GRUPI NDËRKOMBËTAR I KRIZAVE – RAPORTI I RI
Prishtinë / Mitrovicë / Bruksel, -Lajmifundit- 14 mars 2011: Kontesti midis Kosovës dhe Serbisë, që mban të ndarë dhe të pasigurt  Ballkanin Perëndimor, duket të jetë më I prekshëm në komunat veriore të Kosovës.
Veriu i Kosovës: “Sovraniteti i dyfishtë në praktikë”- raporti i fundit nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave, shqyrton realitetin aktual, duke përfshirë qëndrimet lokale, ndikimin e Beogradit, përpjekjet e kufizuara të Prishtinës që të angazhohet, strategjitë  ndërkombëtare dhe problemet në zbatimin e ligjit, të drejtësisë dhe kontrollet kufitare. Popullsia e rajoneve serbe është  në masë të madhe besnike ndaj Beogradit dhe institucionet e këtyre zonave funksionojnë brenda sistemit të Serbisë. Nga ana tjetër, qeveria e Prishtinës  dëshiron të marrë nën kontroll Veriun duke marrë nën kontroll edhe kufirin me Serbinë. Ajo është e gatshme të mundësojë dhe lejojë qeverisje lokale nga vetë serbët brenda kornizave te shtetit  por serbët e shohin atë si qëndrimin e tyre të fundit kundër pavarësisë së Kosovës.
Një dialog mes Kosovës dhe Serbisë dhe të ndërmjetësuara nga BE-ja filloi më 8-9 mars dhe ka të ngjarë të vazhdojë gjatë muajve të ardhshëm për të  punuar në drejtim të bashkëpunimit rajonal, të komunikimit, lirisë së lëvizjes dhe sundimit të ligjit. Megjithatë, tani për tani  Beogradi, Prishtina dhe Brukseli kanë vendosur se trajtimi i qeverisjes së Veriut apo statusi është shumë i vështirë për tu diskutuar duke I dhënë përparësi  diskutimeve mbi bashkëpunimin për përmirësimin e zhvillimit socio-ekonomik të rajonit, të sigurisë dhe rendit publik.
“Për disa kohë, Veriu do të mbetet nën fuqinë e sovranitetit të dyfishtë: të Kosovës dhe Serbisë”, thotë Marko Prelec, Drejtor i Projektit Ballkan pranë Grupit të Krizave. “Kosova dhe Serbia do të duhet të vendosin përfundimisht çfarë të bëjnë me këtë rajon. Deri atëherë, popullsia lokale në Veri  ka nevojë për zgjidhjen e problemeve”.
Serbët e veriut kundërshtojnë integrimin në institucionet dhe jetën e Kosovës, duke besuar se vendi i tyre është ende pjesë e Serbisë duke qënë kësisoj edhe  dyshues se të drejtat e tyre do të mbrohen në Kosovë. Sistemi arsimor serb, kujdesi shëndetësor dhe shërbimet administrative duket të jenë më tërheqëse për ta sesa ato të Kosovës. Edhe serbët në enklava të vogla më në jug të Kosovës, kanë krijuar një lidhje me  Veriun si qendër e jetës së tyre intelektuale dhe urbane. Për fat të keq, as Prishtina, as bashkësia ndërkombëtare nuk kanë bërë sa duhet për të paraqitur mundësitë e integrimit, të cilat do u jepnin serbëve më shumë se ajo që ata tashmë kanë.
Vëzhguesit në Prishtinë dhe në kryeqytetet pro pavarësisë argumentojnë se për sa kohë që do ketë  pagesa masive nga Serbia për të mbështetur rrugën e jetës që bëjnë momentalisht serbët e veriut të Kosovës atëherë do ketë pak mundësi për nxitje të kompromisit. Megjithatë, Kushtetuta e Kosovës shprehimisht lejon Beogradin të financojë shërbimet lokale për serbët, me kusht që ky financim të jetë i koordinuar me Prishtinën, dhe që aktualisht nuk është. Mjafton të shohim vetëm shuma relativisht të vogla që mbështesin në mënyrë direkte policinë serbe dhe  sistemin e gjykatave për të kuptuar se kjo cënon integritetin e Kosovës.
Zbatimi i ligjit në veri është i dobët dhe policia e Kosovës është  vetëm shenjë e pranisë së Prishtinës në këtë zonë duke pasur një reputacion të dobët dhe të shoqëruar me mosbesim nga popullsia lokale. Prania e policisë së Serbisë është e ndaluar nga një rezolutë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së por ata veprojnë fshehurazi. Gjykata e Qarkut në Mitrovicë është përgjegjëse për një rajon shumë më të madh sesa pjesa veriore e Mitrovicës, por në të njëjtën kohë ajo është e paralizuar dhe mund të dëgjojë vetëm një pjesë të vogël të rasteve. Këto raste gjykohen nga përfaqësuesit ndërkombëtarë pjesë e misionit  EULEX, të sundimit të ligjit të Bashkimit Evropian. Gjykimet  e gjykatave  serbe janë të zbatueshme vetëm në Serbi dhe po ashtu atë kufizuara në praktikë në çështjet civile dhe krimit ekonomik. Krimi është problematikë shqetësuese për veriun pasi  problemi kryesor është kontrabanda e shfrenuar nga bandat serbo-shqiptare, dhe kërcënimet ndaj cdokujt që është i lidhur me Prishtinën.
“Kosova dhe Serbia nuk duhet të lejojnë që debati i tyre rreth statusit  të bllokojë progresin për banorët e Veriut”, thotë Sabine Freizer, drejtore e programit të Evropës pranë Grupit të Krizave. “Derisa të arrihet një zgjidhje e plotë politike, ata duhet të kërkojnë fleksibilitet dhe një zgjidhje të përkohshme për të përmirësuar zbatimin e ligjit, grumbullimin e taksave doganore, dhe shpërndarjen e ndihmës financiare në Veri”.