Në fillim të javës, Komisioneri Europian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë bëri “mea culpa”-n e parë në emër të BE-së kundrejt Afrikës Veriore, duke pranuar se për hir të “stabilitetit”, Europa ka mbështetur regjime autoritare në kurriz të demokracisë dhe vlerave që promovon.

Të premten, gjatë një konference për shtyp me kryeministrin malazez, i pyetur se cilat janë mësimet e nxjerra dhe a mund të jetë qartësisht më i zëshëm Komisioni me ato vende të Ballkanit, si Shqipëria apo Maqedonia, ku korrupsioni është gjithëpërfshirës, ku sulmohen e kërcënohen institucionet e pavarura, ku shtypet liria e fjalës, e kështu me radhë, me qëllim që në të ardhmen BE të mos kërkojë falje dhe për këtë rajon, Stefan Fule u përgjigj:

“Jam shumë besimplotë se asnjë vend nuk është i paprekshëm nga ky proces me përmasa historike që po zhvillohet. Por gjithashtu, për sa i përket pjesës tjetër të Evropës, kam besim se askush nuk është i paprekshëm dhe askush nuk duhet të jetë i paprekshëm, për të reflektuar mbi këto ndryshime” tha Stefan Fule.

Më tej, Fule sqaroi se qëndrimi i BE-së ndaj qeverive të Ballkanit është më i rreptë duke monitoruar tashmë jo vetëm numrin e ligjeve që miratohen, por dhe si zbatohen e sa i shërbejnë ato qytetarëve.

“Ajo çfarë nevojitet të nënvizojmë e që duhet forcuar vërtet, është që të shohim gjurmë provash, në vend të plotësimit formal të detyrave. Në Mal të Zi për shembull, nëse shohim 7 kriteret kyçe, ato reflektojnë deri diku këtë qasje të re të BE-së, e cila nuk kërkon vetëm miratimin e ligjeve dhe vendosjen e institucioneve, por edhe aftësinë për të monitoruar zbatimin sesa këto ndryshime, këto ligje e institucione, ju shërbejnë qytetarëve”, tha Stefan Fule, Komisioner për Zgjerimin në BE.

Nëse Malit të Zi i janë vendosur 7 kritere, vlen të theksohet se Shqipëria ka 12 të tilla për të përmbushur. Ndërkohë, i pyetur mbi letrën konfidenciale të ish-ambasadorit amerikan në Podgoricë, të zbuluar nga Wikileaks, ku vendi cilësohet si më i korruptuari e më i kriminalizuari në rajon, Kryeministri Igor Luksiq vlerësoi më të rëndësishme se ky dokument ndihmën amerikane për vendin.

“Unë vlerësoj shumë mbështetjen që ne marrim nga qeveria e Shteteve të Bashkuara. Mendoj se kjo është shumë më e rëndësishme se cdo letër specifike diplomatike e cila mund të gjendet kudo, përfshirë këtu dhe në Wikileaks”, tha Igor Luksiq, kryeministër i Malit të Zi.

“Dua të shtoj se qëndrimi i Bashkimit Europian për këtë është se nuk ka nevojë të lexoni Wikileaks, pasi gjithçka është në progres-raportin e opinionit tonë, dhe jam i sigurt se shumë gjëra thelbësore mbi këtë, do t’i gjeni edhe në raportin tonë të ardhshëm”, tha nga ana e tij komisioneri Fule.