sali_berisha-erdogan2Rrëshen, (Ora13:30)- Kryeministri Sali Berisha dhe homologu i tij turk, Rexhep Taip Erdogan, mbërritën në orën 13:00 në Rrëshen, dhe pasi përshkruan një pjesë të rrugës në këmbë mbajtën fjalën e tyre. Në fjalën e tij kryeministri Berisha tha se “kjo vepër është dëshmia e madhështisë së lirisë, ndërtuar këtu në terrenin ndoshta më të vështirë të planetit nga njëri prej kombeve që vetëm 18 vite më parë renditej në 3-4 më të varfërit në botë”.

Në urën e Fanit, pak kilometra në të djathtë të Rrëshenit, Kryeministri kujtoi se kjo vepër publike, më e madhja e ndërtuar në historinë e vendit, “është ndërtuar në kohë rekord. Ajo filloi në shkurtin e vitit 2007 dhe përfundoi në qershorin e këtij viti”.  

Berisha cilësoi në fjalën e tij se kjo autostradë dëshmon se kombet e lira mund t’i shndërrojnë ëndrrat e tyre në realitet. “Sot në përjetojmë shndërrimin në realitet të një ëndrre shekullore të shqiptarëve”, tha ndër të tjera Kryeministri Berisha.

“Krenohemi për këtë vepër të madhe”, deklaroi Kryeministri i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, duke mos i fshehur emocionet edhe për faktin se në krah me kompaninë Bechtel, e cila realizoi edhe projektin më të madh inxhinierik të shqiptarëve, është edhe kompania turke Enka. Kryeministri turk tha se ndërtimi i autostradës do të ndikojë në forcimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të Kosovës, të cilën, sipas tij, tani e kemi më afër si një shtet të pavarur.

Erdogan u shpreh se kjo rrugë arriti t’i bashkojë edhe fizikisht dy vendet, Shqipërinë dhe Turqinë, ndërsa siguroi se ky partneritet do të vazhdojë duke u forcuar gjithnjë e më tepër. Në këtë drejtim, ai shtoi se “jemi të gatshëm të ndihmojmë për stabilitetin e mirëqenien e Shqipërisë dhe Kosovës”.

Duke u ndalur në rëndësinë e bashkëpunimit ndërrajonal, Erdogan tha se “fjala Ballkan ka kuptim vargmale, megjithëse mes vendeve ka male ne mundëm që gjatë gjithë historisë të jemi afër dhe të realizojmë së bashku idealet për një jetë më të mirë”.

Rrëshen, (Ora 12:50) Përurimi i “Durrës-Kukës”; mungon Hashim Thaçi

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi nuk do të marrë pjesë në përurimin e rrugës Durrës-Kukës. Lajmi është konfirmuar nga Zyra për Shtyp e Kryeministrisë teksa mospjesëmarrja është justifikuar me axhendën shumë të ngjeshur të Kryeministrit, i cili pritet të udhëtojë për një takim pune drejt SHBA-ve.

Rrëshen – Nis përurimi i rrugës “Durrës-Kukës”

Ceremonia e përurimit të autostradës Durrës-Kukës ka nisur mes një entuziazmi dhe interesimi të madh. Të pranishëm janë dhe gjithë anëtarët e kabinetit qeveritar, përfaqësues të medias shqiptare dhe asaj të huaj, OSBE-së dhe drejtues dhe punëtorë të firmës amerikano-turke Becthel- Enka që kryen punimet në segmentin Rrëshen-Kalimash, një ndër më të vështirët.

Shiriti i përurimit, sipas axhendës zyrtare, do të pritet nga Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe Kryeministri i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan.

Referuar axhendës, përpara prerjes së shiritit, tre Kryeministrat do të përshkojnë në këmbë një pjesë të rrugës dhe më pas do të mbajnë fjalët e rastit.

Durrës-Kukës do të shkurtojë me 65 kilometra distancën Shqipëri-Kosovë. Nga 330 që ishte distanca Tiranë-Prishtinë, me përfundimin e kësaj rruge ajo do të jetë 265 kilometra dhe më së shumti atë e shkurton tuneli Thirrë- Kalimash, më i madhi në Ballkan. Përgjatë autostradës Durrës- Kukës janë ndërtuar 29 ura, më e larta e të cilave është 80 metra.