topi votonSot paradite, në ditën e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare, Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, i shoqëruar nga Zonja e Parë, Teuta Topi dhe vajzat Nada dhe Etida, votoi në Qendrën e votimit të Njësisë Bashkiake nr. 9 të kryeqytetit.
Pas votimit në Shkollën 9-Vjeçare “Servete Maçi”, ku ndodhet qendra ku Kreu i shtetit ushtroi të drejtën e tij të votës, dhe pas përshëndetjes me anëtarë të Komisionit të Qendrës së Votimit, si dhe me banorë të zonës, Presidenti Topi iu përgjigj interesimit të mediave të pranishme. Duke përshëndetur fushatën elektorale të partive politike në vend, si një fushatë e qetë e civile, Presidenti Topi dha këtë mesazh: “Së pari ju përshëndes dhe nëpërmjet jush përshëndes të gjithë popullin shqiptar kudo ku ai ndodhet, në Shqipëri dhe në diasporë dhe jam i bindur që të gjithë sot janë të fokusuar tek zgjedhjet politike në Shqipëri! E kemi thënë në mënyrë të vazhdueshme dhe sot po e ripërsërisim, madje do të thoja që është momenti më sinjifikativ për ta ripërsëritur, që këto janë zgjedhje shumë të rëndësishme për Shqipërinë, janë zgjedhje, të cilat do t’i japin patjetër në mënyrë definitive rrugën për në Bashkimin Evropian për Shqipërinë.
“Kam rastin që të jap një mesazh publik, të gjithë duhet ta vlerësojnë këtë ditë të rëndësishme si një stad të ri të rëndësishëm të demokracisë, të gjithë duhet të marrin pjesë në votime! U bëj apel të gjitha partive politike që ta kalojnë këtë ditë me mesazhet e duhura! U bëj thirrje komisionerëve, simpatizantëve që të ushtrojnë të drejtën e votës! Ne duhet të demonstrojmë sot që jemi një vend që kemi arritur në një stad të rëndësishëm të demokracisë, që dëshirojmë ta konsolidojmë demokracinë dhe që të kemi mundësi pas këtyre zgjedhjeve që, sikurse e kam thënë edhe herë tjetër, rruga drejt Bashkimit Evropian të jetë një rrugë e hapur, njerëzit të lëvizin të lirë dhe shumë shpejt patjetër do të jemi pjesë edhe zyrtarisht e familjes së madhe evropiane”.