Një dekadë keqpërdorimesh të bëra në sistemin bankar dhe atë të sigurimeve ka mundësi të ndriçohet. Policia e ka nisur aksionin duke arrestuar Hashim Rexhepin, guvernator veteran i Bankës Qendrore. Kreu i sistemit financiar të vendit dyshohet për keqpërdorim të miliona eurove. A është ky peshk apo peshkaqen? – pyet gazeta Express e Prishtines

Nga Zekirja Shabani – Gazeta Expres, Prishtinë
Keqpërdorimet me polisa kufitare, korrupsioni, marrja e ryshfetit, shmangia nga tatimi, ushtrim ndikimi dhe shpëlarje parash janë akuzat që rëndojnë mbi guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës, Hashim Rexhepi.

Ai të premten është nxjerrë nga zyra i lidhur me pranga dhe i shoqëruar nga oficerët e Policisë së Kosovës, pjesë e Task Forcës Kundër Korrupsionit. Rexhepi është arrestuar me autorizim të nënshkruar nga vetë kryeprokurorja e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Isabel Arnal.

Expressi ishte në vendin e ngjarjes dhe pa se si Rexhepi, pasi është arrestuar në ora 10:15, është futur në automjet të Policisë së EULEX-it.

Ndërkohë, në lidhje me këtë rast, EULEX’i ka njoftuar se nga ora 6 e mëngjesit, oficerët Task Forcës Kundër Korrupsionit kanë bastisur shtatë lokacione, duke përfshirë banesat private të katër të dyshuarve, ndër të cilat edhe ajo e kreut të BQK-së, zyrat e Bankës Qendrore të Kosovës si dhe një kompani private.

“Këto bastisje janë të ndërlidhura me një hetim financiar dhe për korrupsion ku dyshohet për keqpërdorim të detyrës apo pozitës zyrtare, marrje të ryshfetit, shmangie të tatimit, ushtrim të ndikimit dhe larje të parave”, thuhet në komunikatën e EULEX-it.
Sipas tyre, bastisjet janë autorizuar nga gjykatësi i Procedurës Paraprake i EULEX-it nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë dhe një prokuror kosovar po i shoqëron ato.
Expressi mëson se prokurori kosovar që po merret me këto hetime është Nazmi Mustafa, i cili i ka shoqëruar hetuesit gjatë bastisjeve të së premtes.
Përveç bastisjes së zyrës së tij dhe arrestimit të Hashim Rexhepit, oficerët e policisë kanë bastisur edhe zyrën e Shkëndije Himajt, zyrtare për mbikëqyrje financiare në BQK, e cila nuk është arrestuar, por është në listën e të dyshuarve në rastin e BQK-së. Bastisjen e zyrës së zyrtares për mbikëqyrje financiare e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i BQK-së, Besnik Kada.

“Që nga orët e mëngjesit është duke u kryer një bastisje me urdhër të prokurorit special në zyrën e guvernatorit dhe në zyrën e zyrtarit të lartë të mbikëqyrjes financiare”, ka bërë të ditur Kada.

Megjithatë, Himaj ka mohuar të jetë në listën e të dyshuarve. Ajo i ka thënë Expressit se nuk ka të bëjë fare me këto hetime. Expressi ka marrë vesh se po të njëjtën ditë është bastisur edhe shtëpia e Ibish Mazrekut, që tani mban postin e drejtorit në kompaninë e sigurimeve Dardania.

Mazreku ka treguar se në banesë i janë marrë kompjuterët personalë dhe dokumente që lidhen me likuidimin e kompanisë së sigurimeve Kosova në vitin 2002.

Ai tregon se ditë më parë është marrë në pyetje nga Prokuroria Speciale lidhur me këtë rast dhe ka dhënë deklaratën.

“Kompania e sigurimeve ‘Kosova’ është likuiduar në vitin 2002”, pohon Mazreku. Trashëgimtare e kësaj kompanie është “Kosova e Re”, e cila në vitin 2002 përmes mbështetjes qeveritare të Kosovës, ka blerë të gjitha aksionet nga ndërmarrja Kürüm, e cila ishte aksionare kryesore në kompaninë “Kosova”.

Policia ka bastisur dhe konfiskuar materiale edhe në banesën e drejtorit të sigurimeve të detyrueshme në Shoqatën e Sigurimeve të Kosovës, Ismet Jashanica. Ky i fundit ka pranuar për Express se në zyrën e tij, policia ka konfiskuar një kompjuter dhe dokumente zyrtare.

“Ka qenë një kontroll korrekt nga policia dhe gjatë bastisjes e kanë marrë kompjuterin zyrtar dhe ca dokumente”, pohon Jashanica.

Sipas tij, hetuesit kanë kërkuar dokumentacione për keqpërdorime të kryera nga viti 2000.

“Ata kanë kërkuar dokumente që lidhen me periudhën nga viti 2000”, thekson Jashanica.
Edhe drejtori i Shoqatës së sigurimeve të Kosovës, Arben Mikeli, ka konfirmuar se njësitë e Policisë së Kosovës dhe EULEX-it për tri orë kanë qëndruar në zyrat e Shoqatës. Por, ai mohon të jetë përfshirë Shoqata në keqpërdorime të cilat lidhen me guvernatorin e BQK-së, Hashim Rexhepi.

“Ne kemi lidhje zyrtare që na obligon ligji me BQK-në, por distancohemi nga çdo lloj përfshirjeje në keqpërdorime financiare apo çfarëdo qofshin ato”, është shprehur Mikeli.
Ai thotë se i takon hetuesisë të zbardhë faktet lidhur me implikimin e zyrtarëve që janë të dyshuar, të cilëve u janë bastisur banesat dhe zyrat të premten.
Vetëm fillimi
Bastisjet dhe arrestimet e nisura sot nga EULEX-i, në Bankën Qendrore të Kosovës, duket se nuk do të ndalen me kaq. Burime të Expressit të afërta me hetimet, shpjegojnë se ky është vetëm fillimi, për shkak se hetimet kanë nisur në vitin 2008. Këto hetime në atë kohë kanë filluar nga Drejtoria Kundër Krimit të Organizuar që vepronte në kuadër të Policisë së Kosovës, rezultatet e të cilave më vonë i janë bartur EULEX-it.

“Ka më shumë persona të dyshuar që kanë të bëjnë me arrestimin dhe bastisjet e ditës së sotme. Arrestimet e tjera varen nga hetimet që janë duke u bërë”, thotë ky zyrtar për Express. Lidhur me kompaninë private, e cila sot është bastisur, burimi i gazetës i afërt me hetimet shpjegon se në këtë rast bëhet fjalë për një kompani të sigurimeve.
Sipas burimeve, Rexhepi është nën hetime që nga viti 2008 për vepra penale për keqpërdorim të detyrës zyrtare si dhe shpëlarje të parave. Hetimet thuhet se kanë të bëjnë me shpëlarje të parave në rastin e King Casinos, ku 500 mijë euro janë depozituar në kompaninë e sigurimeve “Kosova e Re” dhe Hashim Rexhepi në atë kohë ishte mbikëqyrës financiar në BQK. Rexhepi thuhet se është hetuar edhe për lejimin e keqpërdorimit të 4 milionë eurove të aseteve të shitjes së bankave, Banka e Re e Kosovës dhe Kasa Banka, që tani është NLB.
FOTO GALERI

Gjatë arrestimit të guvernatorit të BQK-së, Hashim Rexhepi, Prishtinë 23 korrik 2010 FOTO: REL dhe Express