Presidenti i Republikës Bamir Topi i ka dërguar Perandorit të Japonisë, Akihito një mesazh solidariteti për fatkeqësinë natyrore që goditi sot në mënyrë shkatërruese Japoninë, sidomos zonën veri-perëndimore të saj. “Madhëria Juaj, Me hidhërim të thellë dhe keqardhje mësova lajmin e kobshëm të katastrofës më të madhe që ka prekur vendin tuaj duke shkaktuar humbje të shumta në njerëz dhe dëme të jashtëzakonshme materiale. Në emër të popullit shqiptar dhe në emrin tim personal, dëshiroj t’Ju shpreh juve, familjarëve të viktimave si dhe mbarë popullit japonez, ngushëllimet më të sinqerta për këtë tragjedi që ju ka goditur.

 

Ne jemi pranë jush në këto momente tepër të vështira që po kalon vendi juaj dhe urojmë që pasojat e kësaj tragjedie natyrore, e cila ka tronditur njerëzimin anembanë botës, të kapërcehen sa më shpejt! Ju lutem, pranoni Madhëria Juaj, ndjenjat e mbështetjes dhe të solidaritetit të popullit shqiptar për të përballuar dhe kapërcyer këtë situatë mjaft të rëndë me sa më pak dhimbje!” – thuhet në mesazhin e Presidentit të Republikës.