Lorik Cana po kalon një periudhë krize në Turqi. Mesfushori i Gallatasarajit, i transferuar për 5.5 milionë stërlina nga Sandërlendi i Premier Ligës, sipas mediave turke, mësohet të jetë shprehur se është i zhgënjyer me transferimin në kampionatin turk. Cana që në fillim të aventurës ka pësuar një dëmtim dhe përpos kësaj nuk ka gjetur vend në formacion për shkak të konkurrencës. Jo vetëm kaq, por tjetër pengesë për aktivizimin e Lorik Canës në rradhët e Gallatasarajt është numri i kufizuar (5) i lojtarëve të huaj.

Canës, që sigurisht nuk ka pasaportë turke, pas afrimit te Gallatasaraji i mesfushorit boshnjak Misimoviç, i janë reduktuar mundësitë për t’u aktivizuar. Mediat turke, që u referohen lojtarëve të Gallatasarajit, zbulojnë se Cana e ka shprehur hapur pakënaqësinë në ambientet mes miqve më të ngushtë dhe famljarëve. “Nuk jam i kënaqur në Stamboll,” – mësohet të jetë shprehur Cana. Cana nuk ka qenë kurrë zgjedhje e Rajkardit Problemi më i madh për Lorik Canën te Gallatasaraji mbetet trajneri Frenk Rajkard. Ish-kreu i pankinës së Barcelonës nuk e ka përkrahur në asnjë moment blerjen e Canës nga Sandërlendi, madje ai është shprehur hapur se transferimi i tij ka qenë thjesht vendim i drejtuesve të klubit.

Në skuadrën turke, përveç Canës, luajnë edhe gjashtë futbollistë të tjerë joturqë, kur vetëm pesë prej tyre mund të jenë në të njëjtën kohë në fushë. Rajkard e ka ndërtuar formacionin sipas ideve të tij, ku Lorik Cana mbetet jashtë. Lukas Neill (i mbërritur nga Evertoni), Emiliano Insua (i huazuar nga Liverpuli), Pablo Pino, Elano, Kjuell dhe boshnjaku Misimoviç zënë vend në formacion para Canës. Të paktën tre nga lojtarët e sipërpërmendur aktivizohen në mesfushë, ndaj Cana e ka të vështirë të konkurrojë edhe për faktin se është i huaj.

“Sulltan” te Sandërlendi, “jeniçer” te Gallata

Një nga arsyet e transferimit të Lorik Canës nga Sandërlendi te Gallatasaraj ishte mundësia për të luajtur në Europa League (këtë sezon) dhe në Champions. Sandërlendi nuk ia ofronte këtë luks mesfushorit shqiptar, pasi është ekip që objektiv kryesor ka mbijetesën në Premier League. Cana nxori si pretekst për transferimin e tij edhe afërsinë me vendlindjen, Kosovën dhe Shqipërinë. Te Sandërlendi ishte futbollisti më i paguar dhe mbante shiritin e kapitenit, por e dorëzoi këtë “prestigj” për të luajtur në Turqi dhe në Kupat e Europës. Përfundimi: nga “sulltan” te skuadra angleze u shndërrua në “jeniçer” te Gallatasaraji. E ardhmja e Canës në Turqi mbetet e dyshimtë dhe ndoshta gjatë merkatos së dimrit do të bëjë lëvizjen e radhës.