Shpërthimi në një impiant bërthamor në Fukushima ka hedhur material radioaktiv në rrethinat përreth, ndërsa autoritetet po evakuojnë 20 kilometra përreth zonës.

Rrjetet ndërkombëtare bëjnë me dije se si rrjedhojë e mbinxehjes së reaktorit bërthamor, një shpërthim i fuqishëm u regjistrua në orën dhjetë dhe pamjet e televizioneve japoneze treguan ambulanca që i vinin në ndihmë punëtorëve të plagosur.

Nga matjet paraprake, duke se në ajër po regjistrohen nivele të larta të lëndëve radioaktive si cesiumi dhe kobalti, ndërsa në hyrjen e impiantit, rrezatimet janë shumë më të larta se norma normale.

Matjet paraprake tregojnë se në hyrje mund të marrësh në një orë dozën e radiacioneve që normalisht një njeri merr gjatë të gjithë vitit. Edhe në ambientet përreth rrezatimet janë tetë herë më të larta.

Masat e sigurisë u shtuan minuta më parë, me autoritetet që i kërkuan të gjithë banorëve që jetojnë deri në 20 kilometra distancë të largohen menjëherë nga zona. Më parë, ishin evakuar vetëm ata që jetonin dhjetë kilometra afër impiantit.

Ende nuk janë të qarta përmasat e plota të tragjedisë, por është konfirmuar shembja e një muri të impiantit, mesa duket nga shpërthimi i reaktorit, materjalet e të cilit po dalin jashtë.

Autoritetet kanë bërë të ditur se do të njoftojnë së shpejti mbi atë që po ndodh, pasi ekspertët të konstatojnë nivelin e rrezatimeve dhe dëmtimet në impiantin e Fukushimës.

Nëse më e keqja po ndodh dhe reaktori është shkrirë, toka, uji dhe ajri mund të ndoten me materiale radioaktive, në gjendje për të udhëtuar në të gjithë planetin.

Tërmeti me magnitudë 8,9 të shkallës rihter që goditi mëngjesin e djeshëm Japoninë (me orën tonë), shkaktoi dëmtime në sistemin e ftohjes së reaktorit.

Shpërthimi i vetëm i një centrali bërthamor në kohë paqe ka ndodhur në vitin 1986 në Çernobil dhe disa dhjetëra mijëra persona në zonat përreth, por edhe me mijëra kilometra larg vendnodhjes, gjetën vdekjen.