dhe shkas për të analizuar çfarë ndodhi përtej tij, po Shqipëria çfarë ka për të treguar?
Nëse shqiptarët ishin vetëm kur jetuan nën diktaturë, rrëfimin e kësaj përvoje dikush duhet ta dëgjojë. Por ky rrëfim s’mund të jenë vetëm librat.
Pesë vepra të shkëlqyera janë shkruar (vetë Lubonja është autor i këtij romani dokumentar (1996) i ditarit të burgut “Në vitin e shtatëmbëmbëdhjetë” për të cilin u vlerësua më 2002-shin me çmimin “Moravia” dhe “Ploja e mbrame”) në këto njëzet vjet, por qenkan kaq pak përballë kundërhistorisë që u prodhua nga vetë shqiptarët dhe udhëheqësit e tyre në këto njëzet vjet.
Në përvjetorin rënies së murit, shqiptarët mund të provojnë përse ra komunizmi, por nuk mund të tregojnë se ç’ishin burgjet; do të jetë e vështirë po aq t’u jepet përgjigje pyetjeve se në ç’formë ka ekzistuar antikomunizmi; se kush e përfaqësonte antikomunizmin pas nëntëdhjetës në këtë vend; si u përdor ai nga politika e sotme që u ndodh në skenë prej politikës së djeshme; përse të refuzuarit e regjimit të djeshëm nuk mundën të kishin ndonjë rol kyç në ndërtimin e demokracisë; përse jo elita, e cila nuk ekzistonte në formën që do duheshe të vinte në ndihmë; po as arti, roli i të cilit ka qenë i papërfillshëm, kur duhej dhe duhet të kryejë dialog me njerëzit mbi të kaluarën, ngaqë artin në Shqipëri vazhdojnë ta prodhojë shteti dhe rrogëtarët, mendje të robëruara. As shtypi që bëhet nga qytetarët për vetë qytetarët.
A ka sot Shqipëria dëshmi për të provuar përse këtu diktatura ishte më e egra e kampit të Lindjes? Nuk mund ta dëshmojë. Librat janë pak. Aq më pak kur diktatura në Shqipëri, deri tani, i është treguar nëpërmjet letërsisë lexuesit të huaj, si një regjim metaforik apo simbolik, duke provuar kështu se të gjitha regjimet kanë anën e tyre universale e të përbashkët, sado në kohë dhe në vende të ndryshme. Por kjo lloj letërsie nuk provon dot unikalen dhe thelbin e një diktature në një vend të vetmuar.
Ato kampe të punës së detyruar, ato mjedise të hetuesisë, dhe të persekutimit mendor, ato vende dënimesh brenda vendeve të dënimit, siç ishin birucat, vendet e ushqimit dhe të shfrytëzimit të trupit për punë, minierat, komandat. Këto nuk janë më. Këto, ashtu siç i përshkruan Fatos Lubonja në verën e vitit 1978 tek “Ridënimi” i tij, në Spaç, ku mundësia për të fituar lirinë ishte baras me vdekjen, nuk janë më.
Shqipëria nuk ka mur, sikur ai mur të mos ketë ekzistuar kurrë. E dalë si nga një masakër, ajo e ka trupin të shkëputur nga e kaluara dhe kokën të ngulur në shtizën e saj.
Ja fituesit e edicionit të tretë të “Çmimit AIITC”
U shpallën dje fituesit e edicionit të tretë të “Çmimi AIITC”, i organizuar nga Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam. Ky çmim ka në fokus krijimtarinë e vitit që ikën. Individë të shkencës dhe artit shqiptar morën medalje argjendi, dëshmi motivuese dhe stimuj në vlerë monetare për arritjet e tyre, në bazë të gjykimit që ka bërë për ta një juri.
Organizatori dhe drejtori i Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam, Dr. Ramiz Zekaj, në fjalën e tij përshëndetëse theksoi se mungesa e një kritike aktive dhe të konsoliduar në trojet shqiptare, e bën shumë të nevojshëm mbajtjen e këtij evenimenti, në të cilin testohen prurjet artistiko-shkencore të vitit dhe krijohet një orientim i qartë drejt vlerave të mirëfillta dhe mesazheve të dobishme për shoqërinë shqiptare, që ka kaluar shumë peripeci e sfida.
Sipas z. Zekaj, në këtë edicion të tretë të “Çmimit AIITC”, numri i konkurrentëve është rritur ndjeshëm, por në mënyrë të dukshme është rritur edhe niveli artistik e shkencor i krijimtarisë së paraqitur, gjë e cila e bën më të bukur, por njëherësh edhe më të vështirë dhënien e “Çmimit AIITC”.
Libri më i mirë i vitit në fushën e shkencës dhe kulturës islame u vlerësua libri studimor me titull, “Përkthimet e letërsisë arabe në gjuhën shqipe”, i hartuar nga profesori i orientalistikës në Universitetin e Prishtinës, Dr.
Feti Mediu. Vlerësime në këtë kategori morën edhe librat “Vexhi Buharaja – pa mite e mjegull”, i autorit Yzedin Hima, libri publicistiko-letrar, “Myftinia e Dibrës dhe Ruzhdi Lata”, i autorit Mevlud Buci, libri “Hafiz Ibrahim Dalliu (Jeta dhe Vepra)”, i autorit Xhemal Balla, si dhe libri “Xhamitë e Tiranës”, i autorit Roald Hysa.
Për herë të parë u akordua dhe një çmim për pikturën, i cili iu dha piktorit Idlir Koka.
Në kategorinë e tretë të çmimit ishin pikërisht krijimet nga moshat e reja.

Kryetari i jurisë për këtë kategori me temë “E bukura në shpirt dhe në jetë” ishte Prof. dr. Arian Kadiu, i cili akordoi çmimin e parë për studenten e Fakultetit Histori-Filologji, Aseda Behari, për romanin e saj “Një jetë tjetër”, ndërsa me çmimin e dytë, poezia Oltion Lilës, student i Akademisë së Arteve të Bukura në Tiranë.
Çmime inkurajuese u dhanë edhe për të rinjtë, Sytrim Halitaj nga Kosova, për vëllimin e tij poetik “Vesa e përditshmërisë”, për poezitë e studenteve të Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë, Lindita Pima dhe Gentiana Zmalaj, si dhe për nxënësen e shkollës së mesme “Qemal Stafa”, Ejona Qesari.