Shtatori duket se do të rikthejë protestat e Partisë Socialiste dhe opozitës në tërësi. Më shumë se kaq, vjeshta e ardhshme, që përkon me një klimë paraelektorale, po e orienton të majtën drejt shumëfishimit dhe shtrirjes së aksionit të vet politik, që ndryshe nga një vit më parë, alternon lëvizjen e rrugës, luftën parlamentare me kushtëzimin e reformave dhe në fund kërkesën dominuese për transparencë. Kjo perspektivë është paralajmëruar dje në bashkëbisedimin e vet me gazetarë nga kreu socialist, Edi Rama, i cili përmes dhënies së panoramës aktuale në Shqipëri, e ka risjellë rezistencën demokratike si konkluzion logjik të situatës.

“Pa dyshim protestat janë pjesë e rrugës sonë opozitare në kushtet ku jetojmë… PS nuk ka pushkë për të marrë dhe nuk ka as rrugë tjetër për të ndjekur, përveç rrugës së rezistencës demokratike në një proces ku mungesa e transparencës nuk rrit përgjegjësinë mbi supet e PS-së dhe të opozitës, por rrit përgjegjësinë mbi kurrizin e një pushteti që doli nga një. Në rast se pushteti e refuzon transparencën, do të paguajë dhe çmimin. Sigurisht ky çmim në demokraci paguhet me vullnetin e popullit”, është shprehur Rama. Ai u është referuar kështu pritshmërive publike ndaj aksionit të opozitës, i cili të paktën prej një viti nxit komente dhe hamendësime për shkak të deklarimeve të forta që sugjerojnë teorikisht lëvizje radikale.

E thjeshtëzuar prej kreut socialist, angazhimi i PS-së do të rimarrë të gjithë tematikën politike, që nis nga situata ekonomike e mbuluar me shifra të rreme, nga kriza konstante ndërinstitucionale, nga refuzimi për të pranuar kërkesën e opozitës, te ballafaqimi i qytetarëve me përditshmërinë që sipas opozitës ironizohet në mënyrë cinike nga një rritje pensionesh nën normën e inflacionit. “Që të nisë një rrugë tjetër, duhet të zgjidhim krizën, krizën e gjithanshme. Që ta zgjidhim krizën e gjithanshme, duhet të kemi fuqinë për ta parë në sy krizën, aftësinë dhe pasionin politik për ta zgjidhur.

Mendoni që i ka të gjitha këto pushteti aktual?! E atëherë ka vetëm një përgjigje: Kjo qeveri duhet të largohet. Në rast se kjo qeveri nuk largohet, ka vetëm përkeqësim, jo për shkakun tonë, të opozitës shqiptare, jo për shkakun e Presidentit të Republikës, jo për shkakun e drejtorit të Shërbimit Sekret, jo për shkakun e NATO-s apo SHBA-së, as për shkakun e të gjithë atyre njerëzve që sot janë përditë e më të pashpresë, por thjesht dhe vetëm për shkakun e keqqeverisjes dhe të babëzisë që karakterizon përditshmërinë e këtij pushteti të vjedhur”, është shprehur kreu i PS-së.

Adresimi i problemeve të vëna re së fundmi në marrëdhëniet e qeverisë dhe shumicës në pushtet me Presidentin apo edhe partnerët ndërkombëtarë, përcjell faktin se analiza ndaj kësaj shumice është vetëm një: kriza e plotë dikton kalimin drejt diversioneve të tilla, që në të njëjtën kohë janë refleks edhe i mentalitetit që dominon lidershipin e saj. Si e tillë, kriza në vetvete, sipas Edi Ramës, ka tërhequr mbi Shqipërinë një vëmendje në rritje edhe nga komuniteti ndërkombëtar, i cili ende është në pritje të mbylljes së negociatave. Për sa u përket këtyre të fundit, ai ka bërë të ditur se selia rozë është ende e hapur për kompromis, por ky proces në vetvete nuk komprometon objektivin kryesor të opozitës, që është rrëzimi i qeverisë.