Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, në një takim informal që zhvilloi me homologun e tij, Bamir Topi, si dhe kreun e qeverisë Sali Berisha, diskutoi edhe për një forum rajonal që në nëntor do të mbahet në Shqipëri, ku pritet të marrë pjesë edhe Presidenti serb, Tadiç. Kjo bisedë u konfirmua dje në mëngjes edhe nga Presidenti shqiptar, Bamir Topi. “Në nëntor, Shqipëria do të jetë organizatore e Forumit Rajonal Ekonomik Ballkanik, me pjesëmarrjen e të gjithë presidentëve të rajonit. Unë shpresoj që kësaj ftese, edhe Presidenti Tadiç do t’i përgjigjet, duke qenë pjesë e një filozofie të re në rajon! Ne do të bashkëpunojmë nën një frymë të lirë, komunikuese, sepse të gjitha vendet janë projektuar me një vizion të përbashkët integrues euroatlantik”, deklaroi Presidenti Topi, duke theksuar se takime të këtij lloji duhet të shtohen. Presidenti Topi deklaroi për mediat se me Sejdiun kishin ndarë edhe gëzimin e përbashkët për vendimin e fundit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, që sanksionoi legjitimitetin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, si një shtet të lirë, sovran dhe të pavarur.

“Pa diskutim që është një moment madhor, që shton në mënyrë të ndjeshme besueshmërinë e shtetit të ri të Kosovës dhe e fut atë në një rrjedhë të re të njohjeve të reja, të një bashkëpunimi më institucional në rajon”, theksoi Topi në fjalën e tij. E njëjta temë bisede u zhvillua paraditen e djeshme edhe mes Kryeministrit Berisha dhe Presidentit kosovar, Sejdiu. Për nder të kësaj vizite, kreu i qeverisë zhvilloi dje një pritje në ambientet e “Vilës 30”, në Tiranë. Pas pritjes, kreu i qeverisë e konsideroi këtë takim si vëllazëror. Duke folur për vendimin e marrë në Gjykatën e Hagës, Berisha theksoi se vendimi ishte një vlerësim i të vërtetave të mëdha të Republikës së Kosovës. Nga ana tjetër, kreu i qeverisë e vuri theksin edhe tek marrëdhëniet e reja që pritet të krijohen mes Beogradit, Prishtinës dhe Tiranës. “Ne shpresojmë që gradualisht, pasi t’i bëhet një vlerësim objektiv vendimit, të ketë një përgjigje dhe nga Beogradi ndaj këtyre qëndrimeve”, theksoi Berisha. Nga ana tjetër, kreu i qeverisë theksoi edhe se Shqipëria dhe Kosova mbeten të vendosura për respektimin e plotë të kufijve ekzistues të shtetit të ri.

Duke folur për pjesën veriore të Kosovës, Berisha theksoi se mund të bëhen disa përmirësime në statusin ligjor, në Mitrovicë dhe tre komunat e Veriut, por gjithnjë duke ruajtur të paprekshëm kufijtë. “Ndaj rindarje të tjera, pazare mbi trojet e shqiptarëve nuk ka shqiptar që ka autoritetin për ta bërë. Nuk ka askush të drejtë t’u kërkojë shqiptarëve një gjë të tillë dhe sigurisht nuk do ta pranojmë”, theksoi në fjalën e tij Berisha. Nga ana tjetër, Presidenti i Kosovës, Sejdiu u shpreh i kënaqur për këtë vizitë në Shqipëri, pas vendimit historik të Gjykatës së Hagës.