topi uithers boshPresidenti i Republikës, Bamir Topi zhvilloi një takim pune në mesditë me Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara, Xhon L. Uithers dhe Kreun e Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Ambasadorin Robert Bosh në një nga lokalet në qendrë të kryeqytetit. Gjatë këtij takimi të shkurtër u diskutua rreth ecurisë së procesit të votimit për zgjedhjet e përgjithshme politike, që po mbahen sot anembanë vendit.
Pas takimit, Kreu i shtetit iu përgjigj interesimit të mediave të pranishme:
“Unë besoj që substanca e mesazhit ishte në momentet kur unë votova. I ftoj të gjithë qytetarët e vendit tim të shkojnë dhe të votojnë! Klima është përgjithësisht e mirë, e qetë. Sot ndryshe nga zgjedhje të kaluara, koha nuk është shumë e përshtatshme për plazh. Do të thoja që ky është një moment shumë i rëndësishëm që njerëzit të rrisin pjesëmarrjen për ditën më të rëndësishme, që do të përcaktojë katër vitet e ardhshme. Ne kemi arritur në një stad të rëndësishëm të demokracisë, por këtë duhet patjetër që ta konsolidojmë në katër vitet e ardhshme, sepse përpara nesh janë sfidat e reja. Ne dëshirojmë të anëtarësohemi në Bashkimin Evropian pas anëtarësimit në NATO. Njerëzit e thjeshtë ndoshta e perceptojnë edhe më thjeshtë, dëshirojnë të lëvizin të thjeshtë dhe e gjithë vëmendja e partnerëve është se si do të jetë korrektësia e këtyre zgjedhjeve. Korrektësia e këtyre zgjedhjeve është vendimtare për të ardhmen e Shqipërisë, patjetër partitë duhet të jenë shumë të vëmendshme. Sot duhet të japim mesazhe për ecurinë korrekte të zgjedhjeve, për pjesëmarrje, patjetër për shumë transparencë dhe kjo i takon dhe komisionerëve. Unë besoj që këto zgjedhje do të jenë të lira, korrekte dhe administrimi i rezultatit do të jetë korrekt, për të treguar që ne dimë t’i administrojmë shumë mirë fatet e vendit tonë dhe patjetër dimë të jemi shumë luajalë ndaj besimit që kanë dhënë partnerët ndërkombëtarë për Shqipërinë dhe shqiptarët. Ky është mesazhi.

Edhe një herë mesazhi im thotë: pjesëmarrje, pjesëmarrje me qetësi, njerëzit sigurisht duhet të jenë të qetë, duhet të jenë të lirë! Është në radhë të parë respekt për veten e tyre të shkojnë të shprehin votën për atë që dëshirojnë, pra, para se të respektojnë të tjerët, duhet të respektojnë vetveten. Dhe respekti është pikërisht është tek vota, sepse tek e fundit dhe partitë varen tek vullneti i njerëzve. Pra, vullneti i gjithësecilit është shumë i rëndësishëm. Ju po e shikoni, ju vetë po kontribuoni që këto mesazhe të përcillen, që klima të jetë e qetë dhe që ne të realizojmë ndoshta për herë të parë në historinë e tranzicionit shqiptar zgjedhje të lira, korrekte, transparente, të pakontestuara dhe të ecim të qetë në administrimin e vullnetit të popullit që bëhet nëpërmjet Parlamentit dhe të gjitha institucioneve të dala nga Parlamenti”.

Uithers “Dua të shpreh mbështetjen time për mesazhin e madh dhe të fuqishëm që Presidenti Topi dha për të gjithë votuesit dhe qytetarët shqiptarë. Sot duhet një kohë jo shumë e mirë, por ne dëshirojmë të jetë shumë e bukur për demokracinë shqiptare. Kudo që ka të drejten për të votuar duhet të shkojë të votojë. Njerëzit nuk duhet të nështrohen asnjë presioni nga asnjë grup por duhet të votojnë me ndërgjegjen e tyre, duhet të votojnë në qetësi dhe të jenë të duruar për rezultat e zgjedhjeve. Numërimi mund të kërkojë kohë dhe qytetarët nuk duhet të hamendësojnë, por të presin rezultatin. Të gjithë partitë ose subjektet e përfshirë në këtë proces të respektojnë ligjin dhe standartet ndërkombëtare. Por ajo që është më e rëndësishmë është që këto zgjedhje të jenë të lira, të ndershme dhe transparente.”