Vlerësimet e para për procesin elektoral. Rama e Berisha: Mbajtëm fjalën, shkoi shumë i qetë. KQZ: Gjithçka normalisht, pati pak probleme sporadikvotime-09

Si rrallëherë në vitet e demokracisë, vetëm pak çaste pas mbylljes së procesit të votimit, dy liderët kryesorë dolën në një vlerësim të përbashkët. Sali Berisha dhe Edi Rama vlerësuan pothuajse me të njëjtat nota optimiste procesin elektoral, duke dashur t‘i japin një mesazh të qartë faktorit ndërkombëtar. Ndryshe nga më parë, selitë e partive nuk janë nxituar të deklarojnë fitoren. Një pakt ky që, sipas burimeve politike, është imponuar nga faktori ndërkombëtar i akredituar në Tiranë. Teksa kutitë e votimit ishin mbyllur, kryetari i PD-së foli me një gjuhë racionale dhe heshti për rezultatin e zgjedhjeve, duke pritur verdiktin final të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. I pyetur se çfarë do të bënte nëse këto zgjedhje i fitojnë socialistët, kreu i PD-së, Berisha, u shpreh se “nëse më takon mua t‘i telefonoj, unë do t‘i telefonoj”. Lidhur me qëndrimin e kreut të Lëvizjes Socialiste për Integrim, që pranoi se në këto zgjedhje u arritën standardet dhe i pyetur nëse do ta përshëndeste qëndrimin e kreut të LSI-së, Berisha tha se “për ta përshëndetur, nuk e di a e meriton apo jo përshëndetjen time”. Kreu i PD-së tha se “ajo që mua më intereson është pjesëmarrja në zgjedhje”. Ai ftoi qytetarët të ndjekin rezultatin me maturi, pa krijuar idera të triumfatorëve dhe humbësve. Në një shifër të përafërt, kreu i PD-së theksoi se pjesëmarrja në këto zgjedhje ka qenë e lartë dhe ajo është 15 për qind më e lartë sesa në zgjedhjet e vitit 2005. “Kanë votuar fuqishëm Tirana, Durrësi, Shkodra, Korça, Elbasani, pra në tërësi është treguar një entuziazëm elektoral. Ju kërkoj njerëzisht të mos merrni përqindjen se për secilin prej jush është e qartë që përqindja i referohet 3.1 milionë zgjedhësve dhe të paktën, 1.2 milionë nuk janë në Shqipëri”, u shpreh Berisha. Sipas tij, zgjedhjet me pjesëmarrje të gjerë janë zgjedhjet ku sovrani flet fuqishëm në mënyrë vibrante optimiste, entuziaste me zërin e tij dhe kjo pra është meritë e çdo qytetari shqiptar që ka marrë pjesë në votime. “Unë kam besim të plotë, së pari te komisionerët, të cilët e menaxhuan me dinjitet procesin elektoral. Me shkallë të lartë përgjegjësie ligjore zbatuan ligjin dhe kanë meritë të veçantë”, u shpreh Berisha. Sipas tij, në këtë fushatë, ka pasur zero implikim të forcave të rendit në procesin elektoral, madje shumë prej tyre mund të kenë mbetur pa votuar për shkak të detyrës, sepse janë transferuar në rrethe të ndryshme. “Në këto zgjedhje nuk ka të humbur, këto janë zgjedhje vetëm me të fituar, sepse Shqipëria europiane është Shqipëria e të gjithë qytetarëve shqiptarë”, u shpreh Berisha. Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, tha se partia e tij ka raportuar vetëm një pjesë të vogël të problemeve të hasura në realitet, ndërsa u shpreh i bindur se e ka fituar betejën, megjithëse nuk e theksoi këtë. “Dua të theksoj se, pavarësisht një sërë parregullsish dhe detajesh të papëlqyeshme të vëna re në pjesë të ndryshme të territorit të Shqipërisë, në tërësi u realizua objektivi i garantimit të procesit, i garantimit të qetësisë dhe të normalitetit demokratik për qytetarët dhe qytetaret që vërshuan në masë drejt kutisë së fshehtë”, tha Rama. Ai u shpreh i kënaqur për faktin se “për këtë pjesë të parë të procesit mbajtëm fjalën e dhënë qytetarëve dhe qytetareve, duke e mbrojtur procesin dhe duke qenë një vlerë e shtuar në tërësinë e masave të marra, ku hiri i së vërtetës e kërkon që të nënvizoj se nuk mund të themi, të paktën deri në këtë moment, që Policia e Shtetit nuk ishte në lartësinë e detyrës dhe kjo sigurisht më gëzon”. Kryesocialisti theksoi shumë herë dje në mbrëmje se procesi nuk ka përfunduar ende dhe se shqiptarët kanë nevojë të mbrojnë votën e tyre për të garantuar proces të rregullt zgjedhor. Rama tha se synimi i partisë së tij është të ruajë dinjitetin e procesit, i cili gjithsesi nuk mund të konsiderohet “europian” pasi në asnjë vend të kontinentit nuk del nevoja për të ruajtur votën. “Kemi ekspozuar vetëm një pjesë shumë të vogël, të shumë e shumë detajeve, por jemi përpjekur gjatë gjithë ditës që të ruajmë atë që është më e rëndësishmja, integritetin e këtij akti të madh, që sot shqiptarët bënë, duke shkuar në votim si asnjëherë më parë dhe të ruajnë dinjitetin e një procesi, i cili në asnjë mënyrë nuk mund të thuhet se është një proces që është tërësisht i ngjashëm me proceset zgjedhore me Europën, ku duam të integrohemi, ku nuk ekzistojnë probleme si këto”, theksoi Rama.

Shifrat

Kreu i KQZ-së, Arben Ristani, paraqiti nivelin e pjesëmarrjes dhe konfirmoi nisjen e procesit të numërimit

Deklarata e KQZ: Në zgjedhje

morën pjesë afro 46% e shqiptarëve

Aurora Thomollari

Pjesëmarrja e zgjedhësve shqiptarë më 28 qershor shkon deri në 46%. Nga burime zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve konfirmohet se deri dje në orët e vona të natës, nga të dhënat e mbërritura të përpunuara në mënyrë jopërfundimtare, pjesëmarrja e zgjedhësve shkon në 46%, një shifër kjo që duket se është konsideruar e kënaqshme edhe nga subjektet politike.

Nga të njëjtat burime mësohet se në Gjirokastër pjesëmarrja ka shënuar 53%, në Lezhë 48%, në Qarkun e Shkodrës votuan 42% e qytetarëve, 48% ka qenë pjesëmarrja në Qarkun e Fierit. Në Qarkun e Tiranës është shënuar një pjesëmarrje prej 50%, në Qarkun e Vlorës votuan 36% e qytetarëve, ndërkohë në Dibër, pjesëmarrja ishte 43%, kurse në Qarkun e Beratit votuan 46%, ndërsa në Qarkun e Kukësit pjesëmarrja ishte 53%. Sakaq, kutitë e votimit u mbyllën dje në orën 19:00. Rreth orës, 21:30, kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve zhvilloi një tjetër komunikim me mediat duke vlerësuar me notën dhjetë procesin zgjedhor, ndërsa theksoi se procesi i numërimit të votave do të niste pas orës 23:00. Ai konfirmoi se ndërkohë në të gjithë Shqipërinë po mblidheshin kutitë e votimit në grupet e numërimit të votave. Ristani prezantoi sistemin e monitorimit të numërimit të votave me kamera, përmes të cilave këtë herë mund të japë rezultatin zgjedhor në një kohë më të shpejtë se në çdo proces zgjedhor. “Procesi i numërimit është procesi më i vështirë, por dhe më interesanti për mënyrën sesi është përgatitur. Do kemi mundësinë që gjithë ky ambient të shndërrohet në një ambient të këndshëm për ju, pasi nëpërmjet ekraneve do shihni si numërohen votat ‘live‘. Procesi i gjatë do të marrë gjithë natën, do jetë proces shumë transparent dhe shumë interesant për t‘u ndjekur. Monitorët do ndihmojnë për të dhënë rezultatet”, u shpreh Ristani. Ndërkaq, kreu i KQZ rikonfirmoi edhe një herë se në tri qendra nuk u zhvillua fare votimi dhe për pasojë nuk mund të prodhojnë rezultat. Zëdhënësi i Komisionit Qendror Zgjedhor, Leonard Olli, deklaroi se “procesi zgjedhor në të gjithë vendin u zhvillua i qetë dhe konform të gjitha standardeve”.
Duke iu referuar informacioneve zyrtare, Olli tha se në procesin e djeshëm zgjedhësit kanë votuar qetësisht dhe brenda kuadrit të rregullt ligjor. Në deklaratën e tij, zëdhënësi përshëndeti edhe pjesëmarrjen e lartë të votuesve në këto zgjedhje dhe zhvillimin konform standardeve të procesit në të gjithë Shqipërinë. Sipas tij, monitorimi me kamera do të mundësojë një proces të shpejtë dhe të saktë të rezultateve.

Atmosfera

Kryeqytetasit festojnë,

selia e demokratëve hesht

Selia e demokratëve ka qëndruar në heshtje pas konferencës së fundit të kryetarit të PD-së, Sali Berisha, në orën 19:20. Ndryshe nga kampi blu, ku të gjithë ishin porositur të ruanin gjakftohtësinë nga rezultatet e sondazheve dhe të prisnin verdiktin final të KQZ, meqenëse votat do të numëroheshin në prezencën e kamerave, në rrugët e Tiranës u shfaq një atmosferë tjetër. Simpatizantë të Partisë Demokratike kanë dalë në rrugët e kryeqytetit për të festuar para kohe “fitoren”, megjithëse ende zyrtarisht nuk ishte shpallur asnjë rezultat. Në selinë e demokratëve mbizotëronte qetësia, ku përveç kandidatëve të Qarkut të Tiranës, përreth godinës ishin vendosur edhe militantët dhe mbështetësit e Partisë Demokratike në lokalet përreth selisë.

Kreu i Partisë Socialiste kundërshtoi mbrëmë rezultatet e “exit poll”-eve të publikuara në media

Rama: Kemi sondazhet tona,

rezultojmë plotësisht fitues

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, kundërshtoi dje në mbrëmje rezultatin e shpallur nga “exit poll”-et, duke bërë të qartë se sondazhet e zhvilluara nga Partia Socialiste thonë të kundërtën e tyre. “Ne kemi sondazhet tona, që kemi kryer brenda partisë për muaj të tërë, dhe thonë të kundërtën e asaj që thonë ‘exit poll‘-et”, deklaroi kryesocialisti. Në daljen e dytë të tij, Rama vlerësoi se bëhet fjalë për një moment historik, ndërsa kërkoi vëmendjen e medias për te kutitë e votimit të cilat janë duke u mbledhur në të gjithë vendin drejt grupeve të numërimit të votave. “Ky është një moment historik, ku populli shqiptar po kërkon të marrë vesh vendimin për zgjedhjet e djeshme”, theksoi Rama. Ai shtoi se procesi vazhdon dhe askush nuk mund të krijojë një situatë të pafavorshme, duke nisur festimet pa u numëruar zyrtarisht votat.
Kreu socialist theksoi se është me interes përfundimi i fazës së dytë, asaj të transportimit të plotë të kutive të votimit. “Lutemi që të garantojmë procesin e numërimit, pasi është shumë e rëndësishme ajo çka në këto momente është pikëpyetje për ne dhe për një popull të tërë, është kalimi i një provimi të madh, dhe ky provim i madh nuk mund të manipulohet për shkak të këtyre shfaqjeve të demokracisë me eksperimente të gabuara, në kohën e gabuar dhe vendin e gabuar”, u shpreh Rama. Unë nuk jam këtu, vijoi ai, për të komentuar “exit poll”-et, por për të thënë që s‘vlejnë. “Ajo që vlen është ajo që del nga kutia e fshehtë. Shqipëria nuk është vend për zhvillimin e “exit poll”-eve. Rezultati i tyre sot nuk vlen”, u shpreh Rama. Kryesocialisti bëri thirrje, sidomos për njerëzit që janë të angazhuar në shoqërimin e kutive të votimit, e mandej të numërimit të votave. Më parë, zëdhënësja e PS-së, Armela Imeraj, vlerësoi se njerëzit mund t‘i konsiderojnë “exit poll”-et si një zbavitje. “Jemi të detyruar të riflasim për sondazhet. Ky është eksperimenti i gabuar në vendin e gabuar. Mjaftojnë 20% e njerëzve që s‘përgjigjen për të përmbysur këto rezultate”, deklaroi ajo. Duke i cilësuar rezultatet e sondazheve si “qesharake”, zëdhënësja është shprehur se PS nuk mund të bëjë komente të tjera për shkak se në këto momente procesi ka nevojë për qetësi.

Reagimi

PD porosit komisionerët:

Duhet të ruani votat

Demokratët e përqendrojnë vëmendjen te numërimi i votave. Sytë e përfaqësuesve të Partisë Demokratike ishin përqendruar dje në transportimin e kutive të votimit, ashtu siç ishin porositur nga Partia Demokratike. Numërimi i votave do të bëhet në praninë e kamerave pas grumbullimit të kutive të votimit dhe komisionerët janë sugjeruar “t‘i hapin sytë katër” për këtë proces. Komisionerët janë këshilluar nga demokratët të tregohen të vëmendshëm në këtë proces dhe të mblidhen pranë qendrave të numërimit të votave. Numërimi i fletëvotimeve dhe transportimi i tyre ka qenë në fokusin e vëmendjes së Partisë Demokratike, e cila u ka kërkuar komisionerëve të tyre të tregohen të kujdesshëm.

Kompania prestigjioze publikoi mbrëmë rezultatet e sondazhit të kryer pas mbylljes së kutive të votimit

“Exit poll” nga “Zogby International”:

PD 69 mandate, PS 55, por 12 të diskutueshëm

Kompania “Zogby International” publikoi rezultatet e “exit poll” të kryera pas votimit të djeshëm në 12 qarqe të vendit. Kështu, sipas këtyre rezultateve, nëse do të merreshin parasysh këto të dhëna, atëherë në Parlamentin e ardhshëm do të kishim 69 vende të koalicionit të Partisë Demokratike, 55 të koalicionit të Partisë Socialiste, 4 të LSI-së dhe 12 të papërcaktuara. Marzhi i gabimit në këtë sondazh është 3.2 për qind. Drejtuesi i këtij “exit poll” ka bërë të ditur edhe metodologjinë e ndjekur për realizimin e tij. Sipas tij, sondazhi është kryer në 12 qarqe në të gjithë Shqipërinë, ku ata kanë intervistuar 1000 mijë votues, ku janë përzgjedhur 25 deri në 30 qendra votimi në mënyrë rastësore për çdo qark. Ky “exit poll” është bërë në gati 400 qendra votimi në të gjithë vendin, ku janë pyetur dy votues në çdo vend dhe puna është mbikëqyrur nga supervizorë në çdo vend. Janë përfshirë më shumë se 1000 veta në këtë proces dhe votuesit janë pyetur kur kishin mbaruar votimin jashtë qendrave të votimit. Është improvizuar një kuti votimi dhe të pyeturve u është kërkuar ta hedhin votën e improvizuar në to. Sipas “exit poll”, në Qarkun e Kukësit PS ka 21 për qind, PD 67 për qind, LSI 3 për qind, PR 3 për qind. E përkthyer në mandate: koalicioni i PS-së 1, koalicioni i PD-së 2, LSI-së 0, të papërcaktuara 1. Në Qarkun e Dibrës, PS 30 për qind, PD 54 për qind, LSI 3 për qind, PLL, PR 2 për qind. Në mandate, koalicioni PS 2, koalicioni PD 3, LSI asnjë, i diskutueshëm 1. Për Qarkun e Shkodrës, PS 30 për qind, PD 54 për qind, PR 3 për qind, të ndryshme 1 për qind. Në mandate, koalicioni i PS-së 4, koalicioni i PD-së 6, koalicioni i LSI-së asnjë, i diskutueshëm 1. Për Qarkun e Lezhës, PD 57 për qind, PS 28 për qind, LSI 3 për qind, PAA, PSD 2 për qind. Në mandate, koalicioni i PS-së 2, koalicioni i PD-së 4, LSI asnjë, i diskutueshëm 1. Për Qarkun e Tiranës, PD 49 për qind, PS 35 për qind, LSI 5 për qind, të ndryshme 1 për qind. Në mandate, koalicioni i PS-së 13, koalicioni i PD-së 17, LSI 1, të papërcaktuara 1. Për Qarkun e Durrësit, PD 49 për qind, PS 35 për qind, LSI 6 për qind, PR 2 për qind. Në mandate, koalicioni i PS-së 5, koalicioni i PD-së 7, LSI asnjë, i diskutueshëm 1. Për Qarkun e Elbasanit, PD 44 për qind, PS 38 për qind, LSI 4 për qind, G99, PR, PDK 2 për qind. Në mandate, koalicioni i PS-së 6, koalicioni i PD-së 7, LSI asnjë, i diskutueshëm 1. Për Qarkun e Korçës, PD 49 për qind, PS 38 për qind, LSI 4 për qind, PR 2 për qind. Në mandate, PS 5, PD 6, LSI asnjë, i diskutueshëm 1. Për Qarkun e Beratit, PS 43 për qind, PD 29 për qind, LSI 14 për qind, G99 6 për qind. Në mandate, koalicion i PS-së 3, koalicioni i PD-së 3, koalicioni i LSI-së 1, i diskutueshëm 1. Për Qarkun e Fierit, PD 36 për qind, PS 44 për qind, LSI 7 për qind, G99, PDI 2 për qind. Në mandate, koalicioni i PS-së 7, PD-së 7, LSI-së 1,

i diskutueshëm 1. Për Qarkun e Vlorës, PS 42 për qind, PD 34 për qind, LSI 3 për qind, PBDNJ 11 për qind. Në mandate, PS 7, PD 4,

LSI asnjë, i diskutueshëm 2. Për Qarkun e Gjirokastrës, PD 37 për qind, PS 45 për qind, LSI 3 për qind, PBDNJ 6 për qind. Në mandate, koalicioni i PS-së 2, koalicioni i PD-së 2, koalicioni i LSI-së asnjë, i diskutueshëm 1.

Të dhënat e “exit poll” nga “Zogby International”

Qarku Kukës

PS 21 për qind

PD 67 për qind

LSI 3 për qind

PR 3 për qind

Mandatet

Koalicioni i PS 1

Koalicioni i PD 2

LSI 0

Të papërcaktuara 1

Qarku Dibër

PS 30 për qind

PD 54 për qind

LSI 3 për qind

PLL, PR 2 për qind

Mandatet

Koalicioni PS 2

Koalicioni PD 3

LSI asnjë

I diskutueshëm 1

Qarku Shkodër

PS 30 për qind

PD 54 për qind

PR 3 për qind

Të ndryshme 1 për qind

Mandatet

Koalicioni i PS 4

Koalicioni i PD 7

Koalicioni i LSI 0

I diskutueshëm 0

Qarku Lezhë

PD 57 për qind

PS 28 për qind

LSI 3 për qind

PAA, PSD 2 për qind

Mandatet

Koalicioni i PS 2

Koalicioni i PD 4

LSI 0

I diskutueshëm 1

Qarku Tiranë

PD 49 për qind

PS 35 për qind

LSI 5 për qind

Të ndryshme 1 për qind

Mandatet

Koalicioni i PS 13

Koalicioni i PD 17

LSI 1

Të papërcaktuara 1

Qarku Durrës

PD 49 për qind

PS 35 për qind

LSI 6 për qind

PR 2 për qind

Mandatet

Koalicioni i PS 3

Koalicioni i PD 7

LSI 1

I diskutueshëm 1

Qarku Elbasan

PD 44 për qind

PS 38 për qind

LSI 4 për qind

G99, PR, PDK 2 për qind

Mandatet

Koalicioni i PS 6

Koalicioni i PD 7

LSI 0

I diskutueshëm 1

Qarku Korçë

PD 49 për qind

PS 38 për qind

LSI 4 për qind

PR 2 për qind

Mandatet

Koalicioni i PS 5

Koalicioni i PD 6

LSI 0

I diskutueshëm 1

Qarku Berat

PS 43 për qind

PD 29 për qind

LSI 14 për qind

G99 6 për qind

Mandatet

Koalicion i PS 3

Koalicioni i PD 3

Koalicioni i LSI 1

I diskutueshëm 1

Qarku Fier

PD 36 për qind

PS 44 për qind

LSI 7 për qind

G99, PDI 2 për qind

Mandatet

Koalicioni i PS 7

Koalicioni i PD 7

Koalicioni i LSI 1

I diskutueshëm 1

Qarku Vlorë

PS 42 për qind

PD 34 për qind

LSI 3 për qind

PBDNJ 11 për qind

Mandatet

Koalicioni i PS 6

Koalicioni i PD 4

Koalicioni i LSI 0

I diskutueshëm 2

Qarku Gjirokastër

PD 37 për qind

PS 45 për qind

LSI 3 për qind

PBDNJ 6 për qind

Mandatet

Koalicioni i PS 2

Koalicioni i PD 2

Koalicioni i LSI 0

I diskutueshëm 1