Mazhoranca shprehet e gatshme të konfirmojë ndryshimet në ligj dhe të vendosë standardet e vendeve të Aleancës, duke vendosur një afat ligjor për çdo zyrtar të lartë

Ndonëse një nga çështjet e shumë diskutuara ditët e fundit, ligji i SHISH-it pritet të marrë një mbështetje të gjërë brenda radhëve të shumicës parlamentare, menjëherë pas konsultës ligjet e NATO-s. Më herët kryeministri Sali Berisha dhë pak minuta më pas zv/kryeminsitri dhe ministri i Punëve të Jashtme Ilir Meta, shprehën vullnetin e shumicës për ndryshimin e ligjit që favorizon qëndrimin e zyrtarëve në poste të rëndësishme me afat të pa caktuar ligjërisht. “Në Shqipëri nuk do ketë zyrtarë pa mandat. Ky është qëndrimi im përfundimtar. Të gjithë zyrtarët e institucioneve të larta duhet të mandatohen në Kuvend. Zyrtarët e Aleancës së Atlantikut janë me mandate, ndaj në këtë vend nuk do të ketë asnjë zyrtar pa mandat, si një standard i vendeve demokratike, ku Shqipëria kërkon të aderojë”- u shpreh kryeministri Berisha. Të njëjtin qëndrim theksoi dhe zv/kryeministri Meta. Sipas tij, çdo zyrtar i lartë duhet të ketë mandat të përcaktuar, duke vendosur një afat ligjor. “Është tepër parimore që çdo zyrtar i lartë të ketë mandat të përcaktuar dhe kjo është pothuajse për të gjithë përfaqësuesit e të gjithë institucioneve të tjera. Edhe për institucionin në fjalë kjo është mëse normale, që të vendoset një afat ligjor”- tha Meta . Ai tha më tej se është e rëndësishme që ky afat të jetë në kuadër të një rregullimi dhe përcaktimi ligjor që garanton qëndrueshmërinë dhe pavarësinë e këtij institucioni. “Kjo ka qenë dhe është arsyeja pse unë e kam theksuar rëndësinë që çdo ndryshim është e rëndësishme që të bëhet në mënyrë të mirëkonsultuar me NATO-n”- deklaroi më tej zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme Ilir Meta.