Temperaturat e larta të korrikut, shkaktare për infeksionet virale te të vegjlit e moshës 0-10 vjeç

Plot 300 fëmijë shtrohen çdo ditë në urgjencën e spitalit pediatrik të qendrës spitalore universitare “Nënë Tereza”. Shkak për regjistrimin e kësaj shifre alarmante janë temperaturat e larta, të cilat gjatë muajit korrik kanë arritur deri në 40 gradë Celsius. Këta fëmijë vuajnë kryesisht nga sëmundjet gastroenterite me origjinë virale dhe i përkasin moshës nga 0-10 vjeç. Prindërit e vogëlushëve të prekur sqarojnë se simptomat që shkakton kjo sëmundje janë dhimbje barku dhe temperaturë e lartë. “Rastet që paraqiten në këtë pavijon shtohen sidomos gjatë orëve të natës. Për të evituar komplikacionet që mund të shkaktojnë virozat, duhet të rritet kujdesi nga ana e prindërve, si dhe evitimi i daljeve në orët e pikut të diellit”, thotë mjekja pediatre. Sipas saj, e njëjta situatë paraqitet edhe në rrethe të tjera të vendit, ku më të prekurit nga virozat janë kryesisht të vegjlit.

Temperatura e lartë

“Nëse pacienti ka temperaturë, por pa ndërlikime, nuk shihet i domosdoshëm trajtimi i tij, pasi vetë organizmi me sistemin e tij mbrojtës e lufton sëmundjen. Por kur temperatura është e lartë dhe fëmija ka shqetësime (sidomos të vegjlit), duhet të dërgohen urgjent te mjeku i familjes”, tha Sanije Canka, mjeke pediatre. E megjithatë, sipas saj, edhe kur fëmija është tremuajsh dhe e ka temperaturën mbi 38 gradë Celsius, por çuditërisht nuk shfaq shqetësime, ai përsëri duhet të konsultohet me një mjek pediatër.

Fëmijët mbi 3 vjeç, që e kanë temperaturën 39 gradë Celsius, duhet të dërgohen te mjeku, por gjendja e tyre nuk është urgjente. “Këshillimi me mjekun duhet të bëhet në çdo rast, jo vetëm kur fëmija ka temperaturë të lartë, por edhe kur ka shenja të tjera, si heqje barku, të vjella, kollë, vështirësi në frymëmarrje, refuzon të pirën apo është i përgjumur”, sqaroi pediatrja.

Masat mbrojtëse

Zakonisht për uljen e temperaturës mjekët këshillojnë përdorimin e paracetamolit në dozat 10-15 mg për kg/peshë, 3-4 herë në ditë. Kështu, nëse një fëmijë peshon 20 kg, ai mund të marrë 200-300 mg paracetamol, 3-4 herë në ditë. “Paracetamoli te fëmijët mund të jepet në formë shurupi dhe suposti. Këtu dua të theksoj që përdorimi i paracetamolit te fëmijët duhet të jepet patjetër me konsultën e mjekut të familjes. E them këtë sepse nuk është mirë që fëmija të marrë më shumë se 3-4 ditë rresht paracetamol, për arsye se ky medikament përpunohet në mëlçinë e zezë dhe mund ta dëmtojë atë nëse përdoret pa kriter”, tha Canka. Sipas mjekes dermatologe, përdorimi i aspirinës për uljen e temperaturës nuk është e këshillueshme te fëmijët nga mosha 0-14 vjeç.

Rekomandime popullore

“Përveç paracetamolit, rekomandohen banjo me ujë të ngrohtë, sepse arrin ta qetësojë shumë fëmijën. Ndalohen kompresat me të ftohta apo dhe me akull, si dhe kompresat me alkool. Këshillohet që veshja të jetë sa më e lirë dhe e lehtë”, theksoi Canka. Ajo tha se temperatura e lartë shkakton te fëmijët humbjen e lëngjeve të trupit, prandaj është e rëndësishme që ato të zëvendësohen duke pirë sa më shumë lëngje. Pijet që duhen konsumuar më shumë janë lëngjet e ndryshme të frutave, pasi ka edhe nga ato pije me gaz që përmbajnë kafeinë, produkt që nxit urinimin, duke thelluar humbjen e lëngjeve.