Foto e vajzës shqiptare që u gjet e lidhur në shtrat prej 5 vjetësh. Policia ka sekuestruar si prova edhe disa foto të tilla

Ekskluzive – Ndiqni detajet e plota të historisë rrëqethëse të 10 vjeçares shqiptare, si u abuzua nga personeli grek i KEPEP, Qendra e Kujdesit për Fëmijët

Lehania, Greqi, 3 Mars 2011 NOA – Një vajzë shqiptare e cila është dhjetë vjeçe, gjysmën e jetës e ka kaluar deri dje, e lidhur këmbë e duar dhe me shirit ngjitës në gojë. Ngjarja rrënqethëse ka shkaktuar ilaritet në qytetin grek të Ilias në provincën Lehanion dhe autoritetet kanë ndërhyrë duke çliruar vajzën dhe dërguar atë në përkujdesje sociale të mbikëqyrur.

Korrespondenti i agjencisë NOA ka zbuluar emrin e të voglës, ajo quhet Dania, është dhjetë vjeçe dhe prej pesë vjetësh që nga viti 2006 dhe deri dje ka qëndruar e lidhur në krevat pa e lënë kurrë të dalë që andej.

Fajtorë për këtë janë personeli i KEPEP, Qendra e Kujdesit për Fëmijët në Greqi. Faktin e ka pohuar edhe Ana Mazaraki, drejtore e KEPEP e cila tha se ka dërguar për hetim në prokurori, kallëzimin për rastin e vogëlushes që përpos faktit që qëndronte pesë vjet rresht e lidhur, vuante dhe thyerjen e njërës këmbë në vitin 2005.

Hetim intensiv ka nisur për 25 punonjës të qendrës sociale nën akuzën e keqtrajtimit të fëmijëve të pambrojtur e kryer në bashkëpunim si dhe shpërdorim detyre. Sakaq nën akuzë është dhe një 68-vjeçar, pronar i objektit të qendrës sociale.

Historia e frikshme, po shërben si rast precedent për të zbardhur edhe dyshime mbi keqtrajtim fëmijësh të tjerë në këtë qendër kujdesi ndaj të vegjëlve.

Dania e vogël nga sot ndodhet në një tjetër qendër kujdesi për fëmijët, shtetërore dhe nën mbikëqyrjen e autoriteteve policore.

KEPEP, Qendra e Kujdesit për Fëmijët ku u zbulua skandali

Personeli i ri që po kujdeset për të, pohoi se vajza mezi lëviz duart kurse këmbët i ka të pamundura. Ajo nuk mund të ecë, është vazhdimisht e trembur, nuk reagon ndaj asnjë personi që tregon përkujdesje ndaj saj dhe për më tepër reagon rëndë dhe me qarje dënese kur i afrohen njerëz. Ajo është e mekur, nuk arrin të flasë dhe vetëm zbraz qarje me dënesë kur i kërkojnë të thotë diçka.

Nuk ha asgjë, po mbahet me serum në jetë dhe po bëhen përpjekje për ta rehabilituar, pohojnë mjekët që janë krijuar si ekip special për të mundësuar shpëtimin e të voglës.

Në kartelën mjekësore të fëmijës shkruhet: “Vuan nga paaftësia për të ecur, mungesa e ndjesisë në këmbët dhe osteoporozë”.

Kurse për statusin familjar, jozyrtarisht thuhet se për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore, ajo është dërguar nga prindërit në vitin 2004 në këtë qendër dhe që atëherë, rrallë ka pasur vizita.

Burimi : Noa.al