PD mes precedentit për mocion shkarkimi ndaj kreut të shtetit dhe presionit që kryetari i Kushtetueses të dorëhiqet

Mazhoranca, gati aksionin ligjor për të mos pritur vjeshtën

Demokratët nisin të përpilojnë strategjitë për të fituar betejën me Presidentin Bamir Topi për Gjykatën Kushtetuese. Shkarkimi i Presidentit është një mision i pamundur për mazhorancën aktuale, pasi kreut të shtetit nga kjo nismë nuk mund t’i futet ‘ujë në këpucë’, përveç rastit që mazhoranca me këtë nismë mund të shkaktojë vetëm precedent. Rasti i dytë dhe më i mundshmi që mazhoranca pritet të vërë në provë, është të ushtrojë presion mbi kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Vladimir Kristo, për të dhënë dorëheqjen. Ky duket se është edhe versioni ku demokratët pritet t’u mëshojnë më shumë deklaratave të tyre politike, ku me një gur vrasin dy zogj, bëjnë akuza ndaj Presidentit për shkelje të Kushtetutës dhe, nga ana tjetër, ushtrojnë presion mbi kreun e kushtetueses për të dhënë dorëheqjen.

Varianti i parë

Tentativa e mazhorancës për të kërkuar shkarkimin e Presidentit Topi është e dështuar që në fillesën e saj. Neni 90 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë ka specifikuar shumë qartë në pikën 2 të saj, se “Presidenti mund të shkarkohet për shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe për kryerjen e një krimi të rëndë. Propozimi për shkarkimin e Presidentit në këto raste mund të bëhet nga jo më pak se një e katërta e anëtarëve të Kuvendit dhe duhet të mbështetet nga jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij”. Mazhorancës i duhen vetëm 35 deputetë për të bërë propozimin për shkarkimin e kreut të shtetit, ndërsa për ta votuar atë në Kuvend i duhet shifra që asnjëherë nuk e ka arritur gjatë legjislacionit të 18, numri 93. Por mazhoranca mund t’i shkojë deri në fund kësaj nisme, që nuk do t’i kalojë parametrat e një shashke, por për t’i treguar kreut të shtetit se ka humbur besimin e mazhorancës, të cilit i duhet në vitin 2012 për një rikandidim të mundshëm Presidentit për një mandat të dytë. Aktualisht, mazhoranca e ka të pamundur të arrijë në ndërmarrjen e një nisme për procedurë kushtetuese për shkarkimin e Presidentit, për shkak se s’ka numrat, por edhe sepse çështja do të përfundonte në Gjykatën Kushtetuese dhe mazhoranca nuk do të kishte në këtë rast forcën për të dalë e fituar nga kjo lëvizje.

Varianti i dytë

Nëpërmjet një aksioni ligjor, demokratët pritet të ushtrojnë të gjithë kapacitetin e tyre juridik për të bllokuar dhe për të detyruar kryetarin e Gjykatës Kushtetuese të japë dorëheqjen. Një largim i mundshëm i tij nga kjo detyrë do ta linte institucionin e Gjykatës Kushtetuese pa një kryetar. Pavarësisht se ky institucion është pushim gjatë muajve të verës dhe fillon shqyrtimin e çështjeve të para më 14 shtator, lënia e Gjykatës Kushtetuese pa një kryetar de facto apo de jure do të shkaktonte jo vetëm vakum ligjor, por do të vendoste në alarm institucionet shtetërore si Kuvendi, por edhe Presidenca. Në rast se demokratët do të arrijnë të marrin atë që duan, dorëheqjen e kryetarit aktual të Gjykatës Kushtetuese, atëherë e gjithë çështja do të merrte një interpretim tjetër ligjor. Kryetarit të Kushtetueses, Vladimir Kristos, i ka mbaruar mandati ligjor më 7 qershor 2010.

Aksioni ligjor

Partia Demokratike do të nisë brenda pak ditësh aksionin e saj ligjor për të detyruar Presidentit Bamir Topi të respektojë afatet në emërimin e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese. Kampi blu e mban sekret me fanatizëm planin kundër Presidentit, por cilido variant që kalon brenda kokës së deputetëve juristë të mazhorancës nuk do ta zgjidhë situatën në Gjykatën Kushtetuese përpara muajit shtator. Presidenti Bamir Topi e ka thënë fjalën e vet nëpërmjet këshilltarit juridik, Spiro Peçi se anëtarët e rinj do të propozohen më 6 shtator, ndërsa mazhorancës i ka ngelur vetëm të hedhë shashka dhe të bëjë lojë nervash për zgjidhjen përpara kohe të këtij ngërçi. Edhe pse në pamje të parë beteja e mazhorancës me Presidentin nuk duket vetëm deklarative, shanset për të zgjedhur kreun e ri të Kushtetueses brenda muajit gusht janë të vogla.