eu-parlamentet-300x220Diplomatët e akredituar në Tiranë nga qeveria gjermane dhe ajo britanike kanë komentuar raport-progresin e fundit të KE për Shqipërinë. Ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë, Bernd Borchardt dhe ambasadorja e Britanisë së Madhe në Tiranë, Fiona Mcilëham janë fokusuar në zhvillimet e jetës politike, sociale dhe ekonomike të Shqipërisë duke adresuar tek qeveria se zbatimi i reformave të kërkuara nga BE, është rruga e vetme për të plotësuar kërkesën e Shqipërisë, liberalizimin e vizave. Ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë, Bernd Borchardt në një intervistë për agjencinë shtetërore të lajmeve ka deklaruar se korrupsioni i nivelit të lartë, kërkon masa të larta ndëshkimore. E në këtë prizëm, ambasadori ka hedhur sytë nga sistemi gjyqësor ku ai duke komentuar raportin e KE shprehet se në këtë sistem vihet re mungesa e një strategjie të plotë për përmirësimin e gjyqësorit.

“Gjithashtu, korrupsioni vazhdon të mbetet një problem. Nevojitet një metodë strategjike dhe sistematike për të luftuar korrupsionin dhe kulturën e mosndëshkimit. Mbetet për t’u bërë një punë bindëse lidhur me vendimet gjyqësore dhe masat ndëshkimore në rastet e korrupsionit, e veçanërisht për korrupsionin e nivelit të lartë”. “ Në fusha të tjera ka ende për të bërë. Progres-raporti gjithashtu ka shprehur qartë se, është veçanërisht i rëndësishëm progresi në fushën e drejtësisë, lirisë dhe sigurisë. Duhet të intensifikohen përpjekjet për të luftuar migrimin e paligjshëm dhe ndaluar krimin e organizuar, si dhe pastrimin e parave”, shprehet mes të tjerash ambasadori. Kryediplomati Borchardt shprehet gjithashtu se “shkarkim-emërimet politike në administratën publike dhe tentativat e qeverisë për të kontrolluar institucionet e pavarura, po pengojnë rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian”.

Sipas ambasadorit gjerman, megjithëse ka një kuadër ligjor për administratën publike, raporti i KE kritikoi vazhdimin e lëvizjeve të motivuara politikisht të nëpunësve të administratës dhe procedurat jo transparente të rekrutimit në shërbimin publik. Liberalizimi i vizave do të ishte kurorëzimi i përpjekjeve të bëra nga Shqipëria me reformat ndaj në rast se në 2010 Bashkimi Europian flet me nota pozitive për progresin e Shqipërisë, edhe Gjermania do të shprehet pozitivisht. “Natyrisht, Gjermania do ta mbështesë liberalizimin e vizave sapo të jenë arritur parametrat e kërkuar”, siguroi Borchardt. Britania: Të hiqet imuniteti. Korrupsioni problem serioz Perëndimi po shton presionin ndaj qeverisë shqiptare për heqjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë. Pas ambasadorit të Shteteve të Bashkuara, John Ëhithers dy ditë më parë, një mesazh i qartë për heqjen e imunitetit erdhi dje nga ambasadorja britanike në Tiranë, Fiona Mcilëham që edhe kjo e fundit komentoi raport-progresin e KE për Shqipërinë.

Gjatë fjalës së mbajtur në konferencën për çështjet e transparencës në deklarimin e pasurive të zyrtarëve, ambasadorja britanike nënvizoi se imuniteti nuk duhet të shërbejë për të mbrojtur individët, por institucionet. “Imuniteti ekziston për të mbrojtur institucionet dhe vlerat që ato përfaqësojnë, jo individët. Askush nuk duhet të jetë mbi ligjin. Ata që nuk kanë se çfarë fshehin, nuk duhet të kenë as frikë”, – theksoi ambasadorja britanike. Fiona Mcilëham ripërsëriti ato pika të raport-progresit ku vendi ka shumë për të bërë, dhe që vazhdojnë të mbeten problem serioz. “Progres- raporti e tha shumë qartë se, korrupsioni mbetet një probleme serioz dhe i përhapur për Shqipërinë.

Raporti komentoi dhe kapacitetin e administratës dhe në organet e tjera të auditivit të cilët kanë nevojë për të forcuar, në mënyrë të veçantë, sidomos luftën kundër konfliktit të interesit”, – tha Mcilëham, e cila shtoi se Britania do të vazhdojë të ndihmojë Shqipërinë në përshpejtimin e këtij procesi. Dy ditë më parë, ambasadori amerikan Ëithers bëri thirrje për heqjen e imunitetit parlamentar duke theksuar se, “imuniteti nuk duhet të sigurojë strehë për ata që përballen me masa ligjore dhe në ndjekje penale. Nuk duhet të jetë dhe një mundësi për të mbrojtur atë që është fajtor dhe për të mbajtur ata persona në pozita drejtuese”. Lohan në Veri: Shqipëria do përmbushë kriteret për vizat Shefi i delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë, Helmut Lohan, gjatë një inspektimi në pikën kufitare në Bllatë të Dibrës, deklaroi dje se, “Shqipëria shumë shpejt do të përmbushë të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave”.

Qëndrimi i tij u bë i ditur pasi u njoh nga afër me procedurat që kryhen në këtë pikë kufitare. Lohan përdori dokumentet e makinës së tij për të verifikuar nëpërmjet lidhjes nga Bllata me Interpolin, nëse makina e tij ishte e vjedhur apo jo. Rezultati ishte negativ. “Jam i impresionuar që linku me Interpolin funksionon, sepse e kam provuar në një pikë tjetër kufitare para pak kohësh dhe atëherë linku nuk ishte krijuar me Interpolin. Progresi është i dukshëm dhe jam i sigurt se nëse do të jetë me këtë shpejtësi, Shqipëria do të përfitojë liberalizimin e vizave”, – tha ambasadori Lohan, i cili shoqërohej në këtë vizitë nga ministri i Brendshëm, Lulzim Basha.

media.al