ceku_1Prishtinë-Ish-kryeministri i Kosovës, Agim Çeku është liruar nga policia bullgare, pas dy ditësh nën arrest. Lajmin e bën të ditur agjencia bullgare e lajmeve “Fokus”, sipas të cilës gjykata e qarkut në Qystendil vleresoi se Çeku nuk ishte fajtor dhe për pasojë urdhëroi lirimin e tij. “Agim Çeku është liruar nga paraburgimi dhe shumë shpejt pritet të kthehet në Kosovë”-konfirmoi gjithashtu zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, Albana Beqiri.

Të enjten, avokatët e Agim Çekut kanë sjellë si dëshmi letrën e kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi me të cilën dëshmohet se ish-kryeministri i Kosovës ka status diplomatik. Një tjetër letër e paraqitur në seancë ka qenë edhe ajo e Kombeve të Bashkuara, në të cilën thuhet se i arrestuari është nën kompetencat e misionit të Kombeve të Bashkuara.

Agim Çeku u arrestua të martën në Bullgari, pas një urdhër arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia, e cila e akuzon ish-kryeministrin kosovar për krime lufte. Megjithatë, kjo duket më shumë një hakmarrje nacionaliste se sa e bazuar në fakte.