Formulari A2 do të dorëzohet i plotësuar në drejtoritë e shkollave të mesme më datë 2 gusht. Shpërndarja e tij është bërë më 22 korrik, por nxënësit kanë ngurruar për të plotësuar origjinalin, për shkak se nëse gabojnë nuk do t’u jepet më një mundësi e dytë. E, megjithatë, ata kanë pasur fatin që ta shkarkojnë atë nga faqja zyrtare e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Në këtë mënyrë, secili maturant ka të drejtë të bëjë prova sa herë të dojë, deri në momentin kur të ndihet plotësisht i vendosur për të përzgjedhur degët sipas parimit Meritë-Preferencë. Interesimi i tyre ka qenë tejet i madh.

Ata kanë trokitur çdo ditë në drejtoritë e shkollave përkatëse, të cilat kanë qenë hapur edhe gjatë fundjavës, për të marrë të dhëna në lidhje me plotësimin dhe afatin përfundimtar të dorëzimit të tij. Bazuar në rregulloren e Maturës Shtetërore, nxënësit do të kenë në dispozicion plot 10 ditë për të bërë plotësimin e formularit origjinal dhe dorëzimin përfundimtar të tij. Burime nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës njoftojnë se nxënësit duhet të tregohen të vëmendshëm për të mos gabuar në përzgjedhjen e 10 degëve të preferuara. Sipas tyre, maturantët duhet të marrin në konsideratë formulën klasike të MSH-së, e cila të ndihmon për të zgjedhur në bazë të koeficientit, mesatares së 4 viteve dhe notave të provimeve të maturës. Nëse çdo nxënës e sheh këtë “ekuacion” me seriozitet, do ta ketë më të lehtë të zgjedhë degët që premtojnë më shumë siguri për të fituar.

Përmbajtja

Në Formularin A2 janë të listuara më shumë se 225 programe, që do të ofrojnë universitetet publike për vitin e ri akademik, 2010-2011. Nxënësit do ta bëjnë renditjen e preferencave nëpërmjet një rendi zbritës, duke filluar nga dega më e preferuar e deri tek ajo më pak e pëlqyera. 
Sipas burimeve nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës, përcaktimi i kandidatëve fitues do të bëhet pas llogaritjes së pikëve përkatëse për të dhjetë preferencat e listuara në Formularin A2.

Ndarja e profileve
Sipas MASH-it, maturantët duhet të tregohen shumë të kujdesshëm në renditjen e degëve që janë parashikuar në Formularin A2. Kjo do të thotë që përpara se ata të kenë përcaktuar definitivisht degët e tyre të preferuara, duhet të respektojnë profilin e shkollës së mesme. Kjo praktikë pune, sipas MASH-it, do t’i ndihmojë ata që të bëjnë disa llogaritje paraprake, nëpërmjet të cilave do të kuptojnë se në cilat degë mundësia për të fituar është më e madhe. Në këtë mënyrë ata do të mund të grumbullojnë më shumë pikë sesa po të listojnë degë të profilit të kundërt, qoftë ai shkencor apo shoqëror. 
Rregullorja e MSH-së parashikon që nëse maturanti zgjedh fakultetin me natyrë të përafërt studimi me profilin që ka ndjekur gjatë viteve të shkollës së mesme, koeficientët janë më të lartë. Rrjedhimisht edhe mundësia e pranimit në universitet do të jetë më e madhe.