Historiani Neki Babamusta

Historiani Neki Babamusta

Afërdita, Shqipëri – Nuk është Helenë Troje për Greqi! Si pasardhës i denjë i Odisesë, me dinakëri, po ringjallni një kalë të ri Troje, për të rindezuar vatra zjarri…..

Nga Profesor Neki Babamusta

Zoti Konsull Ikonomus, Afërdita, Shqipëri – Nuk është Helenë Troje për Greqi!

Si pasardhës i denjë i Odisesë, me dinakëri, po ringjallni një kalë të ri Troje, për të rindezuar vatra zjarri.

Një proverb e bukur shqiptare thotë: “Kush turbullon ujët e lumit, valët e marrin me vete.”

Dy popujt tanë, shqiptarët dhe grekët, në shekuj jetojnë në fqinjësi të mirë dhe kanë një histori të lavdishme. Në rradhë të parë kultura greke dhe ajo iliriane, kanë njohur majat më të larta të zhvillimit në Antikitet, duke u përhapur dhe në vendet e tjera të botës. Mendimtarët e shquar grekë si Sokrati, Demokriti, Aristoteli, i mësuan dhe i dhuruan demosit (popullit) fjalën jetëdhënëse “Demokraci”, ku çdo individ apo çdo popull, që jeton në trojet e veta, gëzon të drejtat e barabarta për të jetuar, punuar dhe menduar i lirë, pa prekur interesat e të tjerëve.

Luftrat i nxisin dhe i ndezin jo popujt, por klikat shoviniste. Për interesa të fuqive të mëdha, klanet shovene ballkanike serbo-greke janë bërë gurë shahu për ndezje vullkanesh për hapësira territoriale për veten e tyre.

Konferenca e Ambasadorëve të Londrës, Janar 1913, e ndau përgjysëm Shqipërinë, duke i dhënë edhe Greqisë krahinën e pasur Shqiptare të Çamërisë, me një sipërfaqe më tepër se 5,000 km katrore dhe me një popullsi mbi gjysëm milion banorësh.

Ish-kryeministri grek, Venizellos, ëndërronte Megallo idenë (Greqinë e madhe deri në Shkumbin). Një tjetër pasues i qeverisë Greke, Metaksaj, në Luftën e Dytë Botërore, hartoi po të njëjtat plane aneksimi. Ndërsa në luftën Italo-Greke, (tetor 1940 – prill 1941) forcat greke u përleshën me ato italiane dhe nën pretekstin se po luftonin në tokën greke, u sollën shumë keq me popullsinë vendase të Shqipërisë së Jugut (Korçë, Gjirokastër). Barbarizmat arritën kulmin në krahinën e Çamërisë, në vitet 1943-44 kur ushtria greke, shpërnguli me forcë qindra-mijë banorë, duke vrarë gra, pleq edhe fëmijë dhe duke djegur fshatra edhe qytete. Ushtria greke vrau mbi 4000 shqiptarë autoktonë të Çamërisë së pafajshme.

Meqë ju shihni ëndrra për aneksimin e Vorio-Epirit (Korçë-Gjirokastër-Sarandë-Himarë) po ju kujtojmë kufijtë natyralë historikë me Greqinë: shtrirja e popullit të lashtë të Shqipërisë përfshin edhe Gjirin e Artës dhe Prevezën. Këto treva në tokën e Çamërisë dhe në bregun e Jonit, banoheshin nga fiset ilire, midis tyre Kaonët (Jonin Verior), Thesprotët (Çamëri) dhe Molosët (Vjosa Jugore).

Ato 600,000 shqiptarë që Greqia mban sot si emigrantë, me mundin dhe punën e tyre, vazhdojnë të kontribuojnë në forcimin e ekonomisë së vendit tuaj. Ndonëse herë pas here, “Operacioni Fshesa” i ka terrorizuar shqiptarët, duke i zbuar në vendlindje, duke i torturuar dhe burgosur, dhe duke vrarë 154 emigrantë të pafajshëm.

Populli grek flet me përzemërsi për vlerat morale të shqiptarëve, aty ku jetojnë dhe punojnë.

Dihet se populli shqiptar, i është gjendur shumë herë pranë popullit grek. Kryengritësit shqiptarë të Jugut, trimat e Çamërisë, dhe Arbëreshët (Avranitasit) të vendosur kohë më parë në Greqi, me Ali Pashë Tepelenën në krye, më 1821 i dhuruan Greqisë lirinë prej sundimit Osman. Ndonëse gjenerali famëkeq grek, Zervo, manifestoi barbarizma anti-njerëzore ndaj popullsisë shqiptare të Çamërisë, shqiptarët u sollën miqësisht me banorët grek andartë, që kishin ardhur si argatë për të punuar në tokat bregdetare të Shqipërisë së Jugut.

Dy popujt kanë luftuar bashkërisht kundër fashizmit Italian në luftën Italo-Greke. Në vitin 1967 kur Greqia lëndonte nga thatësira, ne Shqiptarët ndamë përgjysëm bukën e fëmijëve tanë me ato të Greqisë.

Minoriteti grek në Shqipëri, prej disa mijëra banorësh, ndjehet i respektuar në vendin tonë. Ato zotërojnë të drejta të barabarta me Shqiptarët – për të votuar, për punë, për arsim, si dhe është hapur edhe Universiteti në gjuhën greke në Gjirokastër.

Historikisht dihet roli negativ i patriarkanës grekë ndaj popullit tonë: mohimi i gjuhës shqipe dhe i kombësisë. Skandalet e fundit nga përfaqësuesit e qeverisë greke pohojnë politikën anti-shqiptare për çkombarizim, pikërisht zhvarrimi i eshtrave të të parëve tanë në Boboshticë të Korçës, rifutja e eshtrave të ushtarëve grekë që nuk egzistonin të varrosur në disa zona të Korçës, ngritja e flamurit grek. Kulmi i ofendimit arriti kur shqiptarëve etnikë të Shqipërisë së Jugut u kërkohet të regjistrohen mbi baza etnike dhe fetare, për të mohuar kombësinë shqiptare.

Këto Z. Konsull janë veprime satanike, me përfundime të paparashikuara.

Edhe vetë perënditë e Olimpit me Zeusin në krye, do t’ju thonin: “Kthehu dhe thyej qafën!”

Nuk përulet dhe shitet shqiptari për bukë dhe para me thikë pas shpine.

Pse hesht hirësia e tij kryepeshkopi i Shqipërisë, Z. Anastasious Janullatus. Me gjithë shërbimet që i ka bërë ortodoksisë shqiptare, a nuk ka ardhur koha për komunitetin ortodoks në Shqipëri, që kishën autoqefale shqiptare ta drejtojnë vendasit, i nderuar Peshkop? Ky ka qenë një amanet i imzot Fan Nolit.

Shqipëria është një vend i stabilizuar. Përplasje me anarkistët, komunistët grekë ka edhe në Greqi. Si kombësia, mijëra vjeçare po ashtu edhe pushtetet në Demokraci, (qeveritë) nuk ndërrohen me dredhira e manifestime të dhunshme. Revolucionet socialiste sjellin barbari. Ne shqiptarët, nuk duam skena afrikane. Patjetër, vendi në demokraci duhet të ketë një opozitë të fuqishme, sepse pa të nuk ka mbrojtje vlerash dhe zhvillim. Mençuria e shqiptarëve nuk i mungon. Populli shqiptar, me klasën e vet politike dhe burrat e shteti që ka, di t’i zgjidhi vetë problemet e brendshme.

Regjistrimi i popullsisë mbi baza etnike dhe fetare është e papranueshme. Nga kjo situatë, duhet të dilet me vullnet politik të përbashkët.

Hijet e zeza, brenda e jashtë vendit mos t’i hedhin me qëllim benzinë zjarrit, se shqiptarët po kacafyten me njëri-tjetrin. Populli nuk do korrupsion. Atë ta luftojë drejtësia. Ne duam miq të mirë se dhe vetë të tillë jemi. Ndërrimi i pushteteve nuk është dëshirë personash, po është një alternativë ligjore, që merret me ligj në bazë të votimit. Natyrisht populli nuk dëshiron diktatorë dyzet vjeçarë.

Zoti Konsull i Greqisë:

Mos ëndërro të futësh “Kalin e Trojës” të kullosi në perlat shqiptare, ndryshe do t’i bijnë patkojtë pa kaluar kufirin!

Lëri dy popujt tanë të jetojnë në paqe dhe të qetë në trojet e veta.