Lufta institucionale mes mazhorancës dhe drejtorit të Shërbimit Informativ Shtetëror nis të lërë gjurmët e para deri në shtator, kur Parlamenti të miratojë ligjin organik të SHISH-it. Kryetari i Shërbimit Informativ Shtetëror, Bahri Shaqiri, ka munguar dje në mbledhjen ndërinstitucionale për masat kundër krimit të organizuar, trafiqeve dhe terrorizmit, e cila u zhvillua në selinë kryeministrore. Duke iu referuar ligjit, i cili është miratuar së fundmi në një nga mbledhjet e Këshillit të Ministrave me numër 1140, datë 30.07.2008, ky komitet ka në përbërje drejtorin e Shërbimit Informativ të Shtetit. Ky komitet kryesohet nga Kryeministri dhe ka në përbërjen e tij pesë anëtarë të qeverisë, ministrin e Brendshëm, atë të Jashtëm, të Drejtësisë, të Mbrojtjes dhe ministrin e Financave. Në përbërje të këtij komisioni është edhe drejtori i Shërbimit Informativ shtetëror dhe sipas ligjit ftohet të marrë pjesë edhe Prokurorja e Përgjithshme. Kryeprokurorja Ina Rama ishte e pranishme në mbledhje, ndërsa drejtori i SHISH-it nuk është parë. Në varësi të problematikës, Kryeministri fton edhe përfaqësues të institucioneve të tjera të përmendura në këtë strategji. Sipas vendimit të qeverisë, ky komitet ka të drejtë për t’u mbledhur çdo tre muaj.

Projektligji

Parlamenti e ka bërë publik tashmë qëndrimin e tij, se do të përfshijë në axhendën e sesionit të ardhshëm kuvendor ligjin që kufizon mandatin e kryetarit të Shërbimit Informativ Shtetëror. Më 27 janar 2005, Bahri Shaqiri është dekretuar kryetar i Shërbimit Informativ Shtetëror dhe që prej kohës kur Partia Demokratike erdhi në pushtet, pas luftës së ashpër me Kryeprokurorin Theodhori Sollaku, vetëm betejën me drejtorin e shërbimit sekret nuk mundi ta fitojë dot. Kufizimi i mandatit do të shkarkojë në mënyrë automatike kreun e Shërbimit Informative Shtetëror. Mazhoranca ka dorëzuar dy projektligje, njëri në Kryesinë e Kuvendit dhe tjetri direkt për miratim në sallën e Kuvendit. Projektligji për kontrollin parlamentar ndaj shërbimit informative ka gjetur mbështetjen nga ndërkombëtarët, ndërsa drafti ‘i vjetër’ i ligjit organik të shërbimit sekret do të votohet në seancën e parë të sesionit të ri kuvendor.

Konflikti

Konflikti i qartë dhe i ashpër mes Presidentit Bamir Topi dhe institucionit të Kuvendit dhe Kryeministrit, tashmë rrezikon të bllokojë çdo qelizë të funksionimit normal të shtetit, pasi çdo njeri do të kalojë në sitë, duke u verifikuar, nëse është me Berishën ose me Topin. Nëse veprohet me këtë frymë, shumë institucione të shtetit shqiptar, që kërkojnë një pëlqim dypalësh prej Kryeministrit dhe Presidentit, do të bllokohen. Me këtë logjikë mund të bllokohet emërimi i diplomatëve, i zyrtarëve të lartë, i krerëve të institucioneve të sigurisë kombëtare, si SHISH.