Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar sot pa praninë e anëtarëve të opozitës shpalljen e vendeve vakante në 66 KZAZ të vendit për zgjedhjet lokale të 8 majit. KQZ në mbledhjen e sotme, me një vendim të posaçëm ka plotësuar vendet bosh, të mbetura vakante për shkak të mosparaqitjes së kandidaturave nga ana e opozitës, konkretisht nga Partia Socialiste dhe Bashkimi për të Drejtat e Njeriut. Kryetari i KQZ, Arben Ristani ka deklaruar se duhet të vazhdojë me intensitet puna edhe për kandidatët e pavarur, për të cilët ka 127 aplikime. Sipas tij ata janë apolitikë dhe duhet të dorëzojnë gjithë dokumentacionin deri në datën 8 mars. Kreu i KQZ, theksoi se anëtarët e KZAZ-ve që do të zënë vendet e lëna bosh nga opozita do të jenë persona me aftësi dhe me integritet.