Fol_shqip1Shkup – Në institucionet shtetërore të Maqedonisë nuk po gjen zbatim gjuha shqipe, edhe përkundër miratimit të një ligji. Qytetarët theksojnë se nuk vërejnë se ka ndonjë ligj, për shkak se ata vazhdojnë të drejtohen në gjuhën maqedonase. Ligji i miratuar për përdorimin e gjuhëve i promovuar tejmase nga koalicioni aktual qeveritar është vënë në heshtje totale dhe akoma nuk ka gjetur zbatimin e tij praktik.

Kaosi i krijuar për implementimin e këtij ligji nuk ka fund. Në shumë institucione shtetërore ka ngecje të mëdha dhe as që ka filluar faza e parë e implementimit praktik të këtij ligji. Mungon informimi praktik i përdorimit të gjuhë shqipe. Qytetarët shqiptarë në Maqedoni nuk janë të informuar saktësisht se sa lejon dhe ku lejohet përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe në institucionet e shtetit dhe në çfarë mase është përdorimi i gjuhës së tyre amtare.

Sipas Ligjit të ri, gjuha shqipe është zyrtare në të gjitha komunat ku popullsia shqiptare është mbi 20 për qind, ndërsa në komunat ku popullsia është nën këtë shifër, nuk lejohet përdorimi i gjuhës shqipe, kështu që shqiptarët e Maqedonisë Lindore nga Velesi e deri në Manastir dhe në anën tjetër në Ohër janë të sanksionuar rreth përdorimit të gjuhës shqipe.

Komisioni Evropian në raportin e nëntorit për përparimet në Maqedoni ka kritikuar mënyrën e sjelljes në Parlament të këtij ligji duke drejtuar kritika nga partitë e maxhorancës.