Martens-berisha1Presidenti i Partive Popullore Evropiane, Wilfried Martens vlerësoi sot se “qeveria shqiptare nën drejtimin e Kryeministrit Sali Berisha i hapi Shqipërisë perspektivën evropiane të zhvillimit”. Presidenti i Partive Popullore Evropiane (PPE), Wilfried Martens, i cili ndodhet në Tiranë për të mbështetur Partinë Demokratike në zgjedhjet e 28 Qershorit, u prit sot në një takim në selinë e qeverisë nga Kryeministri Sali Berisha.  Pas takimit me dyer të mbylluara, dy personalitet dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp, gjatë së cilës z. Martens vlerësoi “ndryshimin rrënjësor dhe gjigand ka bërë Kryeministri Berisha për vendin dhe popullin e tij”.

Duke shprehur mbështetjen e plotë për kryeministrin Berisha dhe Partinë Demokratike, zoti Martens theksoi se “këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë dhe të gjithë rajonit”. “Kjo fushatë zgjedhore është shumë e rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë dhe të gjithë rajonit, për të patur një kryeministër dinamik dhe një qeveri dinamike dhe për të përgatitur të ardhmen evropiane të Shqipërisë, si një pol të stabilitetit në të gjithë rajonin”, tha zoti Martens.

Presidenti i PPE-së shprehu bindjen se “Shqipëria duhet të bëhet anëtare e BE-së”, ndërsa vlerësoi se “një nga rezultatet kryesore të Kryeministrit Berisha është realizimi i perspektivës evropiane dhe antlantiste të Shqipërisë”. Shqipëria tashmë është anëtare e NATO-s, tha zoti Martens, duke nënvizuar se “qeveria shqiptare ka mundësuar edhe nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Associimit  me BE”. Në këtë kuadër, Presidenti i PPE-së siguroi se “do ta mbështesë Kryeministrin Berisha dhe qeverinë e tij për të realizuar liberalizimin e vizave në BE-në”.

“Ne konstatuam një progres shumë të madh për sa i përket fushës sociale dhe fushës ekonomike. Tashmë Shqipëria ka një buxhet të stabilizuar dhe ka krijuar një infrastrukturë të re për Shqipërinë. Për këtë arsye, ne si Parti Popullore Evropiane do ta  mbështesim atë në këtë fushatë”, tha z. Martens. Në këtë periudhë të krizës financiare, sipas zoti Martens “pjesa më e madhe e votuesve evropiane i besuan PPE-së, si një faktor stabiliteti, ndaj dhe për këtë arsye ne i fituam këto zgjedhje”.

Partia Popullore Evropiane është partia politike më e madhe dhe grupi politik më i madh, në Parlamentin Evropian.Gjatë zgjedhjeve të fundit evropiane, në 7 qershor 2009 PPE fitoi për të tretën herë. Presidenti i Komisionit Europian është zgjedhur nga radhët e PPE-së, ndërsa në Këshillin e Kryetarëve të Shteteve dhe Qeverive, PPE numëron 13 kryeministra.

Në vitin 1995, Partia Demokratike e Shqipërisë, pas gati një viti me statusin e “anëtarit shok”, u pranua anëtare me të drejta të plota e EDU (Unioni Demokratik Evropian), ombrella më e madhe e partive të qendrës së djathtë evropiane. Me bashkimin e këtij organizmi me Partitë Popullore Europiane, aktualisht organizata më e fuqishme që përfshin në gjirin e saj partitë e qendrës së djathtë të Evropës, anëtarësia e Partisë Demokratike u shtri edhe në familjen e madhe të Partive Popullore Evropiane.