GODO-qsut1Spitali i ri në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, në Tiranë, do të sjellë një standard të fundit evropian në shërbimin shëndetësor që i ofrohet qytetarit shqiptar. Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, e shoqëruar nga Kryetari i Komisionit Parlamentar të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë, Tritan Shehu, drejtoresha e QSUT-së, Gjeorgjina Kuli, inspektoi të enjten përfundimin e punimeve të fazës së parë të ndërtimit të spitalit të ri në QSUT.  Investimi për ndërtimin e spitalit të ri në QSUT, sipas ministres Godo, në total është në vlerën e 53 milionë eurove, nga të cilat rreth 30 milionë janë për ndërtimin e godinës dhe 20 milionë për pajisjen e saj. Ky është financim i  përbashkët i qeverisë shqiptare, e cila realizon 37 % të financimit dhe Bankës së Këshillit të Europës, me 63 për qind të financimit. Faza e parë e ndërtimit të spitalit të ri përfshin tre katet e para, si dhe atë të nëndheshëm, me një vlerë prej 21.4 milionë dollarë. Ndërkohë, sipas ministres së Shëndetësisë, është hapur tenderi me 7.3 milionë euro për pajisjen e këtyre kateve të përfunduar.

“Në katin e nëndheshëm do të vendoset shërbimi apo departamenti i imazherisë, që do të ketë pajisjet më moderne të imazherisë, bashkë me sterilizimin qendror”, tha znj. Godo. Urgjenca, e cila është e vendosur në katin e parë të spitalit të ri, do të jetë një shërbim i ofruar me standarde të larta. “Nuk do të kemi më probleme të një ngushtësie në periudhë epidemish në repartin e urgjencës”, theksoi ministrja e Shëndetësisë.

Ajo pohoi se “më pas, kemi shërbimin e reanimacionit, i cili gjithashtu do të jetë i një standardi të lartë, kemi gjithashtu shërbimin e kirurgjisë me 30 shtretër, dhe shërbimin e dytë të traumatologjisë, që ofrohet në qendrën e Tiranës, përveç Shërbimit të Traumatologjisë pranë Spitalit Ushtarak”. Në total, kapaciteti i shtretërve për fazën e parë të spitalit (tre kate dhe kati i nëndheshëm) është 180, ndërkohë që me përfundimin e fazës së dytë dhe katet në shtim, ky numër do të jetë më i lartë.

Ministrja Godo u shpreh optimiste që në fund të këtij viti, të futen në spital të sëmurët e parë. “Fundi i vitit duhet të na gjejë duke shtruar të sëmurët e parë në ambientet e spitalit”, u shpreh ajo. Aktualisht, Qeveria shqiptare dhe Banka e Këshillit të Europës janë në bisedime për marrëveshjen e fazës e dytë, që përfshin ndërtimin e dy kateve të sipërme, ku do të jenë të vendosura dhe 7 salla me teknologji të lartë operacioni, por dhe repartin e hematologjisë.